Nga YMER HYSA
Në mesin e marsit të vitit 2023 i kërkoj një takim për të biseduar rreth jetës e veprimtarisë së tij pasi, dëshiroja ti bëja një shkrim si njëri nga mësuesit që la emër të mirë kudo ku jetoi dhe punoi në rrethet Krujë dhe Kurbin e më gjërë. “Edhe pse jam pa qejf do ti dërgoj të dhënat Imer, mirënjohje” do të më shkruante. Pasi kaluan ca ditë i shkruaj përsëri dhe përsëri do të më përgjigjej “Imer, nuk e harroj porosinë e njerëzve me vlera si ju përqafime. Jam pa qejf dhe më duhët të bëj ca vizita intensive, bëra tre operacione në Venecia”. Këto ishin letërkëmbimet e fundit me mësuesin e shkëlqyer dhe ish Drejtorin tim të shkollës së mesme. Po kush ishte Napolon Bala Njohjen e parë me Profesor Napolonin e kam patur në vitin e fundit të shkollës së mesme në Laç kur ai erdhi drejtor i shkollës duke zëvendësuar Sofokli Rrapin pas një shkarkimi enigmatik për ne ish nxënësit dhe mësuesit e asaj kohe nga Ministrja e Arsimit Tefta Cami. E them enigmatik pasi nuk u mor vesh asnjëherë motivi i saktë. Gjithsesi ardhja drejtor i Napolon Balës jo vetëm nuk e zbehu rolin e shkollës, por e ruajti në nivelet më të larta. Unë do i jem përjetësisht mirënjohës dhe nuk do e harroj kurrë kur më këshilloi para se të futëm në provimin e Njohurive Marksiste Leniniste se gjithçka duhej ta përgatisja me shkrim, qoftë edhe përgjigjet e pyetjeve që bëheshin me gojë, pasi përndryshe qëndrimi im jashtë linjës politike të organizatës së partisë rreth problemit të ministres do më penalizonte me notë poshtë 8 dhe do të humbja të drejtën për studimet e larta dhe pse me mesatare 10. Napolon Bala ka lindur në fundshkurtin e vitit 1948 në fshatin Pilur të Himarës, një fshat i bukur ky që qëndron si karakoll sipër qytetit të bukur bregdetar. Ishte i biri i një familje të thjeshtë që merrej kryesisht me blegtori dhe pak me bujqësi. Në këtë fshat fillon shkollimin dhe përfundon arsimin bazë me rezultate të shkëlqyera. Ai e kujton me nostalgji atë shkollë të vogël me dy klasa kolektive dhe mesuesit që vinin nga fshatrat e tjerë. “Pas përfundimit të shkollës fillore ishte shumë problem vazhdimi i shkollës 7-vjeçare, do të shprehëj mësues Napoloni, pasi Piluri ishte shumë larg qendrave të banuara”. Por etja për dije e Napolonit dhe dëshira e prindërve për të shkolluar fëmijët, bënë të mundur që të gjendej një mundësi. Si shumë fëmiijë të tjerë edhe Napoloni do të vazhdonte nga fshati në Himarë në një rrugë sfilitëse, veçanërisht në kthim. “Në shtëpi ktheheshin vonë në darkë dhe prindërit e ndjenin këtë vështirësi dhe nisen të kërkonin mundesi të tjera”, tregon Napoloni. Kështu nëna e Napolonit takon vëllain në Borsh dhe i kërkon ndihmë. Daja një njohës i mirë i jetës e merr Napolonin te shkolla e Borshit dhe ai fillon këtu klasën e pestë. Në këtë periudhë babai i Napolonit ishte larguar për kushte më të mira jetese në fshatuin Vuno, ku arrin të sistemohet familjarisht me të gjashtë fëmijët, tre djem e tri vajza, ku Napoloni ishte fëmija i dytë i familjes.. Kështu në vitin 1956 familja vendoset përfundimisht në Vuno, në fshatin e