Të nderuar qytetar,
Tash e një kohë nuk jam pjesë e politikës aktive ditore në Kosovë. Duke qenë kësisoj i lirë nga kufizimet që të imponon pjesëmarrja në politikëbërje, ku unë kam qenë pjesë e saj për një kohë relativisht të gjatë, dua të ndaj me ju një rrëfim. Një rrëfim të padëgjuar më parë, të cilin e kam mbajtur vetëm për vete për kaq kohë, për shkaqet e lartpërmendura. Bëhet fjalë për shumë të dhimbshmen – Masakrën e Reçakut. Nëse do e tregoja pjesën time të këtij tregimi më herët do të keqkuptohesha, mbase edhe do të akuzohesha për përdorim politik të kësaj ngjarje të rënd dhe me peshë vendimtare historike.
Çka dhe si ngjau në Reçak?
Policia serbe kishte pozicionuar shumë më herët – muaj të tërë; artileri të rëndë (topa, tanke dhe mjete tjera luftarake) pozicioni “Pishat”, pozicioni “Çesta” dhe pozicioni “Gështenjat”.
Më 15 janar 1999, në ora 07:00 të mëngjesit, më zgjoi nga gjumi telefoni, ku paraqitet kryetari i degës së LDK-së në Reçak, Agim Kamberi, me një tonë shumë shqetësues, dhe më drejtohet si në vijim: “kryetar, serbët po sulmojnë prej të gjitha pozicioneve. Sulmojnë nga “Pishat”, nga “Gështenjat”, nga “Çesta” e Reçakut dhe këmbësoria me armatim të rëndë ka hyrë mbrapa Reçakut përmes rrugës malore dhe po sulmojnë me të gjitha mjetet. Ka shumë të vrarë, popullata është në panik. Në këto momente kur po flas me ty, unë jam duke vrapuar drejt malit dhe për çdo moment mund të më ndalet telefoni.”
Me të pranuar këtë informatë, kam vrapuar shpejt në selinë e LDK-së në Prishtinë për ta informuar kryesinë e saj dhe QIK-un (përmes së cilës e informonim gjithë botën për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë). Në atë moment aty kam gjetur Kolë Berishën, Fatmir Sejdiun dhe dy punëtorë të QIK-ut. I kam informuar për atë se çfarë më është thënë në telefon dhe ishte shumë shqetësuese sepse sulmi ishte në vazhdim dhe ne nuk ishim në dijeni se çfarë po vazhdonte të ndodhte.
Të pranishmit kan kërkuar nga unë që të shkoj shpejt në selinë e OSCE-së në Fushë Kosovë, për ta informuar për ngjarjet e fundit në Reçak. Ndërkohë, aty ka ardhur edhe Naser Osmani, për të njoftuar gjithashtu për disa maltretime që iu janë bërë qytetarëve në komunën e Lipjanit. Atëherë edhe Naseri më është bashkangjitur, ku së bashku shkuam në Fushë Kosovë, në Qendrën e OSCE-së. Aty kemi kërkuar që të takojmë kryetarin e OSCE-së, z. William Wallker, por na është thënë se ai nuk gjendet aty, por një zyrtarë tjetër është i gatshëm të ju takoj. Në momentin e dhënies së kësaj informate, ora ka qenë rreth 08:30.
Jemi kthyer në Kryesi meqë ishte ditë e premte, ku çdo të premte mbahej takimi i Kryetarit Ibrahim Rugova me kryetarët e degëve të LDK-së nëpër Kosovë, ku secili raportonte për situatën në komunën e tij. Ndërkohë kisha marrë informatat e reja nga aktivistët e LDK-së, se të gjitha rrugët që të qojnë në Shtime janë të bllokuara nga policia serbe. Kishte informata se janë të vrarë dhe po vriten shumë njerëz dhe masakra po vazhdonte.
Sapo filloi takimi, kam marrë fjalën unë, ku kam njoftuar të pranishmit për atë se çfarë po ndodhte në Shtime, në fshatin Reçak. Në këto takime, çdoherë merrnin pjesë dhe një numër i konsiderueshëm i gazetarëve.
Brenga jonë kryesore ishte se çfarë ka ndodhë dhe çfarë po vazhdonte të ndodhte në Reçak. Prezent ishte edhe UD i kryetarit të degës në Suharekë, Ragip Zekolli, i cili zëvendësonte kryetarin e deri atëhershëm Ukë Bytyqin (i cili kishte kaluar në formacion ushtarak). Ragipi, duke kuptuar shqetësimet dhe përpjekjet tona për të kuptuar se çfarë po ndodhte në Reçak, mu drejtua mua para të pranishmëve, duke më thënë: “Unë kam raporte të mira me zyrën e OSCE-së në Suharekë dhe përmes radio lidhjeve do të bëjë gjithçka që ata të dërgojnë dikë në Reçak. Kjo është e mundur sepse OSCE e monitoron shumë atë pjesë, duke përfshirë edhe fshatin Budakovë, prej të cilës një rrugë malore të shpie në Reçak”. Në këtë moment Ragipi e lëshoi takimin dhe doli për tu angazhuar në lidhje më këtë çështje. Ditë më vonë, Ragip Zekolli njofton Kryesinë Qendrore dhe degën e LDK-së në Shtime, se më kërkesën e tij, dy pjesëtarë të OSCE-së, po atë ditë, ditë e premte para orës 15:00, nga Budakova përmes rrugës malore kishin arritur në Luzhak (paralagje e Reçakut). Aty kishin takuar dy pjesëtarë të UÇK-së të cilët i kishin njoftuar se kanë informacion se në Reçak po ndodh një masakër në popullatë civile dhe këta duan të shkojnë atje për të parë se çfarë po ndodhë. Por, ushtarët me shumë keqardhje iu kishin përgjigjur pjesëtarëve të OSCE-së se askush nuk guxon të lejohet që të shkojë në Reçak me një urdhër të prerë të komandantit Ruzhdi Jashari. Pjesëtarët e OSCE-së kishin kërkuar takim me Ruzhdi Jasharin përmes ushtarëve, por ata kishin thënë se Ruzhdiu nuk gjendet këtu, por në Drenicë, prandaj ishin urdhëruar pjesëtarët e OSCE-së që të kthehen (kjo ishte informata që Ragip Zekolli i bëri Kryesisë Qendrore dhe degës së Shtimes).Vlen të theksohet se, Ragip Zekolli, pas luftës, nga pozita e deputetit të Parlamentit të Kosovës ka kërkuar azil politik në një shtet perëndimorë dhe nuk jeton më në Kosovë.
Pas përfundimit të takimit, rreth orës 14:00 kam shkuar në Shtime, kam lënë veturën në periferi dhe në këmbë kam ecur deri tek zyra e degës së LDK-së (ku kjo zyre ndodhej në rrugën Prishtinë-Shtime, para se të arrihej në Qendër dhe jashtë postbllokut të policisë). Gjendja në Shtime ishte gjendje lufte, e tmerrit dhe e ankthit. Rrugët ishin krejt të boshatisura, njerëzit në numër të vogël që ndodheshin aty ishin ngujuar nëpër shtëpi, ndërsa pjesa më e madhe e tyre tanimë veç se kishin ikur.
Në zyrën e LDK-së e kam gjetur si çdoherë plakun Gani Shahinin (ish kryetari i degës së LDK-së në Shtime) dhe sekretarin e degës Sabri Krasniqin. Kam marrë informata se Reçaku është krejt i bllokuar, duke përfshirë edhe rrugët këmbësore, dhe nga aty dëgjoheshin krismat e mitralozave pa ndërprerë. Gjithashtu, jam informuar nga të pranishmit për të gjithë atë që ata kishin në dispozicion si informatë për ngjarjet në Reçak. Në ndërkohë, në zyre erdhi një grua e moshuar – një plakë e cila jetonte në hyrje të Reçakut, në Çestë. Ajo ishte e traumatizuar dhe kishte të dëmtuar edhe dëgjimin. E shqetësuar mundohej të na tregonte se çfarë po ngjante atje dhe duke qarë tha se ia kishin vrarë edhe djalin. Gjendja e saj e rënduar na vështirësonte ta kuptonim saktësisht se çfarë po tregonte. Sekretari, duke u munduar ta qetësonte i tha: “Qetësohu oj hallë se ndoshta djali juaj është vetëm i plagosur, nuk e kanë vrarë”. Ajo nxori duart me gjak nga pallto dhe me një klithmë ia ktheu: “Jo, djali im më vdiq në prehër, ata e vranë djalin tim”. Duart e saj ishin të mbuluara me gjak.
Pasi iu dhashë disa rekomandime për mënyrën e komunikimit dhe përcjelljen e informatave, për të cilat kishin shumë problem, jam nisur rrugës për në Prishtinë, për të njoftuar Qendrën për Informim (QIK).
Tek ura e Sitnicës, në hyrje të Lipjanit, kam vërejtur se nga rruga e Goleshit del dhe kyçet në rrugë për Lipjan një kombi i OSCE-së. Sapo e kam vërejtur këtë kombi, kam vrapuar dhe në hyrje të Lipjanit kam arritur të ndal kombin e OSCE-së. Në këtë kombi, në mesin e të tjerëve, gjendej edhe Porf.Dr. Mazllum Belegu, të cilin unë e njihja që nga vitet e ’70-ta. Kam informuar atë se çfarë po ngjante në Reçak dhe e kam lutur që ta shfrytëzonte autoritetin e OSCE-së dhe të futën në Reçak. Pas një komunikim të shkurtër që Mazllumi bëri më një pjesëtarë tjetër të OSCE-së, i cili gjindej me të në kombi, ai më kërkoi falje duke më thënë se ata nuk mund të dalin jashtë plan programit. Vijat nga duhet të qarkullojnë janë të lajmëruara dhe nuk munden që në atë moment të kthehen në Reçak, por më premtoi se do të shkoj shpejt në Qendër të OSCE-së dhe do të kërkoj që dikush të shkoj në Reçak.
Pasi kam informuar QIK-un me informata shtesë, jam kthyer përsëri në Davidovc, në fshatin e lindjes që është në rrugën Shtime-Lipjan, dhe aty kam kaluar natën duke marrë informata nga aktivistët e LDK-së në fshatrat për rreth Reçakut.
Luftimet në Recak zgjatën deri kah ora 20:00, por është shumë indikative sepse në ora 16:00 të së njëjtës ditë, inspektori i Sigurimit të pushtetit serb për Shtime, Serbolubi, vetë i dyti, më një veturë civile, më një shpejtësi të jashtëzakonshme kthehet nga Shtimja jo përmes rrugës kryesore Shtime- Ferizaj, por kalon rrugën Shtime-Gjyrkovcë-Muzeqinë-Koshare-Ferizaj. Vlen të theksohet se Serbolubi ishte personi i cili i ka maltretuar aktivistët për dhjetë vite me radhë, duke më përfshirë edhe mua, ku në dy maltretime që mi ka bërë, shërimi ka zgjatur me muaj të tërë, e pasojat e të cilave i ndiej edhe sot.
