Shkruan: Bajram MJEKU
Si e njeh shqiptaro-amerikani Gani Perolli, ish-kryetarin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Xhafer Deva, i cili ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Mitrovica në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shqiptaro-amerikani, Gani Perolli është i lindur në vitit 1939 në Perollaj të Hasit të Shqipërisë dhe që nga viti 1956 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fati e deshi që ai për një kohë të jetonte në Boston të Shteteve të Bashkuara dhe të punonte e ta njihte për së afërmi ish-ministrin e Brendshëm, Xhafer Deva.
Këtë shkrim, gjithmonë sipas kujtimeve të mikut tim Gani Perolli e publikoj për një fakt; shumë nga kundërshtarët politikë të Xhafer Devës e prezentojnë atë si fashist, derisa kampi tjetër e prezenton herë si poliglot e herë si politikan i zoti, derisa e vërteta e madhe sipas Perollit ekziston midis dy ekstremeve. Jo vetëm Xhafer Deva midis shqiptarëve është personaliteti me dy biografi, gjithmonë i prezentuar sipas dëshirave, bindjeve ideologjike e veseve të njerëzve, pa e patur asnjëherë përgjegjësinë ndaj fjalës publike dhe të vërtetës historike, e cila na mungon aq shumë.
Ishin regjimet komuniste në Kosovë e Shqipëri, të cilët Xhafer Devën e trajtonin si fashist dhe njeri që ka bërë krime. Ishin pikërisht këto dy regjime, të cilat në fakt kanë kryer krimet më të rënda kundër bashkëkombësve të vet që nga Lufta e Dytë Botërore, madje edhe mbasi ra Muri i Berlinit në nëntor të vitit 1989.
Gani Perolli, i cili tash është në moshën 84 vjeçare, së bashku me familjen e tij jeton në New Jersey të Shteteve të Bashkuara, thotë se ka patur fatin të punojë së bashku me të dhe ta pres disa herë mysafir në familjen e tij ish-ministrin Deva sa ishin duke jetuar në Boston dhe ai kujton: “Për herë të parë me ministrin Xhafer Deva jam takuar më 6 nëntor të vitit 1956 në Aeroportin e Romës. Ishim nisur të shkonim si emigrant politikë drejt Shteteve të Bashkuara dhe fati e deshi që të mos ktheheshim kurrë më në atdhe. Bashkë me familjen tonë, për në Shtetet e Bashkuara udhëtonte edhe Xhafer Deva me bashkëshorten e tij me origjinë austriake Oswalda dhe fëmijët e saj. Së bashku me ne dhe për koincidencë për në Shtetet e Bashkuara udhëtonin me familjet e tyre edhe disa personalitete tjera shqiptare dhe me ndikim gjatë Luftës së Dytë Botërore si profesor Gaqo Goga nga Korça, i cili ishte përfaqësues i Lëvizjes së Legalitetit, pastaj prof. Miftar Spahia së bashku me familjen e tij, i cili po ashtu ishte përfaqësues i Legalitetit, pastaj Mark Shala nga Shkodra, i cili i takonte Bllokut Independent, një inxhinier shqiptar nga Maqedonia, të cilit asnjëherë nuk ia mësova emrin, si dhe Ramazan Qosja me familjen e tij. Së bashku me ne udhëtonin me familjet e tyre edhe Ismail Vërlaci e Ndue Gjomarkaj, po ashtu personalitete me ndikim. Derisa ishim duke pritur në ambientet e Aeroportit të Romës, Said Kryeziu, i cili më vonë u zgjodh nënkryetar i Komitetit “Shqipnija e Lirë”, na prezentoi me ministrin Deva dhe Saidi tha: ‘Ky është Hamit Perolli nga Hasi, biografinë e pastër të të cilit zor ta ketë ndonjë shqiptar tjetër dhe ky është djali i tij Gani Perolli’, derisa unë isha vetëm 17 vjeç.
Xhafer Deva kishte një shtat mesatar dhe ishte zeshkan nga pamja. Në fytyrën e tij ravijëzoheshin shumë rrudha që i ishin krijuar nga hallet e kohës dhe mbante syza. Pamja e tij të jepte ndesinë e një burri të moshuar, megjithëse atëbotë ai ishte vetëm pesëdhjetedy vjeç.
Në fakt, itinerari ynë i udhëtimit nuk ishte drejtpërdrejt në Shtetet e Bashkuara. Nga Aeroporti i Romës në fillim shkuam në Islandë, pastaj në Kanada dhe nga Kanadaja mbërrijtëm në New York. Nga New Yorku, familja ime dhe ajo e Xhafer Devës përfunduam në Boston dhe i gjithë grupi që udhëtuam nga Aeroporti i Romës u pajisëm me Kartën e Gjelbërt, i cili na e jipte statusin e banorit të përhershëm me të gjitha të drejtat përveç të drejtës për të votuar. Kartoni i Gjelbërt, nuk na e siguronte nënshtetësinë amerikane, pasi duhet të qëndrosh së paku pesë vite, derisa atë na e siguroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, David Eisenhower. Kjo Kartë vlente edhe për të gjithë emigrantët e Evropës Lindore.
