(E plotësuar, ora 12:20 ) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka rifilluar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjergj Dedaj sot në Hagë flet për dëshmitë e mëhershme: S’kam qenë normal
Dedaj ka thënë të hënën para Dhomave të Specializuara se në shumicën e dëshmive nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.
“Në 90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë”, ka thënë Dedaj.
Ai ka shtuar se ishte ndaluar në 1998-n në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.
Gjatë disa pyetjeve të ZPS-së, Dedaj është ankuar se shumë ngjarje të periudhës së 1998-s i ka harruar.
Gjatë dëshmisë së tij, ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka përshkruan raportet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka pasur me partitë politike shqiptare në Prishtinë gjatë kohës së luftës.
Dedaj ka deklaruar se forcat politike në Prishtinë e kanë shikuar me xhelozi UÇK-në.
“UÇK-ja që nga shfaqja e saj e parë publike me 28 nëntor ’97 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë domethënë është shikuar me rezervë, por ajo filloi të rritej, të hapej dhe të gëzonte respekt gjithë andej Kosovës dhe forcat politike në Prishtinë e kemi shiku me xhelozi”, ka deklaruar Dedaj.
I pyetur se a ka pasur tensione në mes UÇK-së dhe forcës politike në Prishtinë, Dedaj ka deklaruar se ka pasur moskordinim.
“Moskordinim ka pas, mos informim dhe të flas për udhëheqje politike, partitë politike në Prishtinë e kanë shiku me droje dhe me shumë shqetësim shfaqjen e UÇK-së, kësaj guerile që në fakt doli ta bëjë realitet lirinë e Kosovës. Ka pas edhe individë në parti që kanë bërë dezinformuata kundër UÇK-së dhe unë kam pas dëshirë që të shkojë vetë në ato zona duke rreziku jetën tonë”, ka theksuar ai.
Dedaj ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i UÇK-së pasi sipas tij, jo të gjithë kanë pasur guxim.
“Nuk kam qenë sepse nuk kemi pasur të gjithë atë guxim, atë nder dhe atë privilegj me qenë anëtar të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës”, ka theksuar Dedaj.
Gjatë dëshmisë së tij, Dedaj ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe asnjëherë nuk do të jetë.
Dedaj: UÇK-ja bëri realitet çlirimin e Kosovës
(E plotësuar, ora 10:25) Gjergj Dedaj, para Speciales ka thënë se ka organizuar shumë protesta kundër pushtetit gjenocidal të Serbisë, vetëm e vetëm që të sensibilizojë çështjen e Kosovës.
Ai është pyetur se rreth vizitës në shtatorin e vitit 1998 që i ka bërë zonave të luftës. Dedaj ka bërë të diture ka vizituar disa pjesë që kanë qenë nën dhunën sistematike të forcave kriminale të Serbisë. Dedaj tha se UÇK-ja bëri realitet çlirimin e Kosovës.
Gjergj Dedaj, tha se ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova është themelues i platformës së shtetit të Kosovës, ndërsa lideri i më vonshëm Hashim Thaçi e përmbylli procesin e Pavarësisë së Kosovës.
Në fjalën hyrëse, Dedaj ka thënë se gjatë luftës, Serbia ia kishte vrarë 12 anëtarë të familjes. “Serbia m’i ka vrarë 12 anëtarë të familjes, prej tyre dy të mitur, Nikollën 15-vjeçar dhe Lindonin 14-vjeçar”, ka thënë ai.
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj,ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë,ka filluar gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve. Seanca po mbahet në sesion privat.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.
Ndryshe dëshmitari i fundit që ka dëshmuar ka qenë Predrag Dediq.
Dëshmitari Predrag Dediq kishte pohuar se djali i tij Bobani ishte 37-vjeçar dhe rezervist në ushtri, në kohën kur ishte rrëmbyer.
Ndryshe me 5 nëntor janë bërë 3 vjet nga arrestimi i ish udhëheqësve të UÇK-së, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Megjithatë procesi gjyqësor është ende në periudhën fillestare, raporton RTKlive.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.
Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).
ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet. Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022.
Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.
Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje