Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës paraqet një mundësi të mirë për prodhuesit, thotë kryetari i klubit të prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa.
Mustafa në një intervistë për Radio Kosovën, sheh gjëra kryesisht pozitive nga liberalizimi, duke u nisur nga mundësia për ngritje të eksporteve, ngritje të pagave e kushteve për punëtorët në Kosovë, si dhe fitim të kulturës së punës në vendet e Bashkimit Evropian. Njëherësh sipas tij, ka pak lëvizje të punëtorëve drejt vendeve të BE-së, e në raste të caktuara ka edhe kthim të tyre.
Radio Kosova: Zotëri Mustafa, që nga fillimi i këtij viti janë krijuar rrethanat e reja për qytetarët e Kosovës por edhe për biznese prodhuese, të cilët kanë mundësi të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, të gjejnë partnerë potencialë dhe mundësisht t’i eksportojnë prodhimet e tyre. Si e shihni ju këtë situatë të krijuar dhe a është një mundësi e mirë për prodhuesit kosovarë?
Berat Mustafa: Unë besoj se tash është një mundësi më e mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët po lëvizin lirë dhe po shkojnë të shohin në Evropë se si janë kushtet e punës, si janë kushtet e jetës e kështu me radhë, por më e keqja ishte se kur ata e merrnin vizën e punës dhe në ato raste humbnin edhe vendin e punës këtu në Kosovë. Edhe ata ishin pastaj të obliguar të mbesin atje, pa marrë parasysh a u ka pëlqyer puna apo jo në vendet e BE-së! Kurse tash shumica e njerëzve kanë rastin të marrin një pushim vjetor ose një pushim pa pagesë duke e ruajtur vendin e punës dhe duke shkuar edhe për të provuar fatin në BE. Por e mira e kësaj është se pjesa dërmuese e prodhuesve tanë kanë filluar të vetëdijesohen dhe kanë filluar të marrin masat e tyre, siç janë ngritja e pagave, ngritja e kushteve për punë, ushqim, transport e siguria në punë, dhe besoj që gradualisht do të afrohem në ato nivele të Bashkimit Evropian. Por tërë kohën duhet të kuptojmë se ne si rini, si shoqëri duhet ta bëjmë këtë shtet, ne duhet t’i gjejmë edhe ato mangësitë ekzistuese dhe të përmirësojmë e të bëhemi shtet si i BE-së. Tash janë krijuar edhe mundësi më të mëdha që disa të eksportojnë në Bashkimin Evropian, dhe të shfrytëzohet ky komunitet i yni që është atje, ku janë rreth 1 milion konsumatorë, d.m.th gjysmën e Kosovën e kemi në BE. Pra, tash është një potencial i madh për eksportimin e prodhimeve tona në BE ku do të ishte një interes e një treg shumë i madh për prodhuesit tanë, por këtu duhet të vërehet edhe dora e shtetit, për qasje të prodhuesve në financa, trajnimin e punëtorëve, arsimimin e punëtorëve në sfera të caktuara të prodhimit për të cilat prodhuesit vendorë kanë nevojë etj.
Radio Kosova: Dihet se për të eksportuar në Bashkimin Evropian nevojitet edhe plotësimi i disa standardeve, sa janë të përgatitur prodhuesit kosovarë në këtë aspekt?
Berat Mustafa: Prodhuesit e Kosovës për çdo vit kanë një trend të rritjes së eksporteve, d.m.th derisa nuk i ke standardet, digjitalizimin e kompanive, standardet në etiketë, sigurisht nuk do të ishe konkurrues në Bashkimin Evropian e as t’i plasosh prodhimet e tua, sepse siç e dimë, BE-ja ka standard ku nuk lejon të futet një prodhim i palicencuar, apo pa i plotësuar standardet e BE-së. Unë besoj se prodhuesit kosovarë e kanë gjetur veten, por thashë edhe më herët, ajo çka iu duhet prodhuesve është një shtytje nga institucionet tona relevante për prodhuesit. Unë, pasi vij nga klubi I prodhuesve, besoj që ka shumë prodhues të cilët kanë hapësirë për të eksportuar edhe më shumë, por në mungesë të financave pastaj nuk mund t’i përmbushin kërkesat nga BE-ja.
Radio Kosova: Po për sa i përket rrjetit të distribuimit, sa është i rëndësishëm ky aspekt për prodhuesit e Kosovës?
Berat Mustafa: Unë nuk kam parë dikë nga Kosova që ka shkuar nga këtu e ka krijuar rrjetin, por kryesisht kanë gjetur partnerë nga diaspora jonë apo nga vendet e tjera të cilët e kanë të shtrirë rrjetin. Sepse çdo shtet i BE-së është shtet i madh, logjistika është kosto shumë e madhe sepse largësia është shumë e madhe. Kështu që, ne fillimisht si prodhues të vegjël dhe një shtet në zhvillim, neve na duhet të vazhdojmë me kompanitë autoktone që janë aty dhe janë duke operuar.
Radio Kosova: A ka mjaftueshëm atje biznese të bashkatdhetarëve tanë me të cilët prodhuesit kosovarë mund tëbashkëpunojnë, në mënyrë që sa më lehtë të provojnë të depërtojnë në ato tregje?
Berat Mustafa: Ka. Është e mirë se ne si Klub i biznesit, kemi vizituar disa kompani në Gjermani e në Zvicër ku dihet se diaspora jonë tash është e shtrirë në të gjitha sferat. Ka hapësirë, por ne na duhet tash të kemi komunikim me ta. Me heqjen e vizave, tash është shumë më i lehtë komunikimi, shkuarja-ardhja dhe besoj se kanë për të përfituar shumë bizneset tona.
Radio Kosova: Për sa u përket punëtorëve të cilët mbase duan ta provojnë fatin e tyre në Bashkimin Evropian, a paraqet rrezik kjo për prodhuesit vendorë?
Berat Mustafa: Unë besoj se punëtorët janë duke lëvizur nga pak, por në këtë kohë që po flasim është shumë më pak se sa në kohën kur kanë lëvizur me vizë pune. Besoj se kanë për shkuar me pa, por një pjesë edhe janë duke u kthyer. Unë në punën time i kam disa të cilët kanë shkuar edhe prej tyre janë 4-5 veta të cilët janë kthyer.
Radio Kosova: A mund të jetë kjo ndoshta edhe pozitive, sepse punëtorët nga Kosova përfitojnë edhe kulturë të punës në Bashkimin Evropian pastaj?
Berat Mustafa: Normal, edhe kjo është e saktë. Me rastin e shkuarjes shohin se në Bashkimin Evropian punohet shumë. Kurse te ne deri tash ka qenë thënia “po shkoj n’punë po s’kom bo kurgjo… s’punoj kurgjo”, edhe është krenuar në familje. Kurse edhe te ne tash duke i rritur pagat, pasi paga është një kosto për çdo prodhues, tash punëtori do të paguhet por do t’i kërkohet shumë më shumë punë se që i është kërkuar deri më tani.