Jeta është një aventurë. Ka shumë vende në Shqipëri ku mund të përjetoni një aventurë të paharrueshme. Një vend i mrekullueshëm me natyrë të egër dhe trashëgimi të pasur kulturore.
Këto ditë vape që shkrumbon çdo gjë, edhe pushimet ne det duken të bezdisshme. Por vendi ynë turistik ka mjaft mrekullia natyrore, ku mund të bësh një aventurë për të mbajtur mend, që përveç pamjeve të bukura të jep edhe një freski për të kaluar ditët e pushimeve, shkruan Kosovatimes. Në këtë vend ju mund të zgjidhni midis vargmaleve të larta malore, liqeneve të bukur smeraldi dhe parqeve kombëtare. Disa nga rrugët nëpër të cilat ecni ndryshojnë. Të paktën për një moment të bëjnë një person ndryshe, të ndihesh sikur ke pushtuar botën, të japin dozën e nevojshme të hormoneve të lumturisë dhe të ulin stresin. Do hapim një pasqyrë të pesë destinacioneve në këto ditë vere që po “shkrin” gjithçka.
Aventura në kanion është një prej tyre. Ne besojmë se të gjitha aventurat fillojnë me dëshirën për të ditur dhe përjetuar më shumë. Shpatet e maleve të këtij vendi kanë gdhendur disa nga kanionet më të bukura. Nuancat blu të përshtatura nga gjelbërimi i egër dhe shkëmbinjtë e mprehtë përfaqësojnë një përvojë të veçantë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
Të fuqishëm dhe të bukur, kanionet e Shqipërisë që duhet t’i vizitoni të paktën një herë në jetë. Ujërat e bruztë të kufizuar nga shkëmbinj pothuajse në çdo hap ofrojnë pamje të paharrueshme dhe varet nga ju nëse zgjidhni rrugë që rrisin adrenalinën.
Ujërat e fuqishëm që, duke hapur rrugën e tyre, kanë formuar disa nga pjesët më të bukura të Shqipërisë në mot të mirë, janë një frymëzim i pashtershëm për ekskursione – qofshin shëtitje të qeta përgjatë lumenjve të kristaltë, aktivitete adrenaline apo eksplorime në qoshe të fshehura në natyrë.
Gryka e Këlcyrës
Një park tejet i bukur 445 kilometra nga Prishtina, ose 119 kilometra nga Vlora në drejtimin e Përmetit. Është një zonë tejet e bukur, e ngjitjes, një domosdo për për çdo të pasionuar për ecje, kështu që ju mund të zgjidhni, sipas gjendjes fizike, nëse dëshironi një rrugë më të lehtë apo më të kërkuar. Ajo ka një pamje spektakolare në qytetin e Këlcyrës (13 km e gjatë dhe 1000m e thellë). Vend pushimi në të cilin gjenden burime ujore malore të cilat derdhen në lumin Vjosë në formë ujerash, të rrethuara nga një masiv pemësh.
Është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro – hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjose, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë. Gjatësia e kësaj lugine është 13 km dhe gjerësia 1 – 1.5 km. Përgjatë luginës Gryka e Këlcyrës gjendet burimi ujor Ujët e Zi, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë.
Ky peizazh tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët. Dy ujëvarat e saj janë vetëm disa nga atraksionet që ia vlen të vizitohen, dhe ju mund të mësoni më shumë për bukuritë e tjera të parkut magjepsës këtu. Pas një avanture ecjesh, këtu mund të freskoheni ne restorantet si Sofra Zagorite, Bar Restorant Allamani apo Restaurant Sarajet.
Gryka e Murdharit
Kjo ndodhet në verilindje të qytezës së Kërrabës, Tirane. Është formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë nga përroi homonim, degë e Erzenit. Gryka është e gjatë rreth 1 km, e thellë rreth 100 m dhe e gjerë rreth 30 m, duke marrë trajtën e një kanioni mjaft interesant. Ka shpate të thepisura, me guva e shpella karstike të vogla. Përbën një ekosistem karstik me vlera shkencore, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike të karakterit vendor.