bukur e të etur për dije e kulturë. Vunoi, ky fshat piktoresk, në veri përshëndetej nga Mali i Mjergulloshit dhe nga jugu freskohej me stërkalat e Detit Jon. Vetë fshati shtrihej mes dy kodrave dhe ngjante me një amfiteatër si për të treguar se për mijëra vite ishin luajtur sa e sa drama njerëzore. Në shkollën e Vunoit që mbante emrin e patriotit dhe nismëtarit të arsimit e kulturës së bregdetit të Himarës Naqe Konomi. Në këtë shkollë në vitin 1962 mbaron 7 vjecaren me rezultate të shkëlqyera dhe nga këtu nis rrugëtimin e mëtejshëm për dije në shkollë të mesme. “kjo ishte motoja jonë dhe dëshira e prindërve” do të shprehej mesues Napolonoi. Në zonën e Bregut të Detit bëjnë pjesë 7 fshatra, njëri më i bukur se tjetri ku rriten fëmijë të etur maksimalisht për dije. Këtu ishte vetem një gjimnaz dhe mblidheshin pothuajse të gjithë nxënësit që mbaroni shkollën 7 vjecare, përjashtuar ata që vazhdonin studimet në rrethe të tjera në shkolla profesionale me konvikte, si dhe ata që shkonin te njerëzit e tyre nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Në vitin 1963 Napoloni me shumë shokë të tij do të niste shkollën e mesme në gjimnazin Spiro Gjiknuri, një gjimnaz ky me traditë dhe me një personel arsimtarësh të kualifikuar. Distanca Vuno Himarë dhe anasjelltas ishte rreth nëntë kilometra, mjaftë e lodhëshme për fëmijët e kësaj moshe. Gjithsesi edhe pse me vështirësi lëvizje shkollën e mesme e kryen me rezultate të larta në vitin 1967 duke realizuar atë dëshirën e prindërve dhe duke i gëzuar ata. Napoloni kujton me mall e respekt mësuaesit e tij Eduart Rexho, Aleko Sima Jano Koci respektivisht mësues të matematikës, letërsisë dhe historisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme Napolon Bala përfundon studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës në degën Gjuhë Letersi me rezultate të shkëlqyera, për ti plotësuar më tej në vazhdim në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të fakultetit Napolon Bala nis punën si mësues në shkollën 7-vjeçare në Gurëz të Krujës, sot Kurbin, një shkollë kjo me tradita të larta në mësimdhënie dhe zonë me njerëz arsimdashës. “Në shkollen e Gurzit jam ndjerë mirë, punova me drejtues dhe mësues të përkushtuar, tregon vetë mësues Napoloni. Këtu u miqësova shumë me ta dhe i kujton me shumë mall si drejtorin Luigj Tarja dhe mësuesit Gjokë Bici, Pashuk Bici, Bajram Haliti, Malush Çela, Kimete Lami, Pjeter Shkreli, Beqir Mehi, Fatmira Hoxha, Irfan Balla, Zenepe Saliu etj. Napolon Bala nuk ishte thjeshtë një mësues, falë punës së tij dhe përgatitjes shkencore dhe sjelljes, shumë shpejt fitoi respektin e atyre qe e njihnin. Pas disa vite pune në shkollën e Gurzit ai transferohet në shkollën 8 vjeçare Milot, ku fillimisht fillon punë si mësues dhe pastaj si drejtor i kësaj shkolle, e cila pas pak viteve kthehet në shkollë të mesme të bashkuar të cilën do ta drejtonte si drejtor Napoloni. Kjo nuk ishte e lehtë. Do të ballafaqoheshe me shumë probleme. Mesuesit vinin jo vetëm nga zonat për rreth, por edhe nga Tirana e rrethe të tjerë, por falë