Ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se për 6 muaj me radhë, kanë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike.
Ai ka thënë se familjet përfituese, edhe këtë muaj do të pranojnë subvencionimin direkt në faturë të energjisë elektrike.
“Faza e pilotimit përmbyllet me ekzekutimin e këstit të 6-të të subvencionimit, për secilën nga familjet e cenueshme. Mësimet e informatat që kemi mbledhur përgjatë pilotimit 6-mujor do të përdoren që të dizajnojmë masën e rregullt të mbështetjes së familjeve të cenueshme, e cila pritet të ri-aktivizohet në stinën e dimrit”, ka thënë Murati.
Po ashtu ai ka bërë të ditur se masa e pilotimit ka qenë e mbështetur financiarisht nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian, në kuadër të mbështetjes së shteteve të Ballkanit Perëndimor për tejkalimin e krizës energjetike.