Autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar të Medraës kanë ndaluar për më shumë se një orë e gjysmë deputeten e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje. Ndalesën e ka konfirmuar vetë deputetja kosovare për RTK-në.
Ajo nëpërmjet telefonit ka thënë se ka qenë bashkë me bashkëshortin e saj dhe fëmijët në një udhëtim për në Austri, ndërsa policia serbe i ka ndaluar në kufi pa asnjë arsyeje dhe asnjë shpjegim.
“Kur bashkëshorti e pyeti policinë se cili është qëllimi i ndalesës, ata thanë se është kontroll i rregullt”, deklaroi Balje.
Ajo tha se tani kanë vazhduar rrugës drejt Hungarisë, prej nga edhe do të shkojnë në Austri.
Kujtojmë se javën e kaluar autoritetet serbe kanë ndaluar disa autobusë me kosovarë në pikën e kalimit Serbi-Kroaci, ndërsa në kufijtë me Kosovën arrestuar disa policë kosovarë. Shumica prej tyre u lëshuan përjashtuar zëvendëskomandantin e policisë në veri Dejan Jankoviq i cili u dënua me 30 ditë paraburgim.