Mos njohja nga pesë vendet e BE është mjaft problematike për Kosovën veqmas nëse merret parasysh cështja e dialogut me Serbinë. Janë dy raste interesante që mund të jenë mësim për vendin e aq më shumë për disa falexhinjë politik që nuk zbresin nga ekranet televizive duke ngritur mjegullnajë para opinionit publik lidhur me pozitën e Kosovës në bisedime dhe rolin e faktorëve ndërkombëtarë thekson Kosovatimes.
I pari ka të bëjë me bllokimin e ndihmës së BE nga ana e Hungarisë dhe e dyta ka të bëjë me një lëvizje të papritur të Bullgarisë ne synimet e saj per tu bërë pjesë e hapesires se Shëngenit. Në të dy rastet palë përfituese shfaqet Rusia. Këto zhvillime mund të jenë një sinjal për diplomacinë e Kosovës në kujdesin që duhet të ketë në veprimet e saj.
Teksa Ukraina ndodhet në një situatë kritike në luftën me forcat ruse, në mungesë të një kundërofensive, që shpesh është kritikuar nga qarqe perëndimore por në gjykimin presidentit ukrainas Zelenski, kjo për faktin e ndihmave të vonuara, kjo bëri që samiti i BE i 15 dhjetorit nga vëzhgues të ndryshëm të konsiderohet “historik” . Madje uniteti evropian është vënë në pikëpyetje në diskutimin e dy çështjeve për Ukrainën: fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe ndarjen e këstit të ardhshëm të ndihmës financiare për Kievin në shumën prej 50 miliardë euro për këstin e ardhshëm. Ishte Hungaria ajo që bllokoi vendimmarrjen.
BE-ja dhe kryeqendrat evropiane ishin të vetëdijshëm për kërcënimin e bllokimit të dy vendimeve të rëndësishme për të ndihmuar Ukrainën dhe u përpoqën të ndalonin paraprakisht një krizë të mundshme politike. Në mëngjesin e ditës së parë të samitit u zhvillua një takim mes presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban. Ngjarja ishte konfidenciale. Ky takim u parapri nga një takim vonë në mbrëmje në prag të samitit, ku morën pjesë Michel, Macron, Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Sipas Politico , udhëheqësit u përpoqën të zhvillonin një pozicion të përbashkët për negociatat me vendet që synojnë të bllokojnë vendimet.Dhe megjithëse BE-ja bëri shumë përpjekje për të arritur unitetin në votim, madje i shkriu 10.2 miliardë euro për Budapestin në prag të samitit, Hungaria ende vuri veton ndaj vendimit për ndihmën financiare për Ukrainën.
Brukselit iu desh edhe një herë të bënte lëshime ndaj Viktor Orban, kryeministrit të Hungarisë. Kancelari gjerman Olaf Scholz ftoi Viktor Orban të “dalë për kafe”, pas së cilës 26 pjesëmarrësit e mbetur në takim votuan njëzëri “pro”.
Megjithatë, Orban mbeti në votimin tjetër dhe përdori veton për çështjen e dytë të Ukrainës – ndihmën financiare.
Për më tepër, përgatitja dhe rrjedha e këtij samiti tregoi se uniteti i BE-së në mbështetjen e Ukrainës po shkatërrohet tani jo vetëm nga Hungaria. Por kësaj i bashkohet edhe Sllovakia, ku në pushtet erdhi politikani konservator i krahut të djathtë Robert Fico, madje edhe Austria, e cila po përpiqet të balancojë mes Moskës dhe Brukselit për çështjet ekonomike.
Në veçanti, Brukseli ngriu fondet e ndara më parë për Hungarinë nga fondet evropiane, duke u përpjekur kështu të krijojë një levë. Kjo është një taktikë mjaft popullore që u përdorë nga BE në lidhje me Poloninë, kur partia Ligj dhe Drejtësi ishte në pushtet atje, e cila gjithashtu e vendosi vendin në rrugën e kthimit autoritar.
Por Orban vendosi të kundërshtojë BE-në. Budapesti ka bllokuar edhe më herët shumë vendime sidomos ato ushtarake dhe financiare për Ukrainën, madje shpesh duke arsyetuar me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë që jeton në rajonin Transkarpatian. Në veçanti, Kievi ka ndryshuar tashmë ligjin për pakicat kombëtare dy herë , duke zgjeruar ndjeshëm të drejtat e tyre. Ndryshimet e fundit të ligjit u miratuan pak përpara samitit.
