Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se në vitin 2020 ndodhi “për herë të parë në histori ndryshimi demokratik” i Qeverisë në këtë vend.
Procesi i ndryshimit demokratik në Mal të Zi, siç tha ai, u kompletua nga triumfi i tij në zgjedhjet presidenciale.
Presidenti malazez foli në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (KPJPE), ku nënvizoi se “regjimit të kaluar i mungoi vullneti politik” për ndryshime në procesin e pranimit në Bashkim Evropian (BE).
Ai tha se, pas këtyre ndryshimeve, Mali i Zi tani e ka një gjeneratë të re politikanësh të cilët janë “vërtet evropianë”, dhe jo “evropianë të cilët bënë kompromise të rreme”.
“Mbase 10, 12, apo pesë vjet më parë kishte stabilitet, stabilitet politik, dhe institucione, por ishte diçka si ‘fshati polemakin’”, tha Milatoviq në KPJPE, duke e përdorur këtë term për ta përshkruar mbulimin e realitetit të padëshirueshëm.
“Ato institucione ekzistuan vetëm në letër. Ndryshimet reale po ndodhin tani”, theksoi kreu i shtetit malazez.
Milatoviq beson se pas ndryshimit të qeverisë, Mali i Zi e ka një prokuror të mirëfilltë, i cili merret me procese të rëndësishme në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar, kundër njerëzve të cilët “ishin pjesë të krimit dhe korrupsionit”.
Ai shprehu besimin se në mbledhjen e radhës, Parlamenti i Malit të Zi do të shfaqë forca demokratike pro-evropiane, dhe njoftoi për formimin e Qeverisë në javët në vijim.
Marrëdhëniet me Serbinë
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të Parlamentit Evropian në lidhje me marrëdhëniet me Beogradin zyrtar, Milatoviq tha se Serbia është partner i rëndësishëm ekonomik për Malin e Zi.
“Natyrisht, është racionale të kesh marrëdhënie normale politike me partnerin tonë më të madh ekonomik”, tha Milatoviq.
Duke iu referuar vizitës në Beograd, ai konfirmoi se kishte biseduar për nevojën e emërimit të një ambasadori, organizimin e takimeve të përbashkëta mes dy qeverive dhe pikë kalime të përbashkëta kufitare.
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Milatoviq beson se Mali i Zi nuk ka telashe të hapura serioze me vendet fqinje, por e pranoi se kjo gjendje “është trashëgimi nga regjimi i kaluar”.
Rreth Ballkanit të Hapur
Presidentit të Malit të Zi iu kërkua të komentojë edhe rreth Ballkanit të Hapur.
Ai theksoi se për të prioritet është procesi i Berlinit, dhe rikujtoi se e kishte thënë këtë gjë edhe gjatë inaugurimit si president.
Ballkani i Hapur, thotë Milatoviq, shërbeu për ta “ringjallur” procesin e Berlinit, i cili në një çast kishte ngecur për shkak të largimit të kancelares gjermane Angela Merkel, dhe se, sipas tij, ajo është “gjëja e vetme e mirë që e bëri ai”.
Lider në përgjumje
Mali i Zi cilësohet si lider në procesin e anëtarësimit në BE. Ky vend ka qenë kandidat që nga viti 2010, dhe më 2012 i hapi bisedimet për anëtarësim me Brukselin.
I hapi të gjithë kapitujt e procesit të anëtarësimit, por i mbylli përkohësisht vetëm tre kapituj.
Pavarësisht faktit se vlerësohet si vendi më i avancuar në bisedimet për anëtarësim, që nga viti 2012, Mali i Zi nuk e ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare (që është brenda kornizës së bisedimeve për anëtarësim), për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në procesin e reformave, që është hap shumë i nevojshëm për të shënuar përparim në bisedimet për anëtarësim.
Presidenti i Malit të Zi premtoi rezultate “agresive” në procesin e reformave dhe nguli këmbë se është reale të pritet që vendi i tij të anëtarësohet në BE në vitin 2027 apo 2028.
Ai i kërkoi Komisionit Evropian ta shtyjë publikimin e raportit të progresit, në mënyrë që Mali i Zi të ketë kohë për të dëshmuar rezultate pozitive.
Raporti për vendet në procesin e integrimit në BE publikohet nga Komisioni Evropian çdo vit në tetor.