Pas bombardimit dhe vrasjeve me snajper të njerëzve në Reçak, hynë këmbësoria, ku bastisin çdo shtëpi. Në mesin e të tjerëve, i drejtohen shtëpisë së Sylejman Halilit, një plak shumë i devotshëm për çështje kombëtare, në të cilin shtëpi gjendej djali tij, Skenderi dhe nipi i moshës së re (14-15 vjeçar). Këta sapo shohin që hyri këmbësoria, tentojnë të ikin në mal i cili ishte shumë afër, por policia arrin që të plagos Skenderin. Skenderi pasi plagoset e lutë nipin që të ik së paku ai në mal, por në ikje e sipër policia e zë edhe nipin, të cilin e marrin e futin në shtëpi, në banjë, e kyçin në çelës dhe kthehen në oborrin e shtëpisë ku ishte Skenderi i plagosur. Sapo kthehen në oborr, ata e maltretojnë dhe e masakrojnë Skenderin me armë të ftohtë në mënyrën më të tmerrshme, ku gjatë tërë masakrës klithmat e axhës i dëgjonte nipi i cili ishte i ngujuar në banjë. Nipi, një djali i ri dhe shumë i shkathët, arrin që përmes dritares së vogël të banjës të del jashtë dhe në shpejtësi hynë në një gyp, i cili e kullonte ujin e përroit nga mali; gyp ky që ishte me ujë. Policia pasi masakruan Skenderin, kthehen për të marrë nipin që e kishin ngujuar në banjë por nuk e gjetën. Të lemëritur fillojnë të shajnë, të gjuajnë me pushkë, bastisin gjithçka në oborr dhe në fund i vunë flakën shtëpisë, duke e djegur të tërën me qëllim që të mos ketë dëshmitarë të gjallë që do të tregonte se çfarë ndodhi në Reçak.
Në mes të natës, ftohtë dhe shumë errët, djali duke njohur terrenin del nga gypi, ngjitet në mal dhe strehohet diku në Petrovë.
Pasi policia bastisin çdo shtëpi në Reçak, vrasin disa burra, të tjerët i tubojnë në ahra, pleme, i maltretojnë në prezencën e familjareve, ofendojnë nga mëngjesi deri në ora 17:00. Aty i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku burrat i qojnë tek kodra e “Bebushit”. Ne hyrje të luginës, paramilitarët i urdhërojnë burrat e marrur peng që të shkojnë drejt malit, ku paraprakisht në të dy anët e luginës kishin bërë kurth, duke iu zënë pritën. Sapo arrijnë në luginë, ata sulmohen nga të dy anët prej paramilitarëve, kështu duke vrarë e masakruar që të gjithë. Masakrën e kishin bërë me armë të ftohta, duke krijuar skena të pamjeve shumë trishtuese.
Rreth orës 20:00, pasi ishte një dimër i acarët; tmerr, policia serbe tërhiqen nga fshati Reçak dhe kthehen në pozicionet e tyre të mëparshme: tek “Pishat”, tek “Gështenjat” dhe tek “Cesta”, pozicione këto që e shohin fshatin në pëllëmbë të dorës.
Të nesërmen, William Wallker së bashku me ekipin e tij dhe gazetarët hynë në Reçak dhe shohin për së afërmi tërë gjenocidin që iu ishte ushtruar civilëve shqiptarë. Ai, pastaj prononcohet para gazetarëve duke thënë: ”Unë këtu po shoh të masakruar fshatarë, bujq, të ri e të vjetër, por të vjetër më shumë. Andaj, nuk ngurroi të them se kjo është krim kundër njerëzimit”. Një lajmi i tillë i Wallkerit alarmoi botën. Një konstatim i tillë e tmerroi Serbinë e cila e përdori tërë makinerinë ushtarake, politike e diplomatike për të maskuar këtë krim kundër njerëzimit. Ata ngritën teorinë dhe nuk ngurruan të mundohen ta shpërndajnë gjithkund se shkas i masakrës në Reçak ishte vrasja e tre policëve serb në Shtime, kështu duke pretenduar se në Recak kishte pasur konflikt të armatosur, gjë që nuk ishte e vërtetë. E vërteta qëndronte këtu: masakra ishte planifikuar në Beograd që të ndodhte në Shtime, sepse Shtimja pozitën gjeografike e ka në mes të Kosovës, dhe masakra kishte për qëllim të mbillte panik tek popullata shqiptare dhe të bëjë spastrimin etnik në Kosovë.
Ata masakrën tentuan ta kamuflojnë në teorinë e tyre se në fshatin Reçak kishin qenë të grumbulluar shumë “terroristë” shqiptar (siç i quajnë ata luftëtarët tanë të lirisë – pjesëtarët e UÇK-së) nga viset e ndryshme dhe eventualisht disa civilë ishin viktima të këtij konflikti.
Por, një gjë e tillë shumë shpejtë u hodh poshtë, ngase pas tërheqjes së Walkerit, qytetarët mblodhën trupat e të masakruarve dhe i sistemuan në xhaminë e fshatit. Aty pastaj bëhet edhe identifikimi i tyre, ku më e rëndësishmja ishte se të gjithë të masakruarit ishin civilë të fshatit Reçak, me përjashtim të njërit, Haqif Hysenaj nga Petrova, i cili ishte nip i këtij fshati dhe atë natë ishte gjendur tek daja. Kjo tregoi se nuk kishim të bëjmë më mbledhje të ashtuquajtur të “terroristëve” shqiptarë nga viset e Kosovës, por ishte gjenocid ndaj civilëve të fshatit Reçak.
Të nesërmen, unë së bashku me një pjesë të kryesisë së Shtimes shkuam në kryesinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, për të hartuar skenarin për varrimin e të masakruarve, hapjen e varreve, sigurimin e arkivoleve, flamujve, kurorave e të tjera. Formohet këshilli i varrimit për sigurimin e materialeve, por në atë moment Alush Gashi na informon se policia serbe ka sulmuar me të gjitha mjetet fshatin Reçak prapë, dhe po hynë me dhunë për të marrë kufomat. Ajo realizon skenarin e vet, ku merr kufomat e tubuara në xhamin e Reçakut, me qëllim që të jetë provë materiale për ta vërtetuar teorinë e tyre se aty është zhvilluar luftë me “terroristët” dhe civilët mund të jenë viktima të rastit. Teori kjo që nuk mund t’i bindte as ata vetë e lëre më botën, ngase të masakruarit ishin fshatarë të vjetër e bujq.
