Shefi i Komandës së Shteteve të Bashkuara për Afrikën, Gjenerali Michael Langley ka filluar t’i japë një formë të re pranisë ushtarake amerikane në kontinent pas tërheqjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara nga Nigeri.
Pasiguria për fazën tjetër të luftës kundër terrorizmit në Afrikën Perëndimore është krijuar për shkak të humbjes së qasjes tek dy baza jetike kundër terrorizmit në Niger. Në lindje, pjesëmarrja ndërkombëtare dhe numri i forcave për Misionin e ri të Bashkimit Afrikan në Somali (AUSSOM) ende nuk janë finalizuar, më pak se tre muaj përpara se Misioni i Tranzicionit i Bashkimit Afrikan në Somali (ATMIS) të përfundojë më 31 dhjetor.
Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës të enjten, Gjenerali Langley tha se Shteti Islamik në Somali e ka rritur gati dyfish praninë dhe shpjegoi se si al-Shababi, një degë e al-Kaidës, kishte përfituar nga tensionet mes Etiopisë dhe Somalisë për të rritur rekrutimin.
Më poshtë janë pikat kryesore nga biseda e tij me korrespondenten e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb. Materiali është redaktuar për të qenë më i përmbledhur dhe më i qartë.
Partneriteti në rritje i Shteteve të Bashkuara me Angolën
Gjeneral Michael Langley: Angola ka luajtur një rol udhëheqës në të gjithë Afrikën jugore… Jam shumë i inkurajuar nga veprimet e Angolës.
Duke përfshirë Angolën dhe të gjitha vendet në të gjithë periferinë, janë mbi 38 vende në Afrikë që kanë vijë bregdetare. Qëndrueshmëria ekonomike varet shumë nga zonat e tyre ekskluzive ekonomike… Në aspektin detar, në disa prej këtyre vendeve kemi një sërë angazhimesh, si nëpërmjet Stërvitjes “Obangame Express” në Gabon këtë verë… Kemi objektiva të llojit të përbashkët. Ata duan të jenë në gjendje ta stabilizojnë dhe ta rrisin ekonominë e tyre nëpërmjet industrisë së peshkimit, por kjo pengohet nga vendet e tjera që po kalojnë nëpër zonat e tyre ekskluzive ekonomike.
Aspiratat kineze për një bazë të dytë ushtarake në Afrikë
Gjenerali Langley: Sipas mendimit tim më të mirë ushtarak, mendoj se ata kanë, aspirata për një bazë tjetër ushtarake… Jemi duke vëzhguar në mënyrë aktive.
Korpusi Afrikan i Rusisë
Gjenerali Langley: Siç mund ta shihni, ata tashmë gjenden në Mali. Ata janë tashmë në Burkina Faso dhe, në një farë mase, në Niger. Kanë qenë për një periudhë në Republikën e Afrikës Qendrore dhe gjithashtu në Libi. … (Grupi paraushtarak Wagner) ka kaluar nën Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë dhe është krijuar Korpusi i Afrikës; po përpiqen të imitojnë veprimtarinë tonë më të mirë në partneritet me këto vende dhe të tregojnë se struktura e tyre e sigurisë është më e mirë. Është dëshmuar se nuk është … Nuk kam shifra në veçanti për forcat që mund të kenë sjellë në Mali por kanë një numër të kufizuar në Burkina Faso dhe gjithashtu në Libi. Janë diku në qindra. Nuk është ende prani e gjerë.
Ndikimi në luftën kundër al-Shababit i mosmarrëveshjeve mes Etiopisë, Somalisë dhe vendeve të tjera në Afrikën Lindore
Gjenerali Langley: Varet nga niveli i kontributit që do të japin vendet me forca ushtarake: se sa do të kontribuojnë me forca ushtarake për tranzicionin nga misioni ATMIS tek misioni i ri AUSSOM, dhe kjo fillon në fund të vitit.
Mandati i misionit ATMIS mbaron më 31 dhjetor, dhe më pas supozohet të hyjë në fuqi AUSSOM-i. Të panjohurat janë se cilat vende do të kontribuojnë me forcat për krijimin e AUSSOM-it… Nuk është finalizuar ende. Kjo është ndërmjet OKB-së, Unionit Afrikan dhe qeverisë së Somalisë. Ne nuk jemi të përfshirë në këto diskutime, por do të mësohet së shpejti. Kështu shpresoj. Në krijimin e misionit ATMIS, një nga vendet themelore dhe të vijës së parë ishte Etiopia. Pra, kjo është ajo që më shqetëson. Etiopia – kontributet e së cilës kanë qenë të vlefshme… Kështu që koha do ta tregojë nëse mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të bashkohen në një forcë që është shumë efektive, sepse kur punojnë së bashku, ata janë shumë efikasë në eliminimin e al-Shababit… Ka operacione të kufizuara me etiopianët në këtë periudhë… Drejtuesit e Al-Shabaabit do të përpiqen t’i shfrytëzojnë këto mosmarrëveshje dhe t’i përdorin si mekanizëm rekrutimi.
