Artistja me origjinë ruse, Yulia Belomlinskaya, dhe vajza e saj, Polina, po ecnin në rrugët e qytetit të Odesës kur atyre iu afruan nga dy gra ukrainase që i kishin dëgjuar të flisnin rusisht.
Sipas Belomlinskayas, njëra nga gratë iu tha: “Duam që ju të dini se ne ju duam. Mos mendoni se ne ju urrejmë”.
Belomlinskaya u befasua nga ajo që i thanë, veçanërisht në kohën kur Ukraina po përballet me pushtimin rus dhe vetë qyteti i Odesës kishte qenë cak i sulmeve ajrore të përditshme për gati një javë.
Ajo i pyeti gratë se si mund të ndiheshin kështu, kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po e bombardonte qytetin e tyre.
Gruaja i ishte përgjigjur duke thënë se nuk po flet për Putinin, por për rusët në përgjithësi.
“Ne duam që gjërat të jenë mirë edhe për ju “, tha gruaja, sipas Belomlinskayas.
“Ajo frazë — ‘Ne duam që gjërat të jenë mirë edhe për ju’ — më tronditi plotësisht”, tha Belomlinskaya për Radion Evropa e Lirë. “Këto plaka inteligjente donin sinqerisht që Rusia të ishte njësoj si Ukraina. Ato donin që ne të shëronim vendin tonë dhe të kishim presidentë të mirë dhe të këqij, por që ata të ndryshonin çdo pesë vjet”.
Që nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Moska në shkurt të vitit 2022, Odesa ka qenë në shënjestër të herëpashershme nga forcat ruse.
Sidomos, duke filluar nga 18 korriku, qyteti është përballur me sulme gjatë natës me raketa dhe dronë, pasi Moska vuri në shënjestër kapacitetin e Ukrainës për të eksportuar grurë, pasi braktisi një marrëveshje që parashihte transportin e sigurt të grurit përmes Detit të Zi dhe në tregjet botërore.
Që nga 24 korriku, zyrtarët ukrainas raportuan se rreth 25 ndërtesa historike në qytet, përfshirë Katedralen Ortodokse, kishin pësuar dëmtime ose ishin shkatërruar plotësisht për shkak të sulmeve.
Belomlinskaya ka shkruar për sulmet dhe reagimet ndaj tyre në Facebook.
“Pas çdo shpërthimi, ndërtesa dridhet”, tha ajo në një video të postuar në orët e para të 23 korrikut. “Dhe pastaj ka përsëri heshtje, por ju e dini se nuk do të zgjasë shumë. Ju mendoni, çfarë duhet të bëj tani para se të fillojnë të bien më shumë raketa?”.
Në një qytet që dikur ishte ndër qytetet ukrainase më miqësore me Rusinë, gratë që i folën Belomlinskayas tani po bëhen të rralla, duke pasur parasysh pushtimin e fundit rus.
Odesa ka lidhje të forta historike dhe kulturore me Rusinë, duke përfshirë figura si Katerina e Madhe, Leo Tolstoi dhe Anna Akhmatova.
Belomlinskaya përmendi se kur u transferua në Odesa në vitin 2015, ajo kërkoi të ashtuquajturit “Banderitët” (nacionalistët ukrainas të ekstremit të djathtë) dhe “fashistët”, siç portretizoheshin nga propagandistët rusë, por nuk gjeti asnjë.
Ajo u befasua kur pa se të gjitha tabelat në qytet ishin në rusisht dhe pyeti veten se ku ishte “ukrainizimi” për të cilin kishte dëgjuar.
Këtë ajo ua përcolli miqve të saj në Shën Petersburg.
Në një video të shpërndarë në Telegram më 23 korrik, kryebashkiaku i Odesës, Hennadiy Trukhanov, i cili dikur shihej si pro-rus, kritikoi ashpër sulmet e fundit dhe theksoi se si ato kishin ndryshuar opinionin publik në qytet.
