Me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Prof. dr. Eshtref Ademaj, departamenti i matematikës i FShMN-së, organizoi akademi përkujtimore. Veç profesorëve e ish studentëve, të pranishëm ishin dhe zyrtarë institucionalë, të cilët vlerësuan jetën dhe veprën e tij.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se profesor Ademaj shpenzoi gjithë potencialin e tij në avancimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij, “ku përveç se profesor, ai ishte një aktivist i devotshëm i të drejtave të njeriut dhe i çështjes sonë kombëtare”.
“Kontributi i tij ishte tejet i rëndësishëm në kohën kur shteti okupator serb, me tërë fuqinë e tij, kishte vendosur për zhbërjen e shkollës shqipe në përgjithësi e veçanërisht të Universitetit të Prishtinës. Pas aplikimit të masave të dhunshme administrative në universitet, profesor Eshrefi ishte ndër ideatorët kryesorë të vazhdimit institucional dhe legal të punës së universitetit nëpër objekte private, e madje ai dha në dispozicion edhe shtëpinë e tij”, tha kryeministri.
Kësisoj, sipas Kurtit, përgatitja e profesorit dhe aftësitë e jashtëzakonshme organizative e nxorën në ballë të çdo organizimi që ishte në interes të shkollës shqipe dhe të popullit shqiptar të Kosovës.
“Te profili i prof. Ademajt mund të lexohet një angazhim dhe aktivizëm aq i balancuar prej matematikani e studiuesi, prej profesori e ligjëruesi, prej prodekani, dekani dhe prorektori, por edhe prej një aktivisti të të drejtave të njeriut, një ndërmjetësuesi e pajtuesi të gjaqeve e të ngatërresave dhe prej një intelektuali të angazhuar deri në ditën e fundit të jetës së tij”, tha ai.
Kryeministri përmendi edhe rezultatet shkencore të profesor Ademajt të publikuara në revista serioze ndërkombëtare. Veçoi faktin që ai themeloi revistën e parë shkencore në fushën e matematikës, të titulluar “Punime Matematike”, ku botoheshin artikuj shkencorë të matematikanëve dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota.
Ndërkaq, brenda pak vitesh arriti ta indeksojë revistën në të dy institucionet më kredibile shkencore ndërkombëtare: Mathematical Reviews dhe Zentralblatt.
“Kontributi i tij u konkretizua siç u tha edhe më herët me publikimin e librit “Kosova Viktimë” në bashkautorësi me Zvonimir Sheparoviqin, një viktimolog i njohur ndërkombëtarisht. Ndërkaq, si anëtar i KMDLNj-së në Prishtinë, ai kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, si dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve”, përmbylli kryeministri Kurti duke shtuar se kujtimi për akademik Eshref Ademaj do të jetë i përjetshëm dhe roli i tij në historinë e Kosovës do të mbetet gjithmonë i dukshëm dhe i nderuar.
Elver Bajrami shef i katedrës së Matematikës tha se në Mbledhjen e VIII për vitin akademik 2023/24, ka marrë vendim që akademitë përkujtimore të mbahen çdo dhjetë vjetorë për anëtarët e Departamentit që janë ndarë nga jeta.
“Këta profesorë sakrifikuan shumë që fillimisht Departamenti të formohet pastaj të zhvillohet e të rritet, dhe të arrijë aty ku është sot. Është respekt më i veçantë që kjo seri e akademive të fillohet pikërisht me njërin nga ata që bëri më së shumti për Departamentin, akademik Eshtref Ademaj.
Në vazhdim për të gjithë ata që nuk e kanë njohur mjaftueshëm akademik Eshref Ademajn, ia dha një biografi të shkurtër.
Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të profesor Ademaj, profesori Rexhep Gjergji tha se 30 vjet më parë u shua njëri ndër intelektualët më të mirë, më të angazhuar dhe më të guximshëm që pati Kosova, akademik Eshref Ademaj. Eshref Ademaj bënte pjesë në gjeneratën e parë të studentëve të matematikës të vitit 1960, vit ky kur për herë të parë ishte hapur Fakulteti Filozofik në Prishtinë. Ai ishte i pari që u regjistrua dhe i pari që ua diplomua. Ishin vetëm 4 studentë shqiptarë nga 19 sa ishin gjithsej.
“Profesor Ademaj për shumë kohë, në matematikë, paraqiste cakun ku duhej të arrinim edhe ne të tjerët pas tij. Ai u gëzohej sukseseve të tjerëve sikur të ishin të vetat. Prandaj ishte i veçantë! Ai e donte jetën në mënyrën e vetë dhe dinte se si ta jetonte atë. Ai jetën e jetoi dendur dhe vrullshëm. Duket se obligimet e kësaj bote, që i kishte të paracaktuara nga mbinatyra, i përfundojë para kohe, prandaj vdekja mizore e rrëmbeu në moshën 54 vjeçare kur kishte arritur në kulmin e pjekurisë edhe intelektuale”, tha Gjergji.
