“Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”, ka njoftuar ASHSH.

Beci ka qenë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

Homazhet për Becin do të mbahen ditën e martë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Bahri Beci lind në Shkodër më 28 shkurt 1936, ndërsa ndërroi jetë ditën e djeshme në Paris në moshën 87 vjeçare.