Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, në konferencë për media me organizatorët e tjerë ka treguar detaje të edicionit të parë.
Krasta ka thënë se ky organizim vjen si festë, ndërkaq ka bërë publike emrat e jurisë profesionale. Ai ka pohuar mbështetjen e “Euro Song” dhe EBU-së për organizimin e këtij festivali, teksa ka dhënë detaje të transformimit të sallës.
Krasta shpalos jurinë e Festivalit të Këngës
“Juria e festivalit kthen në skenën televizive dhe jo vetëm, një prej artisteve më në zë të Kosovës e Shqipërisë, Alma Bektashi. Ajo jo vetëm që kthehet si kryetare e jurisë, por do të vij me një performancë artistike që neve na jep gëzim sa herë që e shohim në prova”, ka thënë Krasta gjatë prezantimit të jurisë.
Në juri është edhe një prej emrave që ka përfaqësuar Suedinë në ‘Eurovision’, Ulja Sjostrom.
“Në juri është një nga personazhet më të rëndësishme të ‘Eurovisionit’ dhe fitoreve të Suedisë, një drejtuese e një prej organizimeve më të rëndësishëm muzikor atje, Ulja Sjostrom, e cila ka një depërtueshmëri shumë të lartë të jetës muzikore të Suedisë”, ka thënë Krasta.
Anëtarët e tjerë të jurisë do të jenë këngëtari Alban Nimani, kompozitori nga Tirana, Adi Hila dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj.
“Kënga fituese e festivalit do të marrë një kupë, që është një punim që e kam shumë për zemër dhe që quhet në të folurën tonë ‘diamanti blu’ e cila është Kosova që shkëlqen. Fituesi ndryshe nga festivalet e tjera do të marrë një dhuratë të konsiderueshme, që është një medaljon, një shqiponjë e flamurit të shqiptarëve që ka 500 diamante”, ka treguar Krasta.
Kupa është dizajnuar nga dy punonjëset e RTK-së, skenografet Zana Ramadani dhe Arbenita Shala.
Festivali i Këngës në RTK është rezultat i një memorandumi të nënshkruar në shkurt të këtij viti nga kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, i cili parasheh mbështetje për organizmin e festivalit edhe për dy vite të tjera.
Realizimit të festivalit i ka paraprirë një punë disa mujore e angazhimit të strukturës drejtuese të RTK-së, Bordit dhe menaxhmentit të cilët juridikisht kanë ndërtuar themelet e festivalit, ndër të tjera duke e krijuar rregullativën e nevojshme.
‘Euro Song’ dhe EBU të lumtur që Kosova e ka Festivalin e Këngës
(E përditësuar, ora 12:42) Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta në konferencë ka thënë se Festivali i Këngës po vjen si festë. Ka pohuar se kanë marrë mbështetjen pozitive për organizim nga “Euro Song” dhe European Broadcasting Union.
“Ne kemi këmbëngulur që Festivali i parë i këngës të bëhet në mes të Prishtinës, kryeqytetit e shtetit, që ai të jetë një festë e madhe siç do të jetë. Festivali i parë jo domosdoshmërisht është i lidhur me garën edhe pse gara është mekanizëm që përdoret për ta bërë më interesante nga pikëpamja e konkurrimit njerëzor”, ka thënë Krasta.
Ai e ka çmuar këtë Festival si ngjarjen më të rëndësishme e karrierës së tij, teksa ka shtuar se netët e festivalit do të transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, Radio Televizionin e Shqipërisë dhe Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.
“Drejtori i ‘Euro Song’ dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë festivalin e vet të këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta.
Prezantuesja e njërës prej netëve të Festivalit, këngëtarja Anjeza Shahini në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra ka thënë se ky është moment i rëndësishëm për muzikën shqiptare.
“Ndjehem e nderuar që marrë pjesë sado pak në këtë Festival historik, i cili do të jetë jo vetëm shumë i rëndësishëm për muzikën shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë, por edhe për publikun që uroj ta bëjnë pjesë të kalendarit , çdo tetor ta gëzojë sa më shumë me art e muzikë”, ka thënë Anjeza Shahini.
Krasta tregon detaje të sallës dhe të ardhmes së Festivalit, falenderon menaxhmentin e RTK-së
Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta ka uruar që ky organizim të zgjasë për shumë vjet dhe se destinimi i tij është festë për jetën kulturore të Kosovës çdo tetor.
Ai ka përmendur se në rrugëtimin organizues ka pasur mbështetjen e menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës.
“Unë dua të besoj që Festivali do të zgjas, që atë ta shohin edhe fëmijët që s’kanë lindur akoma. Festivali t’i takoj jetës kulturore të Kosovës, që çdo fund tetori të jetë një gëzim për qytetin”, ka thënë ai.