Duke shprehur dhembje për ikjen nga kjo botë të z. Ademaj, ai e falënderoj pafundësisht për gjithë trashëgiminë që na la ne dhe brezave që vijnë.
“Nuk mund pa a përmend edhe kontributin e tij të madh në aksionin për pajtimin e gjaqeve dhe në Këshillin për mbrojtjen e të Lirive dhe te Drejtave të Njeriut”, tha Gjergji.
Ai ndau me publikun dy momente, që sipas tij janë tepër të rëndësishme dhe të cilat flasin shumë për personalitetin prej intelektuali dhe atdhetari të prof. Eshref Ademajt.
Një, kongresi i matematikanëve të Jugosllavisë në Prishtinë
“Në vitin 1985 në Prishtinë duhej të mbahej Kongresi i Matematikanëve të Jugosllavisë. Padyshim se kjo ishte ngjarje e madhe për vetë karakterin shkencor që kishte dhe emrat me nam që ishin ftuar dhe kishin paralajmëruar se do të vinin në Prishtinë. Kjo ngjarje ishte e rëndësishme edhe për faktin se do të mbahej në kohën kur Kosova sulmohej nga të gjitha anët dhe propagandohej me të madhe që Kosovës të mos i lejohej mbajtja e Kongresit dhe të mos i lejohej të merrte kryesimin e Shoqatës së Matematikanëve, Fizikanëve dhe Astronomëve të Jugosllavisë në kuadër të së cilës vepronte Shoqata e Matematikanëve të Jugosllavisë. Ky kongres ishte ngjarja më madhe e karakterit shkencor që do të mbahej ndonjëherë në Kosovë dhe kjo ndodhte vetëm katër vjet pas demonstratave të vitit 1981. Presioni më i madh në atë kohë ishte koncentruar mbi universitetin e Prishtinës dhe mbi intelektualët që shënonin kulmin e elitës intelektuale të Kosovës, ndër të cilët spikaste Prof. Eshref Ademaj”, tha ai.
Ai tha se, Kongresi filloi më shumë vështirësi. Atë e përcollën edhe një varg problemesh të natyrës politike. Delegacioni serb nuk pranonte hapjen solemne të kongresit me prezencë të flamurit kombëtar shqiptar.
“Prof. Eshrefi ishte i vendosur që kërkesën e serbëve të mos e pranoi edhe me kushtin që kongresi të anulohej apo që pjesëmarrësit serb të largoheshin nga Kongresi. Disa nga intelektualët shqiptarë të Kosovës, pjesë e Këshillit për organizimin e Kongresit, filluan të luhateshin në qëndrimin e tyre dhe profesori mbeti goxha i vetmuar. Në momentet e fundit prof. Eshrefi gjeti mbështetjen e kryetarit të atëhershëm të Kosovës, Nebih Gashi. Ai u tregua i vendosur. “Flamuri të mos largohet nga salla. Kujt t’i rrihet le të rri, e kujt s’i rrihet le të shkoj”. Me këmbënguljen e Eshref Ademajt delegacioni serb u thye dhe kongresi u mbajt me shumë sukses dhe mori shumë lëvdata nga pjesa më e madhe e pjesëmarrësve”, tha profesor Gjergji.
Dy, tubimi i intelektualëve të Kosovës
(Ngjarje që mbeti e pa shënuar në histori. Fatkeqësisht!)
Profesor Gjergji tha se, njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në të cilin morën pjesë shumica e mësimdhënësve të UP dhe punëtorëve të tjerë shkencorë që punonin nëpër institute shkencore të Kosovës dhe pothuajse të gjithë intelektualët e njohur të Kosovës është mbajtur më 26.02.1990. Kjo ngjarje disi ka mbetur e pa shënuar në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme historike të fillimviteve ‘90.
“Një grup kolegësh ( Gani Bobi, tani i ndjerë, Rexhep Ismaili, Muhamedin Kullashi dhe Ramush Mavriqi) shtjelluam një ide për organizimin e një tubimi të intelektualëve të Kosovës ku do të shprehnim qartë e hapur kundërshtimin tonë ndaj gjithë asaj që ndodhte në Kosovë, me theks të veçantë ndaj dhunës dhe presionit që ndodhte mbi arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë. Konsideronim se jehona e një tubimi të intelektualëve nuk mund të mbetej pa efekt në qarqet e politikës jugosllave dhe të asaj ndërkombëtare.