Në bazë të informacioneve që mu dhanë mua nga dy persona shqipëtar që kishin ngelur në punë në institucione shëndetësore, në morgun e Prishtinës kishin arritur disa patolog nga Rusia dhe Ukraina që ishin të pozicionuar në spitalet e Nishit, Beogradit dhe Shkupit, e që obduksionet do të bëheshin nën instruksionet e tyre. Këta patolog gjatë tërë periudhës kur po bëhej obduksion, kishin defiliuar disa herë në mes të morgut të Prishtinës dhe qendrave nga kishin ardhur. Shumë njerëz dyshojnë (e ceki dyshojnë sepse nuk janë lejuar të jenë prezent gjatë obduksionit) që përveç masakrës që kanë bërë, ata në morgun e Prishtinës, nga trupat e të masakruarve kanë hequr edhe organet e tyre.
Nga ky shkas, mua më kontaktoi sekretarja e kryesisë Nekibe Kelmendi, e cila më dha disa formularë dhe kërkoi nga unë që t’iu shpërndaj familjarëve të të masakruarve për t’i nënshkruar ato, me qëllim që të autorizohet avokati Bajram Kelmendi dhe avokatët e tjerë që të marrin pjesë gjatë obduksionit të tyre, e drejtë kjo ligjore sipas legjislacionit serb të asaj kohe. Unë i shpërndava ato formularë dhe arrita që një pjesë të konsiderueshme t’i nënshkruajnë familjarët dhe ia dorëzuam Bajram Kelmendit, pra si autorizim për pjesëmarrje gjatë procedurës së obduksionit. Mirëpo, edhe pas mbledhjes së gjithë këtyre dëshmive dhe të drejtave ligjore, policët serb nuk i lejuan avokatët të merrnin pjesë në obduksion. Tek njerëzit, kjo edhe më shumë e rriti dyshimin për heqjen e organeve.
Odiseada e kufomave në morgun e Prishtinës zgjati afërsisht një muaj, nga data 17 janar (data kur merren kufomat nga xhamia e Reçakut) deri më 12 shkurt.
Me 10 shkurt, oficeri i OSCE-së Majkëll Piterson, kërkoi nga kryesia e degës në Shtime që të delegon disa persona dhe bashkërisht me kreun e shtabit të UÇK-së në Mollopolc të bisedojnë për skenarin e varrimit. Nga kryesia e degës së LDK Shtime caktohen një komision prej katër personave, në krye të të cilit ishte Faik Hysenaj. Komisionit në ndërkohe iu bashkëngjitet edhe Shaban Halimi, anëtarë i kryesisë së LDK, dega Shtime. Ky komision kishte për obligim që të organizojë varrimin, por aty merret një vendim shumë i çuditshëm dhe i pakuptueshëm për ne. Ata ishin dakorduar që të varroseshin të ndarë në etapa: 14-të të nesërmen, pas dy ditëve 14-të të tjerë, ndërsa 12-të të tjerët pas identifikimit, vendim ky i cili u transmetua edhe përmes Radio “Kosova e Lirë”. Të nesërmen, policia serbe kishte sjellë 28-të kufoma dhe kishte tentuar përmes imamëve të dy xhamive, atij të Reçakut mulla Mahmutit dhe atij të Shtimes, mulla Isës, që të organizojnë varrimin e të masakruarve. Që të dy kishin refuzuar një përgjegjësi të tillë.
Në zyrën e LDK-së, në orët e vona vjen oficeri i OSCE-së dhe na njofton se në Shtime kanë ardhur 28 kufoma, për të cilat policia serbe thotë që nga të masakruarit vetëm këta janë civilë, ndërsa të tjerët janë “terroristë” të grumbulluar nga viset e tjera. Ne e siguruam oficerin e OSCE-së se ne kemi të dhëna konkrete se të gjitha kufomat që janë marrur në xhaminë e Reçakut dhe janë dërguar në morg në Prishtinë janë civilë të Reçakut, për të cilët kemi të dhënat, si: emrat, mbiemrat, vendlindjen dhe datën e lindjes. Dy orë pas shkuarjes së oficerit, rreth orës 23:00 me automjete të blinduara vjen policia serbe tek zyrat e LDK-së dhe me arrogancën e tyre më morën nga zyrat e LDK-së dhe më futën me një automjet të blinduar, nga i cili nuk shihja asgjë. Nuk vonojë gjatë dhe ata ndalën automjetin dhe më thanë zbrit. Zbrita dhe pashë se isha para stacionit të policisë në Shtime. Të gjitha hapësirat rreth stacionit ka qenë të mbushura me paramilitarë që dalloheshin me shamia të pështjelluara rreth kokës. Në stacionin policorë më kanë dërguar në katin e dytë, në një dhomë të madhe dhe kam parë aty të ulur shumë njerëz; policë, njerëz të sigurimit, kam parë prokuroren (xhelaten) e Kosovës, Danica Marinkoviç, oficerë të sigurimit, të cilët shumë herë ndër vite më kishin marrur kinse në biseda informative, e më kishin maltretuar me orë të tëra. Aty vërejta se ishin edhe dy persona të panjohur të cilët flisnin gjuhën angleze e për të cilët përkthente një femër shqiptare. Marinkoviç na prezantoi një skenar që kishte hartuar për formën e varrimit, duke u paraqitur shumë gjentelmene dhe premtuar se do të mundësohej një varrim normal pasi që ajo do të tërheq ushtrinë dhe policinë nga pozicionet e caktuara. Skenari i saj ishte se në Shtimë ka sjellë 28-të kufoma civile të cilat janë vrarë gjatë luftimeve të policës dhe ushtrisë serbe me “terroristët e UÇK-së” në Reçak. Në pyetjen e njërit nga oficerët e OSCE-së që ishte i pranishëm se pse janë 28-të dhe nuk janë 40-të, aq sa janë marrur në xhaminë e Reçakut, Marikonviç përgjigjet se lufta është zhvilluar në Reçak me “terroristët” e grumbulluar aty nga viset e ndryshme, ku numri i “terroristëve” të vrarë është 12-të, ndërsa i civilëve 28-të. Civilët do të varroseshin në Reçak ose kudo në popullatë, ndërsa 12-të “terroristët” do të varroseshin me shpenzimet e shtetit.
