Gjykata Themelore në Prizren e ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e deputetit Behgjet Pacolli kundër të paditurit Reshat Badallaj, me të cilën kishte kërkuar që ky i fundit t’ia kompensojë atij 10 mijë e 200 euro në emër të shpifjes dhe fyerjes.
Në vendimin e marrë më 15 maj 2024, thuhet se paditësi Pacolli kishte kërkuar që të vërtetohet se i padituri Badallaj me shkrimin e 8 korrikut 2022 në portalin “Kosova Sot Online” me titull “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka”, me thënie të pavërteta ka fyer dhe shpifur për paditësin.
Andaj, Gjykata gjeti se është kërkesëpadia e Pacollit është e pabazuar, ku kërkonte që i padituri Badallaj të detyrohet ta ndal shpifjen dhe të premtojë se nuk do të përsëritet, ndërsa në emër të shpifjes të obligohej t’ia paguajë 5 mijë e 100 euro, si dhe 5 mijë e 100 euro të tjera në emër të fyerjes dhe atë në lartësi prej 8% nga data e parashtrimit të padisë, transmeton “Kosova Times”.
Gjykata Themelore në Prizren ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar. Sipas Gjykatës, në këtë çështje juridike nuk ishte kontestues fakti se i padituri Reshat Badallaj kishte shkruar shkrimin me titulli “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvala dhe Kadri Zeka!”. Por, thuhet se kontestuese mes palëve ishte baza juridike e kërkesëpadisë, respektivisht nëse shkrimi i publikuar që është objekt kontesti ka përmbajtje shpifëse apo fyese ndaj paditësit, që do të ishte bazë për kompensimin e dëmit.
Po ashtu, thuhet se për Gjykatën nuk ishte kontestues fakti se paditësi hyn në kategorinë e figurave publike, përkatësisht politike në Kosovë, pasi është kryetar i subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR), tani deputet i Kuvendit të Kosovës dhe se ka ushtruar edhe në të kaluarën pozita të rëndësishme në jetën politike.
“…gjë që për gjykatën paraqet fakt të mjaftueshëm se paditësi hyn në domenin publik dhe si i tillë duhet të tregoj një shkallë më të lartë të tolerancës në raport me diskutimin publik për të”, thuhet në vendim.
Fillimisht, thuhet se Gjykata ka vlerësuar deklarimet e të paditurit në artikullin e kontestuar në aspektin e lirisë së shprehjes dhe nëse akuza është e nivelit serioz sa të shkaktojë dëm në reputacionin dhe integritetin e paditësit.
“Ashtu siç u arsyetua gjykata vlerëson se politikanët pranojnë më gjerë parimin e “kufijve të kritikës së pranueshme”, prandaj pati rëndësi fillimisht statusi i personit ndaj të cilit është bërë artikulli, p.sh., nëse kemi të bëjmë më figura publike që ushtrojnë pozita publike apo persona private”, thuhet në vendim.
Gjykata analizoi edhe nëse artikulli ka të bëjë me çështje të interesit të përgjithshëm publik dhe thuhet se gjeti se artikulli i publikuar ka të bëjë me liri të shprehjes dhe liri të dhënies së mendimit për një çështje me interes të përgjithshëm publik.
“…përkatësisht ashtu siç e ka cekur i padituri krimin të paparë në historinë e njerëzimit, që i vranë burrat e kombit shqiptar: Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën, në vitin 1982, ..”, në këtë drejtim gjykata vlerëson se artikulli i publikuar nga i padituri përbën çështje me interes të përgjithshëm”, thuhet në vendim.
Po ashtu, Themelorja vlerësoi se artikulli përmban opinione të paditësit duke i ndërlidhur me informacionet e marra për dy ngjarje dhe atë vizitën e paditësit në Shqipëri më 10 janar 1982.
