Gordana Siljanovska – Davkova ka pranuar sot detyrën e presidentes së Maqedonisë së Veriut. Ajo para presidencës u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti i deritanishëm, Stevo Pendarovski.
Gordana Siljanovska-Davkova e mori pozitën e Presidentes së Shtetit nga Stevo Pendarovski në kabinetin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ceremoni zyrtare.
Paraprakisht, Davkova dha betimin para deputetëve në Kuvend. Në deklaratën e saj solemne, të cilën e përsëriti pas kryetarit të Kuvendit, Jovan Mitreski, ajo nuk e tha emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut”, por tha vetëm Maqedonia.
“Deklaroj se postin e Presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi, do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet, do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, theksoi ajo.
Ajo më pas mbajti edhe një fjalim para deputetëve dhe mysafirëve të ftuar.
“Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova.
Davkova fitoi në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 8 maj. Ajo është presidentja e parë grua dhe e shtata më rradhë ,që nga pavarësimi i këtij vendi. Davkova është 70 vjeçe. Ajo është doktore e shkencave juridike dhe nënë e dy fëmijëve.