Dhembja ishte e padurueshme, thotë Ion Andrei, duke i përshkruar 13 ditët që i kaloi në kujdes intensiv. Aq therëse ishte saqë ai nuk ishte në gjendje as të lëvizte madje.
Andrei, 72 vjeç, kishte shkuar për një kontroll të zakonshëm në spital pasi ndiente dhembje barku. Por, lajmi nuk ishte i mirë: Ai u diagnostikua me kancer dhe atij iu rekomandua kujdes mjekësor qetësues: një degë e mjekësisë e përqendruar në lehtësimin e dhembjeve në vend se në shërimin e sëmundjes.
Pasi e mori veten nga operacioni, Andrei u shtrua në një repart tjetër, Casa Sperantei, një repart privat në kryeqytetin e Rumanisë.
Dallimi mes repartit në Casa Sperantei dhe repartit shtetëror të kujdesit intensiv (ICU), ishte si nata me ditën, thotë Andrei nga klinika buzë liqenit, i cili është i rrethuar nga shelgje lotuese.
Në spitalin shtetëror thjesht nuk kishte staf të mjaftueshëm, shpjegon ai.
“Nuk ishte se ata nuk donin të ndihmonin, thjesht nuk mundnin”, sipas tij. Në Casa Sperantei, shton ai, “ka infermier për çdo pacient”.
Të vdesësh mirë në Rumani nuk është e lehtë, dhe spitalet si Casa Sperantei – i cili ofron kujdes shëndetësor falas dhe përmes subvencioneve – janë të rralla.
Në mungesë të ndihmës shtetërore dhe stafit të trajnuar, shumica e rumunëve i kalojnë ditët e fundit të jetës së tyre në ICU apo në reparte të rregullta spitalore. Me një popullsi të moshuar dhe rritjen e shkallës së sëmundjeve kronike, nevoja për kujdes shëndetësor paliativ të cilësisë së lartë në Rumani nuk ka qenë kurrë më urgjente.
Skandali spitalor
Gjendja e reparteve të kujdesit intensiv dhe paliativ ka marrë vëmendje publike pas një skandali në Spitalin e Emergjencës Shën Pantelimon në Bukuresht, ku dy mjekë akuzohen nga prokuroria për shkaktimin e vdekjes një pacienti 54-vjeçar në gjendje të rëndë, duke ia kufizuar mjekimin.
“Kujdesi paliativ në Rumani është si një fëmijë parashkollor”, thotë Aurelia Feraru, shefe e Departamentit të Onkollogjisë në Spitalin e Sëmundjeve Kronike “Shën Luka” në Bukuresht.
Gjatë kohës sa punoi si mjeke në Irlandë për disa vite, Feraru fitoi përvojë të dorës së parë për mënyrën se si vende të tjera i qasen kujdesit paliativ.
“Pavarësisë së pacientëve i kushtohet shumë kujdes. Në Rumani, kur flasim për një pacient me sëmundje të pashërueshme, mendojmë për një pacient në shtrat, i cili ka shumë dhembje dhe është gjithmonë i varur nga dikush tjetër. Fundi për pacientët rumunë nuk është tamam dinjitoz”, thotë ajo, duke zgjedhur me kujdes fjalët e saj.
Rumania nuk është vendi i vetëm që i mungon kujdesi i duhur paliativ. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 56.8 milionë njerëz — përfshirë 25.7 milionë në vitin e tyre të fundit të jetës — kanë nevojë për kujdes paliativ. Por, vetëm rreth 14 për qind e njerëzve e marrin atë.
Në një studim të fundit nga revista shëndetësore “Journal of Pain and Symptom Management”, Rumania renditet e 41-ta nga 81 vende për ofrimin e kujdesit paliativ.
Sipas një raporti qeveritar të vitit 2019, Rumania ishte në gjendje të siguronte shtretër spitalorë vetëm për 36 për qind të 5.530 pacientëve që kishin nevojë për kujdes në fund të jetës së tyre.
Nga 176.156 njerëz që kishin nevojë për kujdes paliativ çdo vit, vetëm 19 për qind e pacientëve e merrnin atë. Dymbëdhjetë nga 41 qarqet e Rumanisë nuk kanë fare pajisje për kujdes paliativ.
Ministria e Shëndetësisë i kundërshton këto shifra dhe thotë se gjendja nuk është aq e rëndë. Në një deklaratë më 4 shtator, ministri i Shëndetësisë, Alexandru Rafila, i cili refuzoi një intervistë me REL-in, tha se situata tani është përmirësuar dhe se Rumania ka nevojë për rreth 4.000 shtretër për kujdes paliativ.