Oficeri i OSCE-së kërkoi komentin tim në lidhje me skenarin e hartuar nga Marinkoviç. Të jem i sinqertë ndaj vetvetes, ata të dy që u paraqiteshin si oficere të OSCE-së, dyshoja se ishin oficerë serb dhe krijova bindjen se ata kishin bërë skenar për likuidim tim fizik. Në vete e luta Zotin që të më jap forcën dhe kurajon që ta kryej detyrën që më është caktuar me nder dhe në mënyrë shumë të qetë oficerit iu kam drejtuar me një letër që kisha në xhep, në të cilin ishin të shënuar emrat, mbiemrat, datat e lindjes e vendlindja e kufomave të marrura nga xhamia e Reçakut. Në atë regjistër ishin 40 persona, që të gjithë civilë të Reçakut, përjashtimit Haqif Hyesnit, duke përfshirë edhe ata 12-të të tjerë të masakruar që ajo pretendonte se ishin “terroristë” nga viset tjera. Qëndrimi ynë ishte i prerë, përgjegjësinë për varrosje e marrim vetëm nëse na sjellin 40 kufomat e marrura në xhaminë e Reçakut, duke i siguruar se çdo rrethanë tjetër nuk do të pranohet nga ne. Gjatë tërë kohës takimi incizohej nga dy kamera. Me kërkesën e njërit oficer të OSCE-së, këtë letër ia dorëzova oficerëve të OSCE-së, e të cilën e morri dhe e lexoi edhe Danica. Me të parë regjistrin Danica u egërsua jashtë çdo kontrolli, u ngrit në këmbë dhe me kërcënim na u drejtua: “Nuk ka marrëveshje me ju. Unë kufomat do t’i kthej në morg, dhe nesër do t’i sjelli përsëri në Shtime tek stacioni i policisë, ku me prezencën e policisë do të vijnë familjarët e 28-të kufomave për të bërë identifikimin e tyre. Familjarët të cilët nuk do ti marrin civilët e vrarë, ata do të varrosen me kriminelët e tjerë, me shpenzime të shtetit”. Toni i ishte shumë kërcënues dhe urdhërues, dhe takimi nuk kishte më asnjë vlerë. U ngritën që të gjithë në këmbë, ndërsa njëri nga oficerët e OSCE-së, tha se unë nuk kuptova se çfarë do të ndodh me kufoma. Danica iu përgjigjet duke thënë se këtu unë përfundova takimin. Në tentim për të dalë nga dhoma, disa nga ata ishin radhitur për të na përshëndetur. Me t’i parë, unë futa të dy duart në xhep ngase nuk doja t’iu zgjasja dorën atyre, dhe për një moment kam ndjerë se dy oficerët e OSCE-së, njëri në anën e djathtë, e tjetrit në atë të majtë, më kishin shtir dorën dhe kemi zbritur se bashku poshtë. Në momentin e zbritjes vërejtëm se tërë hapësira vazhdonte të ishte e mbushur me paramilitarë, ku ora ishte 02:00 e natës. Oficerët e OSCE-së mu drejtuan duke më pyetur se ku jetoj. Pasi i njoftova se unë jetoja në Prishtinë, ata më thanë se ne do të dërgojmë në shtëpi. Sapo filluam të ecnim për të shkuar deri të vetura e OSCE-së, dy herë policia serbe kanë tentuar që të na shtypin me veturë, duke ardhur drejt meje me një shpejtësi të madhe. Në asnjë moment nuk më janë larguar oficerët e OSCE-së. Unë kërkova nga ata, që para se të më përcillnin deri në shtëpinë time në Prishtinë, unë duhej të ndalesha tek zyrat e LDK-së në Shtime, sepse kisha lënë shumë aktivistë aty që më prisnin dhe duhej t’i njoftoja për atë se çfarë ndodhi. Kështu u nisëm fillimisht deri tek zyrat e LDK-së në Shtime, i përcjellë nga dy vetura të blinduara të OSCE-së. Më të mbërritur në zyre, i kam njoftuar të pranishmit se nuk ka marrëveshje për varrimin e kufomave. Aty ishte edhe një aktivist – Beqir Dauti, i cili jetonte ne dalje te Shtimes, në drejtim të Prishtinës, i cili kërkoi që të vij me mua deri tek shtëpia e vet, shtëpi kjo që ishte ne kufi me rrugën, pasi që gjendja ishte tejet e rënduar dhe rrugët ishin të boshatisura. Kështu, unë mora edhe atë, hipëm në veturë dhe vazhduam rrugën. Gjatë tërë kohës kam qenë nën përcjelljen e automjeteve të blinduara të OSCE-së. Sapo kam mbërritur tek shtëpia e Beqirit, e kam ndalur veturën që të zbres Beqiri, ku automjeti përpara i OSCE-së nuk më ka vërejtur dhe nuk është ndalur me mua, ndërsa automjeti tjetër i OSCE-së që ishte prapa meje u ndalë bashkë me mua. Vlen të ceket se pas një rruge që bëri automjeti përpara dhe vërejti që unë jam ndalur gjatë kohës kur po zbriste Beqiri, me një shpejtësi të madhe u kthye mbrapa tek unë për të parë pse ishim ndalur. Kështu, pasi Beqiri zbriti, ne vazhduam rrugën për në Prishtinë, vendin ku unë jetoja.
