Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka takuar shefin e kompanisë që prodhon dronët Bayraktar. Mehaj i cili po qëndron për vizitë në Turqi ka thënë se blerja e dronëve Bayraktar ka qenë njëri nga investimet më të mëdha që është bërë në ushtrinë e Kosovës.
“Blerja e dronëve Bayraktar ka qenë njëri nga investimet më të mëdha që kemi bërë në ushtrinë tonë në vitin e fundit, falë përkushtimit të qeverisë sonë dhe prioriteteve tona si Ministri e Mbrojtjes”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai ka shtuar se pajisjet e ushtrisë për qëllime të mbrojtjes, do të vazhdojnë të jenë prioritet në suaza të standardeve të NATO-s.
“Për të falënderuar për bashkëpunimin parimor dhe të besueshëm si dhe për të parë fusha tjera në të cilat mund të ngrisim kapacitetet tona mbrojtëse, kam takuar shefin e kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar. Pajisjet e ushtrisë tonë për qëllime të mbrojtjes, do të vazhdojnë të jenë prioritet i yni në suaza të standardeve të NATO-s”, ka shkruar tutje Mehaj.