“…në këtë drejtim i padituri shkruan se për të vërtetuar faktin nëse paditësi Behgjet Pacolli me dt. 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë vizë të Shqipërisë, i është drejtuar në rrugë zyrtare Konsullatës në Slloveni dhe ka marrë përgjigje se “Republika e Shqipërisë në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë përfaqësie konsullore apo diplomatike në Maribor të Sllovenisë”, thuhet në vendim.
Kurse, rreth asaj se paditësi është marrë në pyetje nga policia zvicerane “për shkak të verifikimit të alibisë së mbajtësit të targave…” Gjykata thotë se është pohuar edhe nga vetë paditësi gjatë deklarimit të tij para gjykatës më 15 mars 2024.
Andaj, sipas Gjykatës nuk është provuar se artikulli përmban ndonjë element të shpifjes dhe nuk është provuar se paditësit i është shkaktuar ndonjë dëm material.
Sipas vendimi, thuhet se përmes padisë së ushtruar më 12 tetor 2022, paditësi Behgjet Pacolli ka kërkuar nga i padituri Reshat Badallaj ndaljen e shpifjes dhe fyerjes dhe kompensimin e dëmit në shumën 10 mijë e 200 euro.
Sipas padisë, thuhet se më 9 korrik 2022, në portalin “Kosova Sot Online” është publikuar artikulli me titull “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka!”. Për të njëjtin artikull, thuhet se paditësi është vënë në dijeni më 18 korrik 2022.
Në padi thuhet se në atë artikull thuhet se “Behgjet Pacoll, i kam shkruar letër të hapur në publik, në gazetën elektronike “Kosova Sot”, me datë 27 Prill të vitit 2022 dhe nuk kam marrë përgjigje fare, ndaj, mu për këtë kam vendosur të bëj padi penale dhe të sqarohen shumë gjëra për këtë krim që të mos shkojnë gjak hup, se dëshmitë e rrejshme dënohen me ligj”. Më tutje në shkrimin e tij i padituri citon: “Në deklaratën e tij Pacolli thotë se me 10 Janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizitë për të vizituar Shqipërinë”.
Aty thuhet se deklarata e publikuar nuk ishte e paditësit Pacolli dhe nuk ishte nënshkruar nga ai si dhe fjalitë e cituara në emër të asaj deklarate përbëjnë shpifje.
“I padituri në shkrimin e tij ka vazhduar me fjalët: “Për të mos i ra muhabetit rrotull, shkurt e shqip, fjala është e Behxhet Pacolli është marrur në pyetje për këtë krim të paparë në historinë e njerëzimit, që i vranë burrat e kombit shqiptar: Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën, në vitin 1982, nga UDB-ja serbe dhe argatët tradhtarë të kombit shqiptar”, citohet në padi.
Përmes padisë, paditësi ka theksuar se asnjëherë nuk është marrë në pyetje për rastin në fjalë, nuk ka qenë pjesë e hetimeve dhe as nuk ka dhënë ndonjë intervistë para ndonjë hetuesi lidhur me këtë rast.
Sipas padisë, këto deklarime të rreme paraqesin shpifje, denigrim të integritetit dhe reputacionit të paditësit dhe sulm kundrejt figurës së tij. I padituri, theksohet se nuk ka paraqitur përgjigje në padi.