Një ditë më parë ka ndodhur takimi i aranzhuar nga OSCE me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në Mollopolcë, zona e Neredimës, ku sipas informatave që më dhanë Shaban Halimi dhe Faik Hysenaj, Shtabi i Përgjithshëm është dakorduar me propozimin e OSCE-së që marrja e kufomave do të ndodh sipas këtij orari: 14-të kufoma merren të nesërmen, pas dy dite të merren 14-të të tjera, ndërsa 12-të kufoma tjera do të merren pasi të iu bëhet obduksioni. Në mungesë të informatave, apo cili është shkaku që ata e pranojnë një variant të tillë, unë as atëherë e as sot nuk e kam të qartë, sepse ky ishte varianti i projektuar i Serbisë se 12-të kufomat e “terroristëve” të mos varrosen kurrë në Reçak dhe se motivi i luftës sipas tyre ishte lufta me “terroristë” e jo me qytetarë të pambrojtur.
Për të gjitha këto, të nesërmen e njoftova kryesinë e LDK-së.
Dy ditë më vonë sekretarja e kryesisë së LDK-së, Nekibe Kelemendi, më ftoj që të takohemi urgjentisht sepse OSCE ka arritur një ujdi me palën serbe që të mirren 40-të kufomat dhe që të varrosen të 40-të përnjëherë. Shkova te morgu me nxitim, ku aty takova Nekiben dhe një oficerë të OSCE-së. Me të mbërritur kontaktova Shaban Halimin dhe disa aktivistë të tjerë dhe kërkova nga ta që të sigurojnë disa kamion dhe të shkojnë në lokalet e Medresesë që t’i marrin arkivolet dhe flamujt te cilat i kishim përgatitur paraprakisht dhe t’i sjellin tek morgu. Të gjitha arkivolet, flamujt dhe materialet tjera ishin siguruar më parë nga anëtarët e Kryesisë Qendrore të LDK-së: Sanije Aliu dhe Aqif Shehu, ky i fundit ishte edhe kryetar i degës së LDK-së në Gjakovë.
Në ndërkohë, dikush kishte lansuar një dezinformatë tek OSCE-ja se gjoja familjarët po refuzojnë t’i marrin kufomat. Per këtë më informoi Nekibe Kelmendi, të cilën e sigurova se ishte dezinformatë dhe për ta vërtetuar këtë, mua më duhej që të shkoja në Shtime, por e tërë rruga ishte me postblloqe dhe ishte e rrezikshme shkuarja ime atje.
Pas bisedës së Nekibes me oficerin e OSCE-së, ata mu drejtuan duke më thënë se po më siguronin një automjet ushtarak të blinduar, i cili gjatë tërë kohës do të ishte në dispozicionin tim, vetëm të shkoja në Shtime për të vërtetuar se kjo ishte vetëm njëra ndër dezinofrmatat me prapavijë që lansoheshin atë kohë. Kështu, pas sigurimit të automjetit të OSCE-së, unë u nisa për në zyre të LDK-së në Shtime, bashkë me një ushtarak, i cili komunikimin me bazë e bënte përmes radiolidhjes në gjuhën frënge. Atje gjeta aktivistët dhe familjarët e të masakruarve. I sigurova ata se nga morgu po merreshin që të 40-të kufomat, dhe lajmi se gjoja po merreshin vetëm 28-të prej tyre ishte një dezinformatë e qëllimshme. Ata padyshim që u gëzuan, se së paku po ju ipej mundësia që të varrosnin pas afërsisht një muaji në vendin e lindjes më të dashurit e tyre, në vendin ku edhe u vranë. Gjithashtu, baca Gani (Gani Shahini) dhe Haki Hysiqi morën përsipër që të siguronin fuqinë punëtore për hapjen e varrezave, në mënyrë që të nesërmen të bëhej varrimi i tyre. Pas kësaj unë u ktheva përsëri tek morgu në Prishtinë. Aty gjeta edhe Zekirja Canën, një veprimtarë i dalluar i çështjes kombëtare. Sipas marrëveshjes për të cilën më kishte folur më parë Nekibja, morëm të gjitha kufomat nga morgu, të 40-tat, dhe u nisëm për në Shtime. Deri në fshatin Gjurkovcë, kolonën tonë e printe një automjet i policisë, ndërsa aty ai u ndal e në vazhduam për në Recak, në xhaminë e fshatit.
Podiumi i xhamisë së fshatit ishte i tëri në gjak, ngase të masakruarit fillimisht kishin ndenjur aty për dy ditë radhazi. Sapo arritëm aty, vjen një person që për mua deri atëherë ishte i panjohur, legjitimohet përmes librezës si pjesëtar i UÇK-së dhe me përcjelli një kërkesë të Shukri Bujës, komandat i Zonës së Neredimës, i cili kërkonte një takim me mua. Unë iu përgjigja që fillimisht më duhej që ta përfundoja procesin e varrimit dhe isha angazhuar që së paku varrimi i tyre të jetë sa më i dinjitetshëm, siç edhe duhej, e pas ceremonisë do të takoheshim pa problem, kur dhe ku të do ai. Pas tij, vjen imami i xhamisë, por me të mbërritur vërejta një shqetësim të madh në fytyrën e tij. Ai filloi të më lutej që për ceremoninë e nesërme të varrimit të bisedoj fillimisht me përfaqësuesit e UÇK-së. Unë e pranova një gjë të tillë dhe i thashë që të vinë në xhami dhe të bisedonim për mënyrën e varrosjes. Imami del jashtë, pas pak kthehet dhe thotë se ata në xhami nuk po vijnë por po kërkojnë që të dalim jashtë, në rrugë. Unë dola në rrugë, por ata nuk ishin. Atëherë imami kërkon që të ecim më tutje, tek shkolla në një distancë tjetër. Ishte mjaft vonë, një natë e errët dhe acarë. Në afërsi të shkollës takoj një grup njerëzish, në mesin e të cilëve kishte qenë Ruzhdi Jashari dhe Fehmi Mujota. Sapo u afrova në takim, Ruzhdi Jashari mu drejtua pa një përshëndetje paraprake: “Ju këto kufoma i keni sjellë nën përcjelljen e policisë serbe”. Atëherë unë ia ktheva:” Ruzhdi, ne e njohim patriotizmin e njërit tjetrit, fol se çfarë ke për të thënë”. Ai filloi të belbëzonte. Atëherë unë iu drejtova Fehmi Mujotës dhe të tjerëve, të cilët nuk i njihja: “Angazhimi im ka qenë dhe është në funksion të varrimit dinjitoz të 40-të kufomave që janë marrur me dhunë nga xhamia e Recakut . Tani po ndihem paksa i relaksuar, meqë me ndihmën e Zotit dhe miqve arrita të sillja në Reçak që të 40-të kufomat, dhe jo vetëm 28-të prej tyre, duke ia prishur Serbisë synimet e saj për të quajtur këtë masakër si konflikt i armatosur. Kufomat janë në xhami, në arkivole, të mbuluar me flamuj kombëtare dhe varrimi i tyre do të bëhet nesër, sipas marrëveshjes që do të arrijmë. Unë kam tre variante: ne mund t’i varrosim së bashku me familjarë dhe qytetarë të tjerë që po bashkëndiejnë dhimbjen. Variant i dytë është që t’i varrosim së bashku me ju (ushtarakë dhe civilë). Variant i tretë është se nëse juve ju pengon prezenca jonë, ne mund të tërhiqemi dhe vazhdoni ju bëni varrimin e tyre ngase neve konsiderojmë se kemi kryer misionin tonë.”
