Serbia është i vetmi vend në Evropë që gjithmonë mbështet politikën e një Kine edhe nën presionin e jashtëm politik, raporton RIA Novosti deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të bërë gjatë qëndrimit të tij në Pekin.
Mediat ruse kujtojnë se Vuçiq ndodhet në Kinë, ku po merr pjesë në Samitin Brez dhe Rrugë. Të martën, ai zhvilloi bisedime dypalëshe me presidentin kinez Xi Jinping.
“Më duhet të them se vendi ynë, në kushtet e presionit të madh ndaj Republikës së Serbisë, është i vetmi në Evropë që nuk i është bashkuar asnjëherë deklaratave që kritikojnë dhe dënojnë Kinën për asnjë çështje. Dhe kur bëhet fjalë për Hong Kongun, Tibetin, Xinjiangin, Tajvanin apo ndonjë tjetër, ne kemi qenë gjithmonë në anën e Kinës, politikës së një Kine dhe kështu do të mbetet”, raporton RIA Novosti.
Lideri serb në veçanti theksoi rëndësinë e mbështetjes së Pekinit për Beogradin për çështjen e Kosovës dhe ftoi edhe një herë Xi Jinping të vizitojë Serbinë dhe e falënderoi për ndihmën e autoriteteve dhe kompanive kineze në zhvillimin e vendit.
Delegacionet e Serbisë dhe Kinës nënshkruan të martën një marrëveshje për tregti pa taksa, raportojnë mediat ruse. Para kësaj, autoritetet serbe dhe kompanitë kineze nënshkruan kontrata komerciale për ndërtimin e infrastrukturës së trafikut dhe blerjen e trenave të shpejtë në vlerë mbi 3.5 miliardë euro, prej të cilave çmimi i trenave është 54 milionë euro.
Presidenti i Serbisë, tregojnë ata, më parë tha se pret që lideri rus Vladimir Putin të marrë pjesë në Samitin e Brezit dhe Rrugës në Kinë në tetor, por nuk planifikon një takim dypalësh me të.
Ata gjithashtu theksojnë se presidenti i entitetit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha se shpreson të ketë takime me Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping këtë vit.