Pavarësisht kësaj, Bukseli për të shmangur një veto hungareze, i është dashur më shumë se një herë të bëjë lëshime ndaj Orbanit.
Në fillim të muajit Hungaria, Sllovakia dhe Austria njëkohësisht bënë të qartë se nuk janë ende të gatshme të mbështesin fillimin e negociatave për pranimin e Ukrainës në BE. Vetoja e Budapestit për ndihmën financiare për Kievin do të mbështetej në Bratislavë.Kryeministri sllovak Robert Fico propozoi ndalimin e ndihmës për Ukrainën dhe madje donte të bëhej një ndërmjetës në negociatat e paqes me Rusinë. Fico vazhdoi të njëjtën linjë pas zgjedhjes së tij:ai refuzoi t’i siguronte Ukrainës armë dhe mbështeti Viktor Orban në samitin aktual.
Edhe Austria ka një mosmarrëveshje me Kievin. Bëhet fjalë për Raiffeisenbank. Në prag të samitit të dhjetorit, Vjena vendosi të përsërisë atë që kolegët e saj hungarezë kishin bërë tashmë. Sipas Reuters , gjatë samitit Austria kërkoi përjashtimin e Raiffeisenbank nga baza ukrainase e sponzorëve të luftës. Banka u përfshi në listë për faktin se ajo ende vazhdon në mënyrë aktive aktivitetet e saj në Rusi. Në mënyrë të ngjashme, Hungaria kërkoi përjashtimin e bankës së saj OTP nga lista e sponsorëve të luftës në këmbim të miratimit të një pakete tjetër sanksionesh kundër Rusisë – dhe arriti sukses.
Ukraina përfundimisht e gjeti veten “peng” të tre shteteve të Evropës Qendrore, megjithëse pranoi shumë nga kërkesat e BE-së.
Me këtë rast, kreu i socialdemokratëve gjermanë në Parlamentin Evropian, Jens Geier , tha se “në tryezën e bisedimeve është ulur edhe Putini”. Sipas mendimit të tij, Viktor Orban në fakt është bërë përfaqësues i interesave të Kremlinit në samitin e BE-së.
Kështu, grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian – Partia Popullore Evropiane dhe Social Demokratët – ishin kategorikisht kundër lëshimeve të reja ndaj Orbanit në këmbim të mbështetjes për Ukrainën. Së bashku me Republikën Çeke , ata bënë thirrje për kërkimin e mekanizmave alternativë mbështetëse në mënyrë që të mos i nënshtroheshin çdo herë shantazheve të Orbanit.
Një tjetër levë për Austrinë në negociatat me Brukselin është çështja e Rumanisë dhe Bullgarisë. Për shumë vite, një sërë qeverish austriake të krahut të djathtë dhe konservatorë kanë bllokuar hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në zonën Shengen. Arsyeja është kërcënimi i migrimit ilegal nëpër territoret e këtyre vendeve.
Bullgaria dorëzohet nën presionin hungarez në lidhje me gazin rus
Bullgaria, e cila shpreson të hyjë përfundimisht në zonën Shengen pas vitesh pritjeje, pranoi javë më parë kërkesën e Hungarisë për heqjen e taksës speciale për transitin e gazit rus drejt Hungarisë dhe Serbisë, raporton AFP.
Në tetor, Bullgaria vendosi një tarifë shtesë për Gazprom – 10 euro për megavat-orë – për pompimin e gazit përmes seksionit të saj të Rrjedhës Turke. Duke qenë që Hungaria nuk ishte e mbrojtur nga pasojat e këtij hapi sepse çmimi i gazit nuk ishtë fiksuar në kontratën e nënshkruar me të, ndaj Budapesti kishte shprehur pakënaqësinë e tij dhe ka akuzuar Sofjen për minimin e solidaritetit evropian.
Parlamenti bullgar votoi sot për shfuqizimin e masës që u prezantua më 13 tetor. Taksa arrinte në 10 euro për MWh gaz të transportuar përmes gazsjellësit Rrjedha Turke. Fillimisht bëhej fjalë për “uljen e fitimit” të Gazpromit të Rusisë, por zbatimi i masës rezultoi i ndërlikuar dhe gjigandi rus nuk pagoi asnjëherë paratë e kërkuara.
