Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka realizuar një vizitë në qytetin e Istogut. Nga aty ajo është lidhur drejtpërdrejtë me ndjekësit e saj në facebook, duke qenë prezente afër Burimit të Istogut ajo ka promovuar bukuritë natyrore të kësaj ane.
“Po vazhdojmë me ciklin e vizitave nëpër komunat e Kosovës, sot do të kemi një agjendë të ngjeshur përkundër vapës së madhe. Por siç po e shihni bjeshkët e jashtëzakonshme, uji i Burimit të Istogut që po ndihet këtu e krijojnë një freski dhe i japin kësaj komune disa prej bukurive të jashtëzakonshme natyrore”, ka thënë Presidentja në video.
Osmani ka njoftuar se do të qëndrojë në këtë qytet, teksa do të ketë takime me kryetarin e kësaj Komune, Ilir Ferati, me banorët e fshatrave, komunitete jo-shumicë dhe biznese të ndryshme.
“Duhet të sigurohemi që i mbështesim me projekte të rëndësishme që edhe njerëzit anë e kënd botës të arrijnë t’i shohin bukuritë natyrore të Kosovës. Do t’ju informojmë për rezultatet e takimeve dhe natyrisht mbi të gjitha mezi presim t’i takojmë qytetarët e Istogut”, ka deklaruar Osmani në video.
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/videos/855751932131551/