Diskutuam mundësinë që organizimi të bëhej përmes një Këshilli organizativ, por kjo dukej se do të ishte e pamundur të lejohej nga policia serbe. Prandaj vlerësuam se kjo mund të bëhej përmes Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve Universitarë dhe Punëtorëve të tjerë Shkencor të Kosovës, e cila ishte shoqatë legale dhe e regjistruar në atë kohë, dhe kryesohej nga Prof Eshref Ademaj. Dikush nga të pranishmit shprehu dilemën se “me Eshrefin është vështirë të bisedohet sepse ai është i ashpër dhe kontakti me të është i zorshëm””, tha ai.
“Meqë unë kisha kontakte ditore me profesorin dhe duke qenë bashkëpunëtor i tij i ngushtë, mora përsipër që një bisedë me të ta bëja vetë. Pasi i shpjegova idenë ai u interesua për detajet. Kur i shpjegova të gjitha se si kishte lindë ideja ai e pranoi pa hezitim organizmin e tubimit, vetëm se kishte drojën nëse Kryesia e Shoqatës do ta pranonte përgjegjësinë e organizimit.
Dhe profesori kishte të drejtë. Ishte e qartë se kjo ishte punë me rreziqe për atë kohë. Kur ata morën vesh se për çka ishte fjala pjesa më e madhe e tyre nuk ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësi me rreziqe mbi vete. Për korrektësi duhet të përmendë se dallojnë për guximin dhe vendosmërinë Prof. Afërdita Nura-Lama dhe prof. Ali Zatriqi. Profesoresha Afërdita ishte edhe nënkryetare e shoqatës.
Prandaj prof. Eshrefi mori përsipër që vendimin për organizimin e tubimit ta marrë vetëm me Prof. Ali Zatriqin dhe Prof. Afërdita Lamën, si nënkryetare e shoqatës”, tha ai.
Gjergji tha se, tubimi u mbajt më 26.02.1990 në sallën e madhe të Fakultetit Filologjik. Konkluzionet e hartuara dhe të miratuara në tubim, u dërguan në shumë adresa brenda ish Jugosllavisë dhe jashtë saj.
Këshilli për organizimin e tubimit ishte nën patronatin e Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve Universitar dhe të Punëtorëve tjerë Shkencorë të Kosovës dhe përgjegjësinë në emër të saj e mori mbi vete dr. Eshref Ademaj.
“Pjesëmarrja në tubim ishte e madhe. Për herë të parë u tubuan pjesa më e madhe e elitës intelektuale dhe shkencore të Kosovës. Ishte ky tubimi më i madh i intelektualëve shqiptarë i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.
Atmosfera në tubim ishte e zjarrtë. Interesimi i pjesëmarrësve për të folur, për të shtruar argumentet dhe për të dënuar dhunën fizike dhe institucionale serbe në Kosovë ndaj shqiptarëve ishte i madh. Gjithçka ishte në funksion të mbrojtjes së të arriturave që Kosova kishte me Kushtetutën e vitit 1974 e cila ishte suprimuar me dhunë një vit më parë. Theks i veçantë vihej në mbrojtje të Universitetit dhe shkollës shqipe.
Ky ishte i madhi Akademik Eshref Ademaj i cili edhe pse jetoj shumë shkurtë, la gjurmë të thella pas.
Lavdi jetës dhe veprës se tij!”, tha ai.
Prof. dr. Isak Hoxha, cili foli në emër të ish kolegëve, tha se 30 vite më parë në mëngjesin e hershëm të datës 17.07.1994, në klinikat e qytetit të Esenit në Gjermani, në moshën 54 vjeçare, i mbylli sytë përgjithmonë Akademik Eshref Ademaj;
“Profesori legjendar i Universitetit të Prishtinës, shkencëtari i famshëm, patrioti e atdhetari i devotshëm, strategu dhe arkitekti i mbijetesës së Universitetit të Prishtinës, në kohën e okupimit nga Serbia, kur regjimi barbar e racist i Millosheviqit në vitin 1991 ndaloi punën e tij me vendosjen e masave të dhunshme”, tha ai.
Ne vijim Hoxha tha se Ademaj si një vizionar i vërtetë, me entuziazëm të madh dhe një bindje të palëkundur, gjatë bisedës me të ngjallte shpresën dhe optimizmin se liria e Kosovës do të vijë me ndihmën e aleatëve dhe intervenimin e NATO-s.
“Gjatë një ndeje me të në një kodër mbi Prizrenin i vëzhgonte kazermat e ushtrisë Jugosllave, duke aluduar që një ditë, pas çlirimit të Kosovës, do të jetë një lokacion ideal për themelimin e Universitetit të Prizrenit. Figura Madhështore e poliedrike e profesor Eshref Ademaj reflektohej në një personalitet me kulturë të gjithanshme, në shumë dimensione: në shkencë, letërsi, politikë, art, sport etj.”, tha ai.
