Kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë sonte në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së në Athinë, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Sipas agjencisë greke të lajmeve “Amna” në këtë darkë joformale do të diskutohet mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit dhe rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit për paqe dhe sigurinë energjetike në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Mitsotakis. Pjesë e kësaj darke krahas kryeministrit Kurti do të jenë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, ai serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacheski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Borjana Kristo, kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, ai i Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe ai i Rumanisë Ion-Marsel Ciolacu.
Ndërkohë, të martën në orën 10:45 është paraparë takimi dypalësh mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe kryeministrit Albin Kurti. Do theksuar se deri më tash nga zyra e kryeministrit nuk është konfirmuar ende kjo vizitë e Kurtit për në Greqi.