Ndryshe, Gjykata e Apelit në vitin 2022, lidhur me padinë e ushtruar më 12 mars 2021, e kishte refuzuar ankesën e paditësit Behgjet Pacolli, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila në shkurt të atij viti kishte hudhur poshtë si të pasafatshme padinë për shpifje të paditësit Behgjet Pacolli, të ushtruar kundër të paditurit Reshat Badallaj, me të cilën kishte kërkuar 100 mijë euro kompensim dëmi. Z. Badallaj, në seancën e fundit qaë është mbajtur në Themeloren e Prizrenit, është mbrojtur vetëm për vetëm, pa ndonjë avokat, por vetëm me faktet të cilat i ka sihuruar dhe prezantuara para gjykatës, ashti sikur që I është kërkuar. /Kosovatimes/
Numri i lëndës: 2022:209730
Datë: 15.05.2024
Numri i dokumentit: 05690062
C.nr.3556/2022
GJYKATA THEMELORE NË PRIZREN- Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil – gjyqtari Taulant Rexhëbeqaj, duke vendosur në çështjen juridike-kontestimore të paditësit Behgjet Pacolli, nga Prishtina, të cilin me prokurë të posaçme e përfaqësojnë juristi Shkumbin Asllani dhe avokate Edita Ismaili, shoqëria “INLEX Law Firm”, me seli Prishtinë, rr. “Fehmi Agani” 23/4, kundër të paditurit Reshat Badallaj, nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit, të cilin me autorizim e përfaqëson avokat Gent Gjini, nga Prizreni, me objekt kontesti ndalja e shpifjes dhe fyerjes dhe kompensim dëmi, vlera e kontestit 10,200.00 euro, pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor-publik, në prani të autorizuarës së paditësit dhe në prani të paditurit, me datën 29.03.2024, mori dhe me datë 15.05.2024, përpiloi me shkrim këtë:
A K T GJ Y K I M
REFUZOHET në tërësi kërkesëpadia e paditësit Behgjet Pacolli nga Prishtina, me të cilën kanë kërkuar që të “VËRTETOHET se i padituri Reshat Badallaj, dke publikuar shkrimin e datës 8 korrik 2022, në ora 19:55, në portalin Kosova Sot Online, me titull “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka!” me thënie të pavërteta, ka shpifur dhe fyer paditësin Behgjet Pacolli. DETYROHET i padituri Reshat Badalaj të ndalë shpifjen dhe fyerjen drejtuar paditësit Behgjet Pacolli dhe të premtojë se të njëjtat nuk do të përsëritet. DETYROHET i padituri Reshat Badallaj që në emër të shpifjes të paguajë kompensimin e dëmit jo material në vlerën prej 5,100.00 euro, ndërsa në emër të fyerjes të paguaj kompensimin e dëmit jo material në vlerën prej 5,100.00 euro, për paditësin Behgjet Pacolli dhe atë në lartësi prej 8% dhe atë nga data e përpilimit të padisë e deri në pagesën përfundimtare”, si e pabazuar.
Secila palë i bartë shpenzimet e veta procedurale
A r s y e t i m
Paditësi Behgjet Pacolli, nga Prishtina, të cilin me prokurë të posaçme e përfaqësojnë juristi Shkumbin Asllani dhe avokate Edita Ismaili, shoqëria “INLEX Law Firm”, me seli Prishtinë, në këtë gjykatë me datën 12.10.2022, ka paraqitur padinë ndaj të paditurit Reshat Badallaj, nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit, të cilin me autorizim e përfaqëson Gent Gjini, avokat nga Prizreni, me objekt kontesti ndalja e shpifjes dhe fyerjes dhe kompensim dëmi, vlera e kontestit 10,200.00 euro.