Sapo u vendosëm në Boston, të nesërmen së bashku me Xhafer Devën kërkuam punë, pasi ekzistenca jonë materiale ishte në pikën zero. Shkuam në Hotel ‘Statler’ ndër më të njohurit e Bostonit dhe gjetëm punë. Në këtë hotel ishte menaxher shqiptaro-amerikani Vasil Carolli, i cili na punësoi dhe ishte veteran i Luftës së Dytë Botërore. Ai kishte miqësi të jashtëzakonshme me gjeneralin me nam David Eisenhower, i cili në këtë kohë ishte President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vasil Carolli kishte punuar në Shtabin e Luftës së gjeneralit Eisenhower gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Xhafer Deva ishte i heshtur për nga natyra dhe fliste rrallë. Pasion e kishte kuzhinën dhe për një kohë ka punuar si kuzhinier në Hotel Statler. Xhafer Deva fliste rrallë, dhe asnjëherë për të kaluarën e tij. Edhe kur fliste ndonjëherë, ankohej në Shqipërinë e kohës sa ishte ministër i Brendshëm, prandaj edhe e kamxhikoste…
Për Xhafer Devën është folur e shkruar shumë se kinse ka punuar për agjenci të ndryshme të inteligjencës, e në veçanti për CIA. Xhafer Deva nuk ka punuar asnjëherë për asnjë agjensi të inteligjencës dhe kur e ka themeluar organizatën e tij politike Lidhja e Prizrenit, si vazhdimësi e asaj që e kishte themeluar në vitin 1943, atë e trajtonte si klub politik. Këtë organizatë, më shumë e trajtonte si një vendtakim me emigrantët shqiptarë, pasi administrata amerikane ishte e kujdesshme në raste të këtilla, megjithëse edhe vet Deva ishte i kujdesshëm.
Është folur e shkruar se Xhafer Deva ishte poliglot i madh. Në fakt, Xhafer Deva i fliste dhe i shkruante bukur katër gjuhë të huaja si; gjermanishten, anglishten, turqishten dhe serbokroatishten, të cilat për mendimin tim mjaftonin për një personalitet. Është folur e shkruar po ashtu se Xhafer Deva ishte politikan i shquar, por për mendimin tim më shumë se politikan, Deva ishte praktik. Kur çdo fundjavë vinte në apartamentin tonë në Boston, pasi gruaja e tij dhe fëmijët gjatë kësaj kohe nuk jetonin së bashku me të në Boston dhe kur nana ime e gostiste me kafe, Xhafer Deva gjithmonë i drejtohej:
– Jo zonjë, shërbeju në fillim grave, pastaj mua, sepse nuk e meritojmë të shërbehemi të parët, sepse ne e humbëm luftën!
Me Xhafer Devën gjatë kohës sa ka qëndruar në Boston, jam takuar edhe në apartamentin e Destan Berishës nga Bilusha e Prizrenit në ‘126 Allen Street’ ku ishte edhe qendra e shqiptarëve në Amerikë, të cilët kishin ardhur mbas Luftës së Dytë Botërore. Destan Berisha ishte një burrë dinjitoz, i cili ka qenë pjesë e grupeve diversante që kanë zbarkuar në Shqipëri mbas Luftës së Dytë Botërore pë të rrëzuar regjimin komunist, por as Destani nuk ishte bashkëpunëtor i ndonjë agjensie të inteligjencës. Gjatë fundjavës kur takoheshim në apartamentin e Destan Berishës, Xhafer Deva i pasionuar pas kuzhinës na e përgatiste drekën. Gjatë kësaj kohe, Xhaferit sikur i shtohej oreksi për të folur për të kaluarën. Ai na tregonte ngjarje të ndryshme nga jeta e tij si ministër i Brendshëm, më saktë na rrëfente ndodhi të ndryshme në rajonin e Drenicës, Llapit, Shalës së Bajgorës dhe rajoneve tjera të Kosovës. Xhafer Deva nuk ishte mendjemadh. Ishte njeri i thjeshtë dhe shumë i durueshëm.
Megjithëse në Shqipëri nuk kishin patur raporte të mira në planin politik, Xhafer Deva e çmonte fort Said Kryeziun, i cili ishte edhe nënkryetar i Komitetit ‘Shqipnia e Lirë’, shef i të cilit ishte intelektuali i madh, Mit’hat Frashëri. Sa herë fliste për Said Kryeziun, Xhafer Deva thoshte se një personalitet të këtillë të dytë nuk i gjendej në Kosovë, derisa në Shqipëri mund të ketë ndonjë të këtillë, por që nuk theksonte ndonjë emër. Kur u themelua Komiteti ‘Shqipnia e Lirë’ në gusht të vitit 1949 në Paris, Xhafer Deva e kujtonte kështu takimin e tij me Said Kryeziun, derisa ishte mysafir në familjen tonë: ‘Pas themelimit të Komitetit ‘Shqipnia e Lirë’, shkova te Said Kryeziu dhe i thashë që aleatët e mi e kishin humbur luftën dhe aleatët e tij e kishin fituar. Nga sot e tutje, unë dhe ata që vijnë mbas meje jemi ushtarët tu. Derisa jemi në mërgim, jemi më shumë vëllezër se sa ushtarë e gjeneralë, por kurdo që kthehemi në atdhe, atëherë secili nga ne do të veprojmë sipas bindjeve dhe pikëpamjeve tona…’.
Foto: Ministri i Brendshëm, Xhafer Deva duke folur para Asamblesë Kombëtare, pas shpalljes së neutralitetit të Shqipërisë Etnike në vitin 1944.