“Aktualisht, i kemi 3.300 shtretër”, tha Rafila.
Mungesë barnash
Megjithatë, duke folur me mjekët rumunë, përmasa e problemit është e qartë: kujdesi paliativ ka mungesë të madhe fondesh dhe stafi.
Daiana Jianu, drejtoreshë mjekësore e Spitalit “Shën Lluka” në kryeqytet, thotë se spitali i saj me 311 shtretër ka gjithsej 14 infermierë, të cilët punojnë me ndërrime në repartet e kujdesit të rregullt dhe paliativ. Kjo është tejet e pamjaftueshme, shtoi ajo.
Nuk është vetëm numri i stafit, por edhe trajnimi i tyre, thotë një menaxher i lartë në një spital në Barlad, në verilindje të Rumanisë. “Problemi është se ka mungesë mjekësh të specializuar”, thotë menaxheri, i cili nuk donte të identifikohej.
Sipas raportit qeveritar të vitit 2019, në Rumani kishte vetëm 610 mjekë me kualifikim shtesë në kujdesin paliativ, pak më shumë se gjysma e numrit të kërkuar.
Barnat që përdoren zakonisht në kujdesin paliativ gjithashtu mungojnë. Kreu i Onkologjisë Feraru thotë se dërisa Rumania ka vetëm dy lloje opioidesh në dispozicion – fentanil dhe morfinë – Irlanda ka nëntë lloje vetëm të morfinës.
Kjo ka bërë që një numër në rritje pacientësh dhe të afërmish të zgjedhin të paguajnë për kujdes mjekësor privat. Por, klinika si Casa Speranței – që mund të kushtojnë deri në 420 dollarë në ditë – janë të papërballueshme për shumicën e rumunëve.
Më 4 shtator, kryeministri Marcel Ciolacu njoftoi një plan për përmirësime në këtë fushë, duke mbuluar shërbimet spitalore, ato në shtëpi dhe ambulatore, por detajet mbeten të pakta.
Bisedat që askush nuk dëshiron t’i bëjë
Siç edhe stafi është i etur ta theksojë, ka më shumë të mira në kujdesin paliativ vetëm sesa barnat, pajisjet dhe stafi. Rëndësi ka edhe dhënia e mbështetjes shpirtërore pacientëve dhe familjeve të tyre.
Psikologia Cristina Ion ka më shumë se dy vjet që punon në Casa Sperantei.
“Pacientët duan të ndihen afër dikujt. Ata kanë nevojë të pranohen, sepse nganjëherë është e vështirë për ta që ta pranojnë të kaluarën dhe posaçërisht të ardhmen”, tha Ion.
“Ne nuk ngutemi kur bisedojmë me pacientët. I pyesim çfarë i shqetëson në trup dhe në shpirt. Pastaj përpiqemi ta përpilojmë një plan ndërhyrjeje [për t’i ndihmuar ata]”, tha Dan Malciolu, mjek në Casa Sperantei.
Për stafin mjekësorë pjesa më e vështirë nganjëherë është t’ua shpjegojnë familjarëve të shqetësuar se më të dashurit e tyre janë afër vdekjes.
“Familjarët vijnë dhe pyesin çfarë do të bëjmë ne për ta shëruar pacientin. Përgjigja është zakonisht heshtje disa sekondeshe, dhe pastaj ne themi se do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia lehtësuar dhembjet pacientit”, tha Malciolu.
Një qetësi paqësore mund të ndihet përreth liqenit në Casa Sperantei, ndërsa ajri duket më i pastër dhe më i freskët se në pjesën tjetër të kryeqytetit.
Pacienti Andrei është në gjendje të mirë shpirtërore. Përveç mjekëve dhe infermierëve të shumtë, ai thotë se është kontrolluar edhe nga fizioterapeutë dhe psikologë. Ai madje ka bërë gjimnastikë.
I pyetur pse ndihet kaq i lumtur, ai buzëqesh dhe thotë se po i kujtonte ditët e rinisë kur punonte në Ministrinë e Brendshme.
“I tillë kam qenë gjithmonë. Kolegët e mi… më quajtën ‘Xhokeri’. Sepse, nëse jam i pikëlluar, çfarë përfitojë?” /Radio Evropa e Lirë/