Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha për RTKlive se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.”

Ulaj tha se nga hetimet preliminare motivi i vrasjes dyshohet se janë problemet familjare. Ajo shtoi se do të kërkojnë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës.

“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, tha ajo.