Liderët e BE-së të enjten nuk arritën të bindin Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë një përparim në përpjekjen afatgjatë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve ballkanike, shkruan France 24.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq zhvilluan bisedime të ndara me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Bruksel.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borel, tha se është vënë në tryezë një propozim për të tejkaluar pengesën kyçe në lidhje me themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Fatkeqësisht, raporton portali francez , “asnjëra palë nuk ishte e gatshme të merrej vesh për këtë, pa parakushte të papranueshme për palën tjetër”. “Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje,” shtoi Borel.
“Përkundër kësaj oferte bujare të kryeministrit Kurti, presidenti serb Vuçiq ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën”, thuhet në kabinetin e Kurtit.
Vuçiq nga ana e tij tha se është “i gatshëm të nënshkruajë çfarë të duash, përveç pranisë së Kosovës në OKB dhe çështjes së pavarësisë së Kosovës”.
PBS News Hour raporton se bisedimet u ndërprenë të enjten pa asnjë shenjë përparimi.
“Menjëherë pasi një seri takimesh në Bruksel përfundoi të enjten në mbrëmje – disa ku përfshiheshin liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë – kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq filluan të këmbejnë fajin për mungesën e progresit, siç kanë bërë me muaj të tërë. ”, shkruan portali.
Dy politikanët nuk kanë besim të thellë tek njëri-tjetri, shtoi ai.“Pranimi nënkupton nënshkrim dhe vetë nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatimin”, tha Kurti në një deklaratë.Vuçiq e hodhi poshtë pretendimin si “mashtrime”, duke thënë se “nuk është folur për nënshkrim apo mosnënshkrim”.“Dikush po bën lojëra për t’ia hedhur fajin palës tjetër”, tha presidenti serb.
Anadolu Agency thekson gjithashtu se Serbia dhe Kosova nuk arritën të bëjnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve në bisedimet e së enjtes në Bruksel.
Vuçiq u tha gazetarëve pas takimit se Serbia dëshiron që të gjitha marrëveshjet me Kosovën të zbatohen, por se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Ne duam paqe në të gjithë rajonin dhe do të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi në këtë drejtim”, tha ai.
Ai shtoi se do të bëjnë të pamundurën për t’i treguar botës se sa seriozë janë dhe kush e meriton besimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Kurti në deklaratë ka thënë se Vuçiq ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën.
Bloomberg raporton se Serbisë dhe Kosovës iu tha të zbusin tensionet në rritje gjatë një takimi me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Por takimi i së enjtes dështoi të prodhojë një përparim në një plan për t’u dhënë serbëve të Kosovës një shkallë autonomie, një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen, tha zëdhënësi i tij, duke shtuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq refuzoi.
Vuçiq nga ana e tij tha se Serbia mund ta pranojë atë marrëveshje. “Është një bazë shumë e mirë”, u tha ai gazetarëve, “por ne kemi rezerva për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe pavarësinë e Kosovës”.