Budapesti dhe Beogradi, të cilat varen nga energjia ruse dhe duan të ruajnë lidhjet me Kremlinin, vlerësuan se ishte një “masë armiqësore që kërcënon furnizimin e tyre me energji”.
Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka kërcënuar se do të bllokojë hyrjen e Bullgarisë në zonën Shengen nëse taksa mbetet në fuqi.
“Nëse Hungaria respekton atë që premtoi, vetoja duhet të hiqet menjëherë,” tha kryeministri bullgar Nikolai Denkov për televizionin bullgar. Javën e kaluar, Holanda vlerësoi se Sofja i plotëson të gjitha kushtet për të hyrë në zonën Shengen dhe Austria tha se është e gatshme të bëjë lëshime, por vetëm kur bëhet fjalë për trafikun ajror me Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe me kusht që siguria në Kufijtë e jashtëm të BE-së forcohen dhe.
Vendet e Evropës Perëndimore kanë bërë përpjekje të mëdha për të reduktuar varësinë e tyre nga gazi rus dhe Hungaria, një vend pa dalje në det, siguron 4.5 miliardë metra kub gaz nga Rusia në vit, kryesisht përmes Bullgarisë dhe Serbisë, sipas një kontrate të nënshkruar në 2021.
Përfaqësuesit bullgarë miratuan gjithashtu një vendim për të ndaluar eksportin e karburantit të prodhuar nga nafta ruse nga 1 janari 2024 dhe për t’i dhënë fund përpunimit të naftës me origjinë ruse në rafinerinë e naftës Lukoil Neftocim Burgas të kontrolluar nga Rusia nga 1 mars 2024, raporton BTA .
Këto antagonizma brenda vetë BE për Moskën ishin të mirëseardhura në planin e jashtëm. Ajo ka shfrytëzuar këtë rast duke zgjeruar perimetrin e ofensivës diplomatike në planin strategjik të saj, sidosmo në një situatë kritike në luftën me Ukrainën. Nga këndvështrimi i udhëheqjes ruse, përballja me Perëndimin ka arritur një pikë kthese: kundërofensiva ukrainase ka dështuar, Rusia ndihet më e sigurt se kurrë, dhe Perëndimi po heziton gjithnjë e më shumë, duke u zhytur në ndarje të brendshme. Lufta në Gaza i ka dhënë Putinit mundësinë për ta riformuluar pushtimin rus të Ukrainës si pothuajse ‘humanist’.Jo rastësisht në planin gjeopolitik Putin duke i bërë thirrje BE të distancohen nga Uashingtoni si shembull ai përmend liderët “të orientuar nga kombëtarja” (që diplomatikisht lexohen si të rehatshëm për Moskën) si Viktor Orban në Hungari dhe Robert Fico në Sllovaki.Pra me këto hapa qëllimi ësht dobësimi i Evropës.
Putin duke folur rreth planeve të tij në Ukrainë, dhe për të krijuar aleatë të munguar në çarjen e BE, e quajti pjesën perëndimore të Ukrainës tokat historike të Polonisë, të cilat “Stalini i dha pas Luftës së Dytë Botërore”, duke kujtuar në të njëjtën kohë blerjet territoriale të SSR-së së Ukrainës në kurriz të Rumanisë dhe Hungarisë.
E gjithë kjo nuk duket si një qasje sistematike ndaj problemit: forcat e ekstremit të djathtë dhe euro skeptikët në pushtet në vende të ndryshme të BE-së do të jenë në gjendje të vazhdojnë të bllokojnë vendimmarrjen. Në kushte lufte dhe një situatë të vështirë ekonomike, kjo e vë BE-në në një disavantazh serioz në krahasim me kundërshtarët e saj të mundshëm.
Megjithatë, BE-ja ka një rrugëdalje. Në prag të samitit, Parlamenti Evropian nisi një proces të reformës në shkallë të gjerë të shoqatës, e cila duhet, nëse jo të eliminojë plotësisht, atëherë të paktën të zvogëlojë aftësinë e çdo vendi për të përdorur veton si mjet shantazhi. Por sipas vëzhguesve të ndryshëm që kjo të ndodhë duhet kohë. /.KOSOVATIMES