Drejtori tutje ka dhënë detaje të Sallës, e cila dikur nga destinimi i një hapësire të braktisur dhe të djegur, tashmë është shndërruar në adresë fizike për tre netët e festivalit.
“Në sallë kanë ndodhur ndryshime esenciale, kanë dal më shumë se 110 kamiona me bërllog. Shkallët e Pallatit janë larë me ujë me presion për tre ditë rresht dhe bloza që është nxjerrë nga andej tregonte se çka i ndodhur kësaj salle 20 vjet më parë. Ne kemi marrë të gjitha masat që salla të jetë e sigurtë, është ndërtuar një skenë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Krasta ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj menaxhmentit të RTK-së, për të cilët tha se e kanë ndjerë Festivalin e Këngës po njësoj sikurse ai vet.
“Radio Televizioni i Kosovës po ndërmerr një hap shumë të rëndësishëm, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kolegët e tjerë e kanë marrë festivalin me shumë pasion, ata e kanë parë me të njëjtin këndvështrim siç e kam marrë unë. Ka qenë e pamundur për grupin që po punon, ta bëjë Festivalin pavarësisht nga dëshira jonë, nëse struktura menaxhuese nuk do ta ndjenin këtë festival me të njëjtin këndvështrim dhe pasion. Puna jonë ende s’ka filluar”, ka thënë drejtori i festivalit në konferencë për media.
Boshnjaku: Për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’
(E përditësuar) Drejtori artistik i Festivalit të Këngës i cili është marrë me çdo detaj muzikor e artistik të organizimit, Florent Boshnjaku, ka thënë se për këtë festë kanë punuar një ‘ushtri artistike’.
“Vet fjala Festival është festë, e kemi cekur nga momenti i parë kur jam bërë pjesë. Është me të vërtetë një sipërmarrje e madhe që kanë punuar. Personalisht kam kërkuar qe sa vite me u mbajt ky festival sepse Kosova ka vite që s’ka diçka të tillë. Duhet me ardh edhe një moment tjetër që jo veç platforma e ‘Euro Song’ por edhe platformat tjera muzikore të cilat munden me u ndërlidh me Festivalin, munden me u përdor në të ardhmen edhe për këngëtarë që janë brenda tregut muzikor, por sidomos për këngëtarët e rinj, që në të ardhmen ta zhvillojnë një bashkëpunim më të madh”, ka thënë Boshnjaku.
Nëpërmjet këtij Festivali, drejtori artistik ka thënë se jepet edhe një herë mesazhi urgjent për krijimin e një salle koncertale në Prishtinë.
“Kemi punuar mjaftueshëm që të sjellim një punë cilësore, është një ekip e madhe prapa Festivalit, është një ushtri artistike për çdo punë që po bëhet nga RTK. Pritshmëria e të gjithëve mund të jetë e lartë ose jo, por vet fakti që ne po e fillojmë në një sallë e cila ka qenë e djegur qesa vite, mendoj se ky është një alarm që Prishtinës i duhet një sallë për ngjarje të tilla të mëdha. Shpresoj që edhe ky Festival të jetë një nismë për sallën koncertale të Prishtinës”, ka thënë Florent Boshnjaku.
Reshitaj: Edicioni i parë do të hyjë në histori
Këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj e cila është prezantuesja e natës së tretë ka thënë se edicioni i parë do të hyj në histori.
“Festivalet e para gjithmonë mbeten përpjekjet më të guximshme dhe të rëndësishme të krijimeve artistike të një vendi. Uroj që festivali të ketë shumë vite, por festivali i parë do të mbes historik dhe kjo na bën secilin të ndjehemi shumë krenar”, ka thënë Reshitaj.
Edhe Besim Dina, prezantuesi kryesor në krahë të Krastës, ka folur në konferencë për media. “Me Adi Krastën kemi me vërtetu dhe demantu që shqiptari i Kosovës me shqiptarin e Shqipërisë nuk munden me bashkëpunu”, ka thënë me humor Besim Dina.
Nis konferenca e Festivalit të Këngës, shpalosen detaje të organizimit
Ka nisur konferenca për media e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës.
Organizatorët në krye me drejtorin Adri Krasta e drejtorin artistik Florent Boshnjaku, bashkë me moderatorët Besim Dina e Edona Reshitaj po shpalosin detaje për edicionin e parë të festivalit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra do të jetë edhe këngëtarja e prezantuesja, Anjeza Shahini. Tri netët e festivalit nga 26 e deri më 28 tetor do të transmetohen live në Radio Kosovë dhe Televizionin e Kosovës.