Me të dëgjuar propozimet, Fehmi Mujota reagon dhe mu drejtohet me një tonë miqësor:” Pse po fol ashtu? Si mund të na pengoj prezenca e juaj?” Unë ia ktheva;”Fehmi, unë nuk di çfarë mund të them tjetër. Më thoni ju se si dëshironi të bëhet varrimi, dhe ne do të pranojmë. Mjafton që varrimi po bëhet i të 40-të kufomave në Reçak, ashtu siç edhe e meritojnë.” Atëherë, Fehmiu kërkoj që ceremoninë e varrimit ta bëjmë së bashku. Unë i njoftova se është siguruar fuqia punëtore për hapjen e varreve (kryesisht kanë qenë romë që ishin paguar me para, ngase të rinj shqiptar në Shtime kishte pak për shkak të rrethanave të kijuara së fundmi).
Ruzhdi Jashari insiston që unë të shkoj me ta në Mollopolcë për një bisedë, propozim shumë djallëzorë që më vonë tregon synimin e tij. Duke pasur parasysh se ishte natë e vonë, unë nuk pranova të shkoj në Mollopolc, ngase konsideroja se nuk kishte mbetur diçka tjetër për të biseduar.
Pasi ndahemi, unë hipa në veturë për tu kthyer në Prishtinë. Përcjellësit e mi më njoftojnë se dikush ka bllokuar rrugën dhe unë në atë moment mendova se mund të ishte ndonjë kurth e policisë serbe. Atëherë, kërkova nga njëri prej përcjellësve të më të thërrisnin oficerin e OSCE-së, i cili nuk gjendej shumë larg nesh. Ai erdhi dhe pasi kuptoi situatën tha se unë me makinën time do të eci përpara, ndërsa ju ejani pas meje. Nën përcjelljen e tij, ne arritëm në Shtime, tek zyra e LDK-së. Pasi iu dhashë disa instruksione anëtarëve të kryesisë për veprimet e ditës së nesërme, u shpërndamë.
Me 12 shkurt unë mbajta një takim tjetër me Nekiben dhe Kolë Berishën, dhe mora instruksione të caktuara, ku ndër tjera më njoftuan se në ceremoninë e varrimit, pos të tjerëve, do të jenë prezent edhe anëtarët e Kryesisë Qendrore të LDK-së, këshilltari i presidentit Rugova (Xhemjal Mustafa), kori i burrave te Gjakovës, përfaqësues ndërkombëtarë në krye me William Walker dhe gazetarë të agjencive të jashtme. Qëllimi i prezencës së gazetarëve të jashtëm ishte që t’i tregohej botës krimi që kishte ndodhur aty.
Kthehemi në Shtime dhe unë marrë të gjitha masat për angazhimin e njerëzve. Në të arritur në Reçak, vërej një grumbull tepër të madh njerëzish. Pres të dakordohemi rreth mbarëvajtjes së tërë ceremonisë së varrimit. Në shoqërinë time, pos të tjerëve ishin: Këshilltari i Presidentit Rugova, Xhemjal Mustafa, anëtarja e Kryesisë Qendrore, Sanije Aliu, Ismajl Kosumi dhe shumë anëtarë të tjerë të Kryesisë Qendrore e të Këshillit të Përgjithshme, Kori i Burrave nga Gjakova, gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm, por për çudinë time aty nuk shohë Fadil Hysën, i cili ishte anëtar i kryesisë së LDK dhe deputet i zonës së Reçakut. Dëgjoj përmes megafonit, i cili ishte në një distancë jo të madhe prej nesh, se procesi i varrimit veç se kishte filluar. Neve nuk na mbeti tjetër pos që itinerarin e ceremonisë ta zhvillonim aty ku ishim. Fillimisht, të pranishmëve iu drejtohet Xhemajl Mustafa me një fjalim që paraprakisht kishte përgatitur, pastaj vazhdohet me korin e burrave. Pas kësaj, fillon procesi i varrimit. Gjatë procesit të varrimit, një grumbull i njerëzve në tesha civile, por të armatosur, gjatë gjithë kohës, me një arrogancë të pakuptueshme lëviznin rreth nesh. Aty mu drejtua Sanije Aliu: “çfarë po ndodh këtu, pse këta janë me armë? Marrëveshja me OSCE-në ka qenë që në varrim të mos ketë njerëz të armatosur.” Unë i përgjigjem se nuk e di, por nuk ka arsye për panik, se Zoti dhe njerëzit këtu janë me ne.