Zëri i Amerikës: Kemi dëgjuar se ata kanë patur një rekrutim më të fortë për shkak të kësaj situate. A do të ishit dakord?
Gjeneral Langley: Po, e kanë përdorur këtë në avantazhin e tyre.
Nëse forcat amerikane mund të nevojiteshin gjatë tranzicionit nga ATMIS në AUSSOM në përpjekje për të plotësuar masat e sigurisë
Gjeneral Langley: Nuk jemi për këtë qëllim. Jemi atje… për ta ndihmuar Presidentin Hassan Mohamud që të arrijë të ndërtojë ushtrinë e tij. Ai po ndjek procesin e krijimit të forcës… Të gjitha iniciativat tona dhe përqasja jonë në kontinentin afrikan, me partnerët tanë afrikanë, do të jenë të udhëhequra nga Afrika dhe të mundësuara nga Shtetet e Bashkuara. Pra, roli ynë nuk është me forca në terren. Ne jemi atje për t’i këshilluar dhe ndihmuar, dhe për t’i ndihmuar në përgatitje, por duhet t’ja dalin vetë… Ky nuk është misioni im… Presidenti Sheik Mohammed nuk kërkon praninë e forcave tona në terren.
Rreth komenteve në qershor të zyrtarëve të lartë amerikanë të mbrojtjes, të cilët i thanë Zërit të Amerikës se al-Shababi kishte zhbërë arritjet e Ushtrisë Kombëtare Somaleze në Somalinë qendrore:
Gjeneral Langley: Ndryshon gjithnjë situata … Ende po ndërtojnë Ushtrinë Kombëtare Somaleze. Pra, kur hidhen në operacione sulmi, është mbingarkesë për forcat ushtarake. Nëse pastrojnë dhe çlirojnë një rajon nga terroristët, atje duhet mbajtur një forcë e qëndrueshme, në mënyrë që të fillojnë aktivitetet dhe përpjekjet stabilizuese dhe të rikthejnë besimin e popullsisë tek qeveria federale e Somalisë me shërbimet që ofrojnë. Pra, kjo është një periudhë shumë e brishtë. Dhe nëse ata nuk munden ta përballojnë këtë, sepse do lëvizin drejt rajonit tjetër ose në qarkun tjetër, efekti zbehet.
Zëri i Amerikës: Pra, kjo ishte ajo që po ndodhte në këtë rast. Ata nuk mund të mbanin territorin që kishin fituar?
Gjeneral Langley: Po.
Zëri i Amerikës: Pra, trajnimi që ofroni ju synon përgatitjen që ata të jenë në gjendje të mbrojnë territorin?
Gjeneral Langley: Pikërisht, por kërkon kohë. Është një investim për të ndërtuar një ushtri, në mënyrë që ata të kenë fuqi të qëndrueshme, dhe gjithashtu mund të eliminojnë ndasinë mes ushtrisë dhe civilëve, ku popullsia lokale do të ketë besim në qeverinë federale të Somalisë dhe ushtrinë kombëtare.
Optimizmi për suksesin e forcave somaleze kundër organizatës al-Shabab
Gjeneral Langley: Jemi në një pikë ndryshimi. Është një territor i panjohur. Kur them se jam optimist i vetëdijshëm, kam parasysh përpjekjet mbarë qeveritare. Sa herë që shkoj atje shoh se po rriten përpjekjet për stabilizim.
Nevojitet një ushtri e fortë dhe e besueshme, sepse grupe të fshehta të organizatës al-Shabab përpiqen të rifuten në atë rajon dhe të ndikojnë tek disa nga udhëheqësit lokalë. Ky fenomen përsëritet në disa prej rajoneve, por po mënjanohet falë aktiviteteve të stabilizimit që ka ofruar USAID-i, kontribuesi më i madh.