Ai shprehu pakënaqësinë e thellë të Odesës ndaj veprimeve të forcave ruse, veçanërisht në shënjestrimin e fëmijëve dhe kishave ortodokse.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt publikut rus, ai theksoi se ata nuk e kanë kuptuar mirë Odesën dhe tha: “Nuk do të na thyeni, por vetëm do të na zemëroni më shumë”.
“Jemi të gjithë qytetarë të Odesës”
E lindur në Leningrad, tani Shën Petersburg, në vitin 1960, Belomlinskaya është poete, kostumografe, këngëtare dhe aktore, dhe i referohet vetes si një “personalitet i talentuar gjerësisht”.
Edukimi i saj u ndikua nga prindërit e saj, pasi nënën e kishte shkrimtare dhe të atin artist.
Në vitin 1989, ajo u zhvendos me prindërit e saj në Shtetet e Bashkuara, por në vitin 2001 u kthye në Rusi. Që atëherë, ajo ka botuar disa libra dhe ka ndjekur një karrierë si këngëtare.
Rrënjët e saj familjare, megjithatë, arrijnë në Ukrainën jugore. Stërgjyshi i saj nga ana e nënës ishte një zdrukthëtar i talentuar, i cili nga Odesa ishte zhvendosur në kryeqytetin perandorak, Shën Petersburg.
“Për herë të parë vizitova Odesën në vitin 1982”, tha Belomlinskaya. “Odesa më magjepsi. Ky qytet nuk njeh asnjë autoritet dhe me të vërtetë e konsideron veten marina e botës”, tha ajo.
“Odesa është e pakrahasueshme”, vazhdoi ajo. “Një qytet ëndrrash që ka gjithçka. Imagjinoni Shën Petersburgun në brigjet e Detit të Zi”.
Në vitin 2015, ajo u transferua përgjithmonë në Odesa.
Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, Belomlinskaya e gjeti veten në një realitet të ri të tmerrshëm. Teksa miqtë e saj rusë dërguan mesazhe si “Mos u shqetëso, ne po vijmë për ty”, ajo u përgjigjej: “Unë do t’ju mirëpres me një koktej molotovi. Kjo është shtëpia ime dhe po bombardohet”.
Para pushtimit, Belomlinskaya e perceptonte veten si një “shkrimtare nga veriu” në Odesa, e ngjashme me një shkrimtar emigrant si Tomas Mann. Megjithatë, në vazhdën e pushtimit, ndjenja e saj e identitetit u transformua dhe ajo filloi të ndjente një lidhje të fortë me qytetin, duke e konsideruar veten dhe të tjerët si qytetarë të vërtetë të Odesës.
Sa i përket gjuhës, tregoi se të gjithë vendasit e Odesës janë dygjuhësh.
Brezi i vjetër është i prirë të komunikojë kryesisht në rusisht, ndërsa të rinjtë kanë përqafuar gjuhën ukrainase si gjuhën e tyre të zgjedhur.
“Ata kanë nevojë që të gjithë t’ua kenë frikën”
Belomlinskaya tha se përfshirja në biseda me rusët që mbështesin agresionin e Putinit është e kotë, duke e përshkruar atë si “vetëm dhimbje dhe çmenduri”.
Sipas saj, vendi i saj aktualisht qeveriset nga “fëmijët e nomenklaturës sovjetike”, të cilëve u mungon vizioni për një komb demokratik dhe federal.
“Ata kanë nevojë për një Car që ulet ne fron, i trashëguar nga djali i tij, që sundojnë përmes frikësimit”, tha ajo.
Belomlinskaya deklaroi me vendosmëri se si ukrainasit në përgjithësi, por banorët e Odesës në veçanti, nuk do t’i nënshtrohen kurrë një të ardhmeje të tillë.
“Dhe, Putini mendoj se e di këtë”, tha ajo. “Kjo është arsyeja pse ata na bombardojnë çdo natë”.