Ndërkohë, marr një informatë se disa pjesëtarë të UÇK-së kanë arrestuar disa pjesëmarrës në varrim dhe i kanë dërguar në drejtim të fshatit Petrovë. Unë së bashku me axhën Gani dhe aktivistë e përcjellës të tjerë nisem rrugës për në Shtime. Në kthesën e parë të fshatit Reçak kam parë një kamion të mbuluar dhe disa njerëz të armatosur. Njëri nga ta, Irfan Dautaj, më drejtohet duke më thënë se në emër të popullit jeni të arrestuar. Në atë moment kam vërejtur se disa të pranishëm më kanë mbuluar me trupin e tyre, ndërsa të tjerët kanë dalur para grykave të armëve. Kishte reagime të fuqishme edhe nga njerëzit që ishin prezent. Kam dëgjuar zërin e kushëririt të Irfan Dautaj, i cili iu ka drejtuar Irfanit duke i thënë: ”Ah i poshtër, na ke marrë fytyrën gjithmonë”, dhe ka dalur para armës së tij. Kam parë reagime edhe të shumë prindërve, të cilët djemtë e tyre i kishin në UÇK, si Regjep Emini, Haxhë Rexha dhe shumë të tjerë, e të cilët kanë dalur para armëve duke thënë se para se të na vrisni neve, tek ky nuk mund të mbërrini. Në ndërkohë është vërejtur se dy persona e kishin kapur axhën Gani me dhunë, e i cili kishte djemtë në UÇK. Kanë vrapuar përcjellësit e mi, dhe me dhunë ia marrin axhën Gani. Turma e të pranishmeve ka qenë shumë e madhe, dhe neve kemi ecur në këmbë nga Reçaku deri në Shtime, ngase nuk ishte e mundur transporti me veturë. Ata kishin ngritur edhe një kurth të dytë për arrestim, por ishte e pamundur arrestimi jonë sepse masa ishte shumë e madhe dhe njerëzit për rreth meje ishin shumë të acaruar, të cilët ishin të gatshëm me çdo sakrificë që të mos realizohej një skenar i tillë. Përveç familjarëve, miqve, aktivistëve e shumë qytetarëve, dua ta veçoj sekretarin e LDK-së në Fushë Kosovë, Imer Shfarca, i cili gjithmonë në momentet më kritike të mijat ishte afër meje, dhe në momente të caktuara më mbulonte edhe me trup. Këtë njeri që kishte bërë shumë relacione Kosovë-Shqipëri për të mirën e kombit, gjegjësisht në transportimin e parave për të mbajtur gjallë jetën paralele në Kosovë (si arsimi, shëndetësia, informimi e të tjera) më vonë policia serbe e zë, e maltreton për vdekje dhe me një batanije e qesin në stacionin e trenit në Fushë Kosovë. Njerëzit që ishin duke ikur për në Maqedoni e marrin në tren dhe ai jeton deri në Tetovë, ku me të mbërritur atje, për shkak të maltretimeve çnjerëzore që i kishin bërë ndërron jetë. Imer Shfarca kishte bërë dhe një sakrificë tjetër shumë të madhe, ku gjatë kohës kur ishte bërë masakra e familjes Jasharaj në Prekaz, kishte arritur të depërtojë kordonin e ushtrisë serbe dhe të hynte në Prekaz, në mënyrë që të kontribonte në vorrimin dinjitoz të këtyre martirëve. Dëshmia e saj është gazeta “Bujku”, ku të nesërmen e publikon foton e prezencës së tij gjatë procesit të vorrimit.
Policia serbe kishte qenë e bindur se arrestimi im do të ndodhte gjithsesi në Reçak, dhe prezenca ime fizike në Shtime ishte befasi e madhe për ta.
Të nesërmen marrë informatën se gjatë procesit të varrimit janë arrestuar nga pjesëtarët e UÇK-së mbi 140 pjesëmarrës e janë dërguar në Petrovë, me motive se gjoja ishin bashkëpunëtorë të okupatorit, e që nuk kishte lidhje me të. Duke pasur parasysh se ne atëkohë ishin shumë të mangëta mjetet e informimit, jetonim në një terr informativ, ku dezinformatat kishin arritur kulmin e tyre, ky veprim u bë me qëllim që disa individë të caktuar ta mbulonin turpin e ngjarjes dhe ta kamuflonin se kjo ishte një tentativë e LDK-së për të fituar poenë politik. Kur i dëgjon këto lansime imami i xhamisë, Isa Tershana, personi i cili kishte ndërmjetësuar marrëveshjen mes meje dhe pjesëtarëve të UÇK-së për skenarin e varrimit, atëherë ky i fundit shkon ne redaksinë e “Bujkut”, gazeta që publikohej atë kohë dhe e prezanton marrëveshjen e propozuar dhe të arritur atë natë (3 variantet e propozuara nga unë dhe vendimi final për organizimin e varrimit bashkërisht). Kjo ishte dëshmi për ta zbardhur të vërtetën e plotë. Këtë dëshmi e publikon gazeta “Bujku”. Vlen të theksohet se, edhe sot jam i bindur thellë se ata që na kishin kërcënuar në atë kohë të rënd për vendin ishin vetëm disa individë. Sepse, një veprim të tillë kurrë nuk do ta bënte asnjë ushtar i UÇK-së, ngase pjesa dërmuese e ushtarëve të lirisë – UÇK-së, ishin vetë aktivistët më të devotshëm të LDK-së.
PSE PIKËRISHTË REÇAKU?
Të gjitha analizat na flasin se pozita gjeostrategjike e Shtimes është pozita më e volitshme, ku Reçaku është mesi i Kosovës. Reçaku ndodhet në hyrje të maleve të Sharrit dhe vetëm 3-4 km larg qytetit. Mesazhi do të ishte ky: “Popullata duhej të tmerrohej dhe ishte në funksion të spastrimit etnik, të cilën skenarë më vonë e realizuan forcat serbe”.
Ali SADRIU
Prishtinë
07/02/2024