(Fjalimi i plotë i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seminarin “Promovimi i një parlamenti me ndjeshmëri gjinore”)
E nderuar Kryetare e Rrjetit të Grave Parlamentare, Madam Chantal Soucy,
I nderuar ambasador Bowman,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,
Të nderuar deputetë,
Paneliste të nderuara të këtij seminari,
Të dashura përfaqësuese të shoqërisë civile,
Zonja e zotërinj,
Jam shumë i gëzuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës është nikoqir i seminarit të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Qysh në fillim po ju dëshiroj mirëseardhje dhe punë të mbarë.
Republika e Kosovës mburret me praninë e saj në Asamblenë e Frankofonisë.
Dashuria për kulturën franceze dhe gjuhën frënge ka qenë dhe do të mbetet e madhe në mesin e shoqërisë dhe të popullit tonë.
Në përfytyrimin tonë për qytetërimin dhe kulturën, është e paimagjinueshme bota pa Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarit, pa Enciklopedinë e Diderosë, guximin intelektual të Voltaire-it, letërsinë e Balzakut, Hygosë, Zolës, Mopasanit e Prustit, muzikën e Bizetsë, Debysisë, Satisë e Ravelit, pikturën e Cezaneit, Renoirit, Monesë e Chagalit, skulpturën e Rodosë, arkitekturën e Corbussier-it, shkencën dhe zbulimet e Paskalit, Laplace-it e Pasterit, alfabetin e Breillit, fotografinë e Nipces dhe kinemanë e Vëllezërve Lumiere.
Në një mënyrë a në tjetër, jetët tona individuale të secilit por edhe jeta e botës është pashmangshëm e lidhur me kulturën franceze dhe me gjuhën franceze.
Kur isha fëmijë, një nga librat e mi më të pëlqyer ishte padyshim “20 mijë mile nën Det” i Jules Verneit, e po ashtu edhe libri “Princi i Vogël” i Exupery-s, kurse kur e fillova fakultetin e Filozofisë, atje e kuptova që me Dekartin fillon filozofia moderne. Filozofia dhe mendimi i shek. XX po ashtu është i pakonceptueshëm pa Sartre-in e pa Camus-në, pa Deleuze-in, pa Foucault-në, pa Derridanë e pa shumë mendimtarë të tjerë të mëdhenj të shek. XX.
E të gjitha këto jo pse thjesht u shkruan në gjuhën frënge dhe si zbulime e si arritje u bënë e u krijuan nga francezët, por sepse brenda kësaj gjuhe, brenda kësaj shoqërie dhe këtij populli arritën të artikuloheshin idealet universale të kohës, në kulturë, në shkencë, në politikë dhe në qytetërimin tonë.
Por njerëzimi, ashtu që të jetë njerëzor, nuk është i mundshëm pa barazinë e gruas dhe të burrit. Prandaj më vjen mirë që Rrjeti i Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, përmes këtij seminari po e vë në spikamë barazinë gjinore, sepse pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore. Barazia njerëzore është abstrakte e bile edhe subversive nëse nuk e merr formën praktike e konkrete të barazisë gjinore. Aspekti bazik i qytetërimit është barazia e grave me burrat.
Kosova po bën veprime të shumta e po merr masa të vazhdueshme për ta luftuar pabarazinë.
Në vitin 2020 Kuvendi e miratoi Konventën e Stambollit, kurse vitin e kaluar u miratua edhe Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave. Plani e përfshin identifikimin dhe parandalimin e hershëm të dhunës, shërbimet mbështetëse për viktimat si dhe rritjen konkrete të qasjes së viktimave në sistemin e drejtësisë dhe në mekanizmat e tjerë mbrojtës. Pastaj rritjen e kapaciteteve për ndihmën juridike falas me fokus të viktimat e dhunës gjinore dhe forcimin e mekanizmave për kompensim. Po ashtu një qasje më proaktive dhe krijimin e programeve për riintegrimin social të viktimave të dhunës.
Përkundër të gjitha këtyre masave ligjore dhe institucionale, edhe plot fushatave të tjera vetëdijësuese, progresi është shumë i ngadalshëm, kurse rastet e dhunës në familje nuk kanë pësuar ndonjë rënie domethënëse. Prandaj nevojitet edhe më shumë përpjekje, edhe më shumë bashkim i forcave për t’i dalë në krye kësaj detyre.
Çdo veprim institucional i cili e rrit pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe çdo masë e cila e rrit barazinë gjinore dhe pavarësinë materiale e sociale të gruas, është i domosdoshëm dhe rruga jonë e vetme e drejtë.
Barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me Ministrinë e Brendshme dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Ajo ka të bëjë me çdo aspekt të jetës sonë, prej çerdheve, ku i çojmë fëmijet tanë, e deri te sjellja publike në funksion të krijimit të mundësive të barabarta dhe të një mjedisi social pa diskriminim gjinor.
Besoj që të gjitha këto tema e probleme do të diskutohen gjerësisht, thellësisht dhe profesionalisht në këtë seminar të çmuar. Ne jemi aleatë të fuqishëm në këtë betejë të rëndësishme e cila duhet të jetë betejë pa kompromise. Prandaj e keni përkrahjen time e të Kuvendit të Republikës së Kosovës për këtë kontribut të pazëvendësueshëm në drejtim të barazisë gjinore e të një botë pa diskriminim gjinor.
Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë, mirë se keni ardhur, sidomos mysafirëve, në Republikën e Kosovës. /Kosovatimes/