Bashkëpunimi mes huthive jemenas, të mbështetur nga Irani, dhe organizatës al-Shabab
Gjeneral Langley: Ndoshta ka aspirata. Kjo është diçka që po vëzhgojmë nga afër, por nuk do të them më shumë. Kemi shqetësime sepse mund të tjetërsohet me shpejtësi në një rajon problematik. Është një pikë strategjike globale për shkak se aty kalon një pjesë e madhe e mallrave. Ekonomia globale do të preket nëse nuk vazhdon transporti i lirë i mallrave në këto rrugë detare.
Përballë veprimeve të huthive dhe al-Shababit, dhe përpjekjeve të presidentit somalez që këto grupe të mos bashkohen, situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe të pengojë transportin e mallrave në ujërat e Gjirit të Adenit, Bab-el-Mandeb, Detin e Kuq dhe përmes Kanalit të Suezit.
Njoftimet se drejtuesi i Shtetit Islamik në Somali, Abdulqadir Mumin udhëheq grupin terrorist Shteti Islamik
Gjeneral Langley: Duhet ta trajtojmë njoftimin si të besueshëm. Sa i përket faktit se kush është udhëheqësi i përgjithshëm dhe ISIS-i e pohon këtë, ndonjëherë duhet të merren seriozisht, sepse ai person mund të ketë aspirata ose të kryejë operacione që mund të ndikojnë tek vendi ynë. Duhet ta marrim seriozisht njoftimin.
Rritja e Shtetit Islamik në Somali
Gjeneral Langley: Jam i shqetësuar për pjesën veriore të Somalisë dhe rritjen e mbështetjes së ISIS-it atje, si dhe për mundësinë e rritjes së numrit të luftëtarëve të huaj. Gjatë vitit të kaluar kjo shifër ndoshta është dyfishuar. Nuk mund të jap numra, por ka mundësi që shifrat të jenë më të larta se vitin e kaluar.
A kanë dështuar Franca, SHBA dhe Gjermania në rajonin Sahel?
Gjeneral Langley: Nëse shikojmë shifrat e indeksit global për terrorizmin në të gjithë Sahelin… 40% e të vrarëve në të gjithë botën vinin nga rajoni Sahel. Kjo është shqetësuese. Do të thoja se kjo buron nga ideologjia dhe erdhi nga Siria përmes Magrebit. Pranvera Arabe; kontribuoi dhe gjithashtu edhe rënia e Libisë. Në këtë mënyrë është shtuar dhe janë shifrat që kemi sot. Kjo ideologji e tipit xhihadist ka viktimizuar shoqërinë civile dhe meshkujt e moshës ushtarake.
Po angazhohemi me vendet bregdetare të Afrikës Perëndimore, sepse shohim përhapjen e këtij kanceri në rajonet veriore të Bregut të Fildishtë, Gana, Togo dhe Benin. Këto vende e kuptojnë zgjidhjen e qëndrueshme kundër terrorizmit. Prandaj nuk shkoj vetëm të shoh ushtritë, por bashkëpunoj me USAID-in dhe shkojmë në terren me drejtuesit e lartë.
Libia jugore dhe sfidat e bazave amerikane në luftën kundër terrorizmit në Sahel
Gjeneral Langley: Kemi patur ndikim në debat. Kam biseduar me të dyja palët, me udhëheqjen e GNU-së dhe të LNA-së, por gjithashtu dua të them se kjo është më tepër në sferën diplomatike.
Që të kemi përparime, duhet të ndikojmë tek uniteti. Ata janë në një ngërç politik. Që të jemi plotësisht në gjendje të mbështesin ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të luftuar terrorizmin, që vjen nga rajoni Sahel, duhet që ata të pajtohen me këtë, duhet bashkërendim si një forcë e përbashkët.
Por ka edhe një problem tjetër që është Federata Ruse. Aktivitetet e tyre nuk bazohen tek ligji për konfliktet e armatosura dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Ne duam që të jemi partneri i preferuar atje.
Ne nuk u themi të zgjedhin dhe nuk u japim ultimatume. Por ne tregojmë se kush jemi përmes veprimeve tona dhe çdo gjë që ne ofrojmë janë nëpërmjet propozimeve me vlerë që mbrojnë të drejtat e njeriut, që marrin parasysh ligjet e konflikteve të armatosura dhe mbrojnë shoqërinë civile. Si GNU dhe LNA e kuptojnë këtë dhe kanë lënë të tregohet se duan të punojnë me ne.
Jemi në fazat fillestare dhe ata duhet të zgjidhin ngërçin politik që kanë mes lindjes dhe perëndimit. Departamenti i Shtetit po bën përpjekjet e duhura.