Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, në një konferencë për media, kanë dhënë informacione për arratisjet e fundit t dy tëë burgosurve nga qendrat korrektuese të tipit të hapur.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, duke folur për dy largimet nga qendra korrektuese të tipit të hapur, tha se Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë është në vendngjarje dhe sapo të marrim raportin, do të merren vendimet adekuate. Sipas tij largime kanë ndodhur në të kaluarën dhe kjo mund të ndodh edhe në të ardhmen.
Dy të larguarit tha Sallhu, ishin të integruar dhe se ishin pjesë e institucioneve korrektuese të hapura. Ai tha se qendra korrektuese të tipit të hapur nuk i nënshtrohen masave të larta të sigurisë, sepse qëllimi është realizimi i programeve avancuese për të burgosurit që i nënshtrohen rehabilitimit dhe integrimit.
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, tha se ditëve të fundit ka patur dy largime nga institucionet e tipit të hapur. Ai tha se Faton Hajrizi dhe i dënuari tjetër e kanë pasur të drejtën e shfrytëzimit të vikendit në shtëpi kur janë larguar nga institucionet e tipit të hapur.
Ai deri sa foli për të larguarit, tha se pavarësisht lartësisë së dënimit, kur një i burgosur përfundon gjysmën e dënimit dhe ka sjellje të mira, obligohen që t’ia mundësojnë kalimin e vikendve në shtëpi.
Dibrani tha se i dënuari Faton Hajrizi ka qenë i dënuar prej 25 vitesh, ai ka përfunduar 1/2 e dënimit në vitin 2012 dhe sipas legjislacionit në fuqi i dënuari i cili kalon 1/2 e dënimit, ka të drejtë ta kalojë vikendin në shtëpi.
Ai tha se Hajrizi disa herë ka shfrytëzuar këtë mundësi, pra e ka kaluar vikendin në shtëpi por është rikthyer në burg.
Dibrani, foli edhe për të arratisurin tjetër, Ujkan Mataj i dënuar më 11 vjet burgim pas ai kishte ndihmuar Kamer Metajn të kryejë grabitje në një bankë në Istog, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Izet Demaj si dhe njëri grabitës i bankës, por i njëjti në janar të këtij viti e ka fituar të drejtën për ta shfrytëzuar vikendin në shtëpi.
Edhe Dibrani tha se Inspektorati dhe Shërbimi Korrektues po zhvillojnë hetimet e brendshme lidhur me këto raste, por se hetime po zhvillojnë edhe institucionet e sigurisë.