Tek ky monument shkohet duke ndjekur rrugën Tiranë – Mushqeta – qyteti i Kërrabës për 25 minuta. Kjo grykë mund të ofrojë diçka për të gjithë – kanioni, kajak ose rafting janë vetëm disa nga aktivitetet adrenaline që mund të provoni, dhe shëtitjet e gjata përgjatë lumit, shëtitjet panoramike me varkë dhe përvoja të tjera, më paqësore gjithashtu nuk lënë pothuajse askënd indiferent.
Grykat e Osumit
Të njohura ndryshe edhe si “Kanionet i Skraparit”, është kanioni më i madh lumor në Shqipëri. Ai gjendet në rajonin jugor të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Qarkun e Beratit, Rrethi i Skraparit. Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit. Kjo zonë njihet për bukuritë dhe pasuritë e shumta natyrore. Është i rrethuar nga pyje të pasura.
Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.
Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh.
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas te shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit te Osumit. Ky kanion ende i panjohur mire për shkak te mungesës se publicitetit, është një nga perlat e natyrës shqiptare dhe një vend gati tërësisht i virgjër për tu eksploruar nga turistet si vendas ashtu dhe te huaj.
Kanioni i Lengaricës
Aventura juaj në një kanion të egër dhe të paprekur do të jetë plot adrenalinë dhe emocione. Kanioni është argëtim në ditët e nxehta të verës.
Ky kanion dhe rrjedha e lumit të Lengaricës, përbën një nga degët më të mëdha që ushqejnë krejt zonën burimore të Vjosës, ndërkohë që burimet termale ndodhen jo më larg se 5 km larg qytetit të Përmetit dhe rruga për të shkuar te ky vend i shenjtëruar, devijon nga rruga nacionale Përmet – Korçë vetëm 200 – 300 metra pa arritur në qendër të komunës në Petran.
Ka një pamje idilike. Pa sinjale, zhurmë dhe një pyll ku mund të gjesh ende qetësi.
Padyshim, lumi i Langaricës, kjo degë e fuqishme për Vjosën që për vendasit është “lumi i bekuar”, rrjedh me forcë përmes një kanioni spektakolar shkëmbor të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Dangëllisë dhe Shqerisë dhe që “urtësohet” vetëm një kilometër para pikëtakimit të tij me Aos-in e lashtë apo Vjosën e kohës tonë. Peizazhi natyror i këtij lumi deri tani të harruar, është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Peizazh i bukur, i frikshëm dhe i ndryshueshëm sipas stinëve. Katër stinët kanë katër peizazhe të ndryshme dhe të mahnitshme. Është vërtet një lumë misterioz, i bukur dhe i begatë. Në dimër, Langarica “tërbohet”, por nuk del dot nga shtrati, sepse nuk e lejojnë “muret” shkëmbore të kanionit. Shtrati i këtij damari ujor malor, që fillimin e ka diku në lartësitë e Shqerisë e Dangëlllisë pranë zonave të Frashërit, Miçanit, Delvinës, Melanit, Koblarës deri në kufi me rrethin e Skraparit. Prurjet e jashtëzakonshme gjatë dimrit e ndryshojnë për vit konfiguracionin e territorit përreth Ures se Kadiut, një monument i rrallë kulture.
Kanioni i Vanave
Është monument natyror në sektorin e mesëm të rrjedhjes së lumit të Lumës (degë e Drinit të Bardhë) 600 m mbi nivelin e detit. Në një distancë prej 112 kilometrave nga Prishtina ka një pamje spektakolare , I përket fshatit Topojan i komunës me të njëjtin emër në rrethin e Kukësit. Është i gjatë rreth 3.5 km, i thellë rreth 300 m dhe i gjerë rreth 30-40 m. Ka shpate të thepisura,ka zgjerime e ngushtime, kone depozitime në shpate dhe në grykëderdhjet e përrenjve që përfundojnë në përroin e Lumës. Përgjatë saj kalon rruga që lidh qytetin e Kukesit me komunat Topojane e të Shishtavecit. Në të njëjtën kohë përbën edhe një ekosistem interesant dhe karakteristik të trevave shqiptare. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike), didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike. Mund te vizitohet gjate itenerarit Kukës-Tropoje.
Lugina e Kanionit është pothuajse 3,5 kilometra e gjatë.Mund të zgjidhni midis një shëtitjeje të lehtë deri në pikën e vëzhgimit, e cila do t’ju japë një pamje të mrekullueshme të kullave gëlqerore. /I.K/Kosovatimes