përvojës dhe bashkëpunimit shkolla drejtohej dhe menaxhohej mirë duke e bërë një shkollë me emër. Kjo falë edhe punës së mesuesve të talentuar si Zef Kola, Gezim Jarani, Haxhi Haxhiu, Muharrem Sanxhaku, Themo Çeku, Preng Toma, Vladimir Gumeni, Miran Ulqinaku, Fatmir Nekshiqi, Fatmir Luarasi, Marije Kola, Milika Llanaj, Limon Gjoka, Rajmonda Nako, Kurt Dibrani, Kolë Markaj e të tjerë. Pas pesë vite pune të suksesëshme Napolon Bala emërohet drejtori i shkollës së mesme në Laç një nga shkollat më të mëdha në vend, me mbi 2500 nxënës duke zëvendësuar ish drejtorin Sofokli Rrapi siç e theksova edhe në fillimj nga një shkarkim absurd dhe enigmatik. Shkolla e mesme e Laçit kishte shumë degë me dhe pa shkëputje nga puna. Fati i Drejtorit ishte se stafi i tij përbëhej nga zv/drejtorë të talentuar e të aftë si Bastri Likaj, Themistokli Çeku e Sashenka Nano, si edhe nga mësuesit e nderuar Asllan Bami, Zenel Poçi, Semi Hoxha, Lulzim Avdyli, Izota Katuçi, Xhemal Xhafa, Bashkim Balani, Afërdita Alla Isufi, Mjaftore Keraj e shumë të tjerë. Pas disa vite pune në këtë shkollë të mesme, Napolon Bala emërohet Kryeinspektor në seksionin e Arsimit Krujë. Këtu ai do të ballafaqohej me kandidatët për studime të larta, detyrë tepër e vështirë kjo që po thuajse kërkonte drejtësi hyjnore se luhej me fatet e jetën e të tjerëve. Por edhe përse detyrë delikate dhe e vështirë Napoloni e përballoi me sukses, falë kjo edhe e mbështetjes së Shefës së Arsimit të Rrethit Krujë Lule Seseri Berani dhe të sekretares së komitetit ekzekutiv Mereme Berushi Parruca. Në seksion të arsimit ku punoi u njoh edhe me bashkëpunëtorët e tij Luan Bajo, Sadik Lama, Bukurie Subashi, Eqerem Dollaku, Ylli Dedja, Hiqmet Roda, Sabri Lila, Eqerem Dollaku, Qemal Vogli etj. Në seksionin e arsimit në Krujë, pas një pune rreth 7 vjeçare dhe duke lënë një emër të mirë, për arsye familjare në vitin 1987 largohet nga seksioni i arsimit dhe emërohet në gjimnazin e Milotit. Pas një pune pothuajse 10 vjeçare në Milot, në vitin 1997 Napolon Bala emërohet në seksionin e arsimit Laç, duke qenë një bashkëpunëtor i mirë dhe një ndihmës besnik dhe i ndershëm i Drejtorit të arsimit të Rrethit të Kurbinit, Lulzim Avdyli. Nga këtu, pothuajse pas një dekade pune, pikërisht në vitin 2006 shkon në gjimnazin e Mamurrasit në shërbimin psikologjik që filloi të aplikohej pranë shkollave shqiptare, ku punoi deri sa doli në pension. Napolon Bala nuk ishte thjeshtë një mësues apo drejtor, ai ishte nje prind model dhe një poet i shquar e publicist i mirë. Ai asnjëherë nuk ka rreshtur së bashkëpunuari me organet qendrore dhe lokale të shtypit apo duke shkruar poezi dhe reportazhe… Mësuesi i shquar dhe drejtori i aftë i mbylli sytë përgjithmonë më 1 Maj 2024, dhe u përcoll për në banesën e përjetshme në Vuno të Himarës, si bir i asaj treve. “Ai qe një mësues e drejtues model, një shok dhe mik i rrallë, një qytetar i shkëlqyer qe e filloi karrierën e mësuesit në vitin 1969 në Gurëz dhe e mbylli në Laç. Jetoi dhe punoi në Kurbin 55 vjet”, o te shprejej miku i tij mesuesi dhe drejtuesi Zef Kola.