Pretendimet e palëve
Paditësi përmes të autorizuarve të tij, në padinë e paraqitur ka theksuar se me datë 08 korrik 2022, në ora 19:55, në portalin Kosova Sot Online është publikuar artikulli me titullin “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka!”. Për të njëjtin artikull paditësi vihet në dijeni me datë 18.07.2022. Në po të njëjtin artikull është publikuar se: “Behgjet Pacoll, i kam shkruar letër të hapur në publik, në gazetën elektronike “Kosova Sot”, me datë 27 Prill të vitit 2022 dhe nuk kam marrë përgjigje fare, ndaj, mu për këtë kam vendosur të bëj padi penale dhe të sqarohen shumë gjëra për këtë krim që të mos shkojnë gjak hup, se dëshmitë e rrejshme dënohen me ligj”. Më tutje në shkrimin e tij i padituri citon: “Në deklaratën e tij Pacolli thotë se me 10 Janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizitë për të vizituar Shqipërinë”. Duke theksuar se deklarata e publikuar nuk është e paditësit Behgjet Pacolli dhe se çdo fjali e cituar në emër të kësaj deklarate, përderisa nuk shprehë qëndrim apo deklarim të paditësit, përbën shpifje, veprim i cili është i sanksionuar përmes Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Po ashtu ka theksuar se kjo deklaratë nuk është e nënshkruar nga paditësi, që do të thotë se i njëjti nuk është nënshkrues i të ashtuquajturës “deklaratë”. I padituri në shkrimin e tij ka vazhduar me fjalët: “Për të mos i ra muhabetit rrotull, shkurt e shqip, fjala është e Behxhet Pacolli është marrur në pyetje për këtë krim të paparë në historinë e njerëzimit, që i vranë burrat e kombit shqiptar: Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën, në vitin 1982, nga UDB-ja serbe dhe argatët tradhtarë të kombit shqiptar”. Duke theksuar se paditësi asnjëherë nuk është marrë në pyetje për rastin në fjalë, nuk ka qenë pjesë e hetimeve dhe as nuk ka dhënë ndonjë intervistë para ndonjë hetuesi lidhur me këtë rast, duke shtuar se është e qartë akuza e të paditurit se paditësi është kryes i “krimit”, e që në këtë rast aludohet për vrasjen e vëllezërve Gërvalla. Deklarimet e tilla të rrejshme, nuk paraqesin asgjë tjetër pos shpifje dhe qëllimi i vetëm i shprehjes së tyre në mënyrë kaq të hapur në një masë të gjerë të publikut, paraqet edhe qëllimin e vërtetë të shprehjes së tyre, e që është denigrimi i integritetit dhe reputacionit të paditësit në publik, marrë këtu edhe pozitat udhëheqëse të tij në shtetin e Kosovës. Tutje ka shtuar se deklarata e publikuar e të paditurit, paraqet sulm personal kundrejt figurës së paditësit, që përfshin shprehje, veçanërisht fyese për personalitetin e tij, pa qenë të provokuara nga sjelljet e paditësit dhe pa një bazë faktike për deklarimet e tilla. Sulmi me fjalë fyese ndaj paditësit, krijon paragjykim ndaj personalitetit të tij në raport me gëzimin e të drejtës së reputacionit dhe për këtë cenojnë autoritetin e tij personal. Në fund gjykatës i kanë propozuar që pas administrimit, shqyrtimit dhe vlerësimit të provave të merr vendim dhe kërkesëpadinë e paditësit ta aprovon në tërësi si të bazuar.
Edhe gjatë shqyrtimit kryesor të autorizuarit e paditësit kanë qëndruar në tërësi pranë kërkesëpadinë, ndërsa në fjalën përfundimtare e autorizuara e paditësit avokate Edita Ismaili, ka deklaruar se pas mbajtjes se seancave gjyqësore, dëgjimit te paditësit dhe dorëzimit të provave materiale nuk ka një dyshim çfarë do qofte se artikulli shpifës dhe fyes është draftuar në kundërshtim me Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Me leximin e artikullit duke filluar nga titulli pompoz e deri tek përmbajtja mund të kuptojmë se i njëjti ka vetëm një qellim dhe ai është baltosja e figurës së paditësit. Në artikullin shpifës dhe fyerës i padituri nuk flet për ndonjë spekulim apo dyshim pra në asnjë pjese të tij nuk shënohet ndonjë fjale si “dyshohet, flitet, spekulohet”, përkundrazi përmbajtja e artikullit është e mbushur përplot me konstatime sikur