Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka adresuar kritikat e tij për pozicionin e Kosovës në politikën e jashtme dhe raportet me ndërkombëtarët

“Në pabesinë më të madhe historike, kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatëve tanë. I sulmojmë e godasim ata, për të marrë asnjë rezultat veçse vulën e fajtorit dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilën nuk do të merret asnjë vend evropian. Prandaj për katër vjet nuk kemi asnjë njohje, anëtarësim dhe jemi nën sanksione”, ka thënë ai më seancën e Kuvendit.

Ai ka theksuar se shtetësia jonë është goditur nga vendimi i BE-së për njohje të pasaportave serbe të lëshuara në territorin e Kosovës

“BE njeh autoritetin shtetar serb, mbi shtetin e pavarur të Kosovës 17 vjet pas pavarësisë, 25 vjet pas lirisë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Bytyqi përmend papunësinë dhe inflacionin ekonomik si dështim

Deputetja nga AAK, Albana Bytyqi ka thënë se në vend ka menaxhim të dobët ekonomik dhe mungesë e strategjive, të cilat kanë ndikuar në ikjen e rinisë.

“Të mos çuditemi që çdo shtëpi duke nisur nga fshatrat e thella të Kosovës e deri në Prishtinë po zbrazet nga rinia jonë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është mbi 25% dhe kjo është një krizë që kërkon veprime urgjente. Inflacioni po godet fuqishëm xhepat e qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

(10:55) Kritika për pajisjen me tekste shkollore, Hoxha e quan dështim procesin

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për procesin, sipas saj të dështuar, të furnizimit me tekste shkollore, meqë ka nxënës që ende nuk i kanë ato.

“Sot kur po flasim një pjesë e madhe e nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë nuk i ka tekstet shkollore në banka dhe në shtëpitë e tyre. Hiç më pak se 20 milionë euro është kostoja e planifikuar, nga rreth 5 milionë sa ka qenë oferta zyrtare fillimisht nga shtëpitë botuese”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka theksuar se qe dy vjet, Qeveria e Kosovës ka shumëfishuar fitimet e shtëpive botuese dhe libraritë, sepse sipas saj, blerja në procedurë ligjore nga MASHT do të ishin shumë më lirë. Ajo ka kërkuar hetim për këtë çështje.