Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar ekipin e tij qeverisës për punën e bërë në 2/3 e mandatit. Por, ka thënë se ende ka punë për t’u bërë.
Në fjalimin para kabinetit qeveritar, kryeministri i vendit Albinb Kurti ka deklaruar se “datat si këto shërbejnë si moment kujtimi çfarë kemi bërë si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”. Kryeministri Kurti i ka folur për punët e mira të kryera gjatë qeverisjes së tij.
“Nesër bëhen 32 muaj që nga dita e parë e qeverisjes tonë apo 2/3 e mandatit katër vjeçar. Janë data si këto që na shërbejnë si moment reflektimi mbi atë që kemi arritur si ekip, por edhe për të kujtuar se koha për t’i përmbushur zotimet e respektuar pritjet e qytetarëve sa vjen e pakohet”, tha Kurti para kabinetit qeverisës.
Kreu i ekzekutivit në mbledhje ka folur edhe për veriun. Ai ka thënë se janë mbyllur shumë rrugë ilegale që përdoreshin për kontrabandë.
“Në katër komunat tona në veri, ka më shumë qetësi e siguri për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai, duke thënë se janë bërë mbi 2 mijë e 100 konvertime të targave ilegale në RKS. Sipas tij, është rritur interesimi i serbëve për pasaporta të Kosovës.
Kuri e ka lavdëruar përballjen me pandeminë, duke përmendur vaksinimin.
“Në përballje me pandeminë COVID-19, kur Kosova nuk kishte asnjë vaksinë dhe kishte mbetur e fundit dhe e vetmja në rajon që nuk kishte filluar vaksinimin brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tonë siguruam mbi 2 milionë vaksina. Tetë muaj pas imunizuam 60% të popullsisë së rritur siç kishim premtuar, dhe nga të fundit në rajon u bëmë vendi i parë në Ballkan për nga shkalla e vaksinimit të popullatës”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri ka përmendur si punë të kryer shpërndarjen e të hyrave tatimore te qytetarët përballë inflacionit dhe krizën energjetike, por jo vetëm. Ai ka thënë se Qeveria e tij ka mbështetur studentët, familjet në nevojë, pensionistët e zyrtarët publikë.
“Mbështetem subvencionimin e tarifave të energjisë, faturave të energjisë elektrike. Mbështetem studentët, familjet në nevojë, pensionistët e zyrtarët publikë, punësimin e të rinjve etj. Arsimin publik të lartë e kemi bërë falas, 43 mijë studentë ndjekin studimet e tyre në nivelin bachelor dhe master si e drejtë që ju takon e jo si shërbim për të cilin duhet paguar”, ka deklaruar ai.
Ai ka përmendur edhe punësimin e të rinjve e subvencionimin e rrogave. Kurti ka thënë se nënat lenona për herë të parë marrin mjete, ndërsa ka shtuar se mbi 387 mijë fëmijë marrin shtesa. Është lavdëruar për rritjen e buxhetit për ushtrinë, përkrahjen për bujqit e organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjit për Letërnjoftim. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me miratimin e këtij projektligji, tash qytetarët e Kosovës mund të pajisen me letërnjoftim qysh nga lindja. Kjo sipas tij, nuk është obligative.
“Ky projektligj përcakton kushtet, procedurat, organin kompetent për lëshimin, kushte për përdorimin e letërnjoftimin dhe detyrimet e shtetasit lidhur me përdorimin e tij. Si risi e këtij projektligji është krijimi i mundësisë që shtetasi i Kosovës, nga linjda deri në moshën 16 vjeçare do mund të pajiset me letërnjoftim por pa qenë i detyruar. Kjo do të ju mundësojë qytetarëve të kësaj moshe që të lëvizin jashtë Republikës së Kosovës vetëm me letërnjoftim në ato vende që ka marrëveshje Republika e Kosovës. Projektligji poashtu rregullon shfrytëzimin e të dhënave elektronike nga letërnjoftimi, formën dhe përmbajtjen, afatin e vlefshmërisë së tij, si dhe rregullat në rast të dëmtimit, humbjes apo vjedhjes së letërnjoftimit”.