të thënat e tij vërtetë t jenë provuar. Vlen të theksohet se artikulli nuk i drejtohet ndonjë qëndrim politik apo ndonjë thashetheme të rëndomtë por bëhet fjalë për nja akuze për vrasje dhe madje të tre personave. Qysh në titullin e artikullit i padituri ka konstatuar se paditësi ka kryer këtë vepër penale. Po ashtu artikulli nuk është shkruar në kohën kur kjo çështje ka qene aktuale që do të bënte me pak diskutabil qëllimin e tij. Artikulli është shkruar plot 40 vite pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Nëse vërtet i padituri do të besonte pretendimeve të tij se paditësi ka qenë i përfshirë në këtë çështje, i njëjti do të kishte iniciuar ndonjë procedure kundër tij duke qene se për këtë ka pasur në dispozicion plot 40 vite, vlen të theksohet se standardet gazetareske kane në thelb informimin e drejt dhe të saktë të qytetareve, rrjedhimisht çdo informatë e pa bazuar e shtrembëruar dhe e pasaktë nuk ka se si të jetë korrekte apo në pajtim me Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Në artikullin shpifës dhe fyes mund të lexojmë fjalë si “do ta padis për vrasje, argat tradhtar, dëshmi e rreme dhe do të shkoj gjakhupës”, të cilat nuk janë shprehur si dyshime por si deklarata të fakteve. Në lidhje me këtë duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për te Drejtat e Njeriut, gjykata bën dallimin e qartë mes fakteve dhe opinioneve, lidhur me këtë gjykata ka theksuar se duhet bërë një dallim i qarte mes fakteve dhe opinioneve, kjo pasi që ekzistenca e fakteve mund të provohet derisa gjykimet e vlerave apo opinionet nuk mund të provohen në rastin Ligens kundër Austrisë viti 1986 par 46. Për më tepër praktika e gjykatës është shume e prerë jo vetëm sa i takon fakteve por edhe lidhur me shprehjen e vlerësimeve, përkatësisht gjykata në praktiken e saj gjyqësore ka deklaruar se “edhe kur deklarata përben gjykim të vlerave, proporcionaliteti ndërhyrjes mund të varet nëse ekziston një bazë e mjaftueshme faktike për deklarimin e kontestuar, pasi që edhe një gjykim i vlerave pa u mbështetet në asnjë baze faktike mund të jetë i tepruar nga vendimi në rastin DE HAES dhe GIJSELS kundër Belgjikës par. 47. Duke qenë se lexuesit të cilët kanë lexuar këtë artikull me siguri nuk kanë hulumtuar për të verifikuar informatat, përgjegjësia e gazetareve lidhur me raportimin e drejtë dhe të saktë është edhe më qenësore. Paditësi para kësaj gjykate ka adresuar secilin dhe të gjitha pretendimet e të paditurit, madje duke i dorëzuar gjykatës si provë materiale vizën e tij në të cilën evidentohen saktë lëvizjet. Në seancën e kaluar paditësi ka vërtetuar se nuk është e vërtetë se ka pasur cilësinë e të dyshuarit për këtë vepër penale, se nuk ia ka dhënë askujt veturën e tij, se nuk është paditur apo sjellë para organeve të drejtësisë lidhur me këtë çështje, mbi të gjitha paditësi vërtetoi se artikulli i lartcekur duke e portretizuar si vrasës dhe tradhtar të kombit e ka dëmtuar rëndë atë dhe familjen e tij. Sikur artikulli të kishte qofte edhe një fjali të bazuar, përfaqësuesi i të paditurit nuk do të hezitonte që të merrte pjese në seancat gjyqësore. Heshtja e te paditurit në këtë çështje është aq e zhurmshme saqë bën të tepërt çfarëdo argumenti shtesë lidhur me këtë artikull. Në fund vlen të theksohet se vet i padituri e ka kuptuar se etiketimi i dikujt si tradhtar kombëtar, nuk është etik dhe rrjedhimisht është në kundërshtim me Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Duke shtuar se rehabilitimi i autoritetit të paditësit mund të bëhet vetëm me vendosjen e drejtësisë dhe kjo e fundit arrihet duke mbajtur përgjegjës të gjithë personat të cilët raportojnë rrejshëm, shtrembërojnë faktet e rastit dhe shkelin prezumimin e pafajësisë të garantuar me kushtetutë, prandaj ka kërkuar nga gjykata që të aprovon në tërësi si faktikisht dhe juridikisht të themelte padinë e paditësit. Me datë 16.04.2024, të autorizuarit