Në emër të ish studentëve të tij, foli Prof. dr. Muhib Lohaj.
Ai tha se nuk është aspak e lehtë, që me pak fjalë, të përmblidhen të gjitha kujtimet e bukura për figurën shumë të çmuar, shumëdimensionale e atdhetare të Prof. Dr. Eshref Ademaj.
“Me gjuhën e tij aq të rrjedhshme dhe aftësinë për të na motivuar, na ka dhënë bazat jo vetëm në fushën e matematikës, por edhe në shumë aspekte të ndërtimit të karakterit të individit dhe të dashurisë njerëzore. Profesori Eshref ishte një enciklopedi e vërtetë. Thëniet e tij tingëllonin si aksioma që përkufizonin përsosmërinë e njeriut, dashurinë ndaj njerëzve dhe dashurinë ndaj kombit dhe Atdheut. Ai ishte shembull i jashtëzakonshëm i pedagogut, intelektualit dhe shkencëtarit. Me anë të ligjëratave të tij brilante në teorinë e grupeve, e të idealeve e sillte në pah tërë mrekullinë dhe artin e matematikës”, tha ai.
Lohaj kujtoi akademik Ademaj gëzonte një reputacion tek profesorët e Universitetit te Zagrebit, jo vetëm si shkencëtarë, por edhe si dijetar i shumanshëm.
“Rezultatet e tij, nga disertacioni i doktoratës, në teorinë e grupeve të fundme kishin lënë gjurmë në Universitetin e Zagrebit dhe jo vetëm! Mund të them lirisht se profesori Eshref për kohën sa kishte studiuar në Zagreb, kishte ndikuar jashtëzakonisht shumë tek intelektualët kroat, në ngritjen e simpatisë për popullin shqiptar të Kosovës. Më kujtohet, kur profesori thoshte duhet të angazhohemi e të punojmë shumë, për të kryer detyrimet tona në ngritjen dhe emancipimin e të rinjve shqiptar, pastaj fillonte me përpikëri të jashtëzakonshme të elaboronte rrethanat historike nëpër të cilat kishte kaluar e po kalonte populli i Kosovës . Për përshtypjet e nivelit intelektual qe lente, me këdo qe takohej, na bënte te gjithëve te jemi krenar. Te gjithë e respektonin pa dallim”, tha ai.
Lohaj tha se është krenari për familjen Ademaj që na dha figurën e madhe në fushën e dijes e të atdhedashurisë , siç ishte profesor Eshref Ademaj.
“Është krenari për studentët, kolegët dhe bashkëpunëtorët që e njohën për së afërmi. Është krenari për të gjithë ne që punojmë në fushën e matematikës dhe për të gjithë ata që janë të lidhur në proceset e arsimit në Kosovë. Është krenari për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha ai.
Ndërkaq vajza e të ndjerit, znj. Ilirijana Ademaj në emër të familjes falënderoi përzemërsisht departamentin e Matematikës të FShMN, e veçanërisht këshillin organizativ, profesorët dhe koleget e saj: Profesor Ramadan Limani, Isak Hoxha, Muhib Lohaj, Elver Bajrami, Menderes Gashi, Rexhep Gjergji, për organizimin e kësaj akademie dhe të gjithë të pranishmit, familjare e miq, që në këtë ditë të nxehtë po e ndani këtë moment me ne.
“Si familje, jemi të nderuar, që për 30 vjet, Universiteti i Prishtinës, veçanërisht Departamenti i Matematikës, në vazhdimësi ka treguar respekt të veçantë për figurën dhe veprën e babës tonë.
Për babën, Universiteti ishte gjithçka, çdo aktivitet i jetës së tij sillej rreth Universitetit, si në kohen e formësimit të tij si shkencëtar dhe mësimdhënës, ashtu edhe në kapitullin më të vështirë të arsimit shqiptar, kur menjëherë pas mbylljes së institucioneve të arsimit nga okupuesi, inicio dhe realizoi sistemin paralel te shkollave dhe Universitetit, tha Ademaj.
Ajo tha se, si figurë ideale e shkollimit dhe lirisë së mësimit, baba na la pas dhuratën më të çmuar që ka mundur, dëshirën dhe vullnetin për punë dhe njohuri të reja, për atdhedashuri, dhe për këtë i jemi mirënjohës përjetësisht.
“Departamentit të Matematikes i urojme shumë arritje të mëtutjeshme në shkencë dhe në krijimin e gjeneratave të reja të suksesshme”, tha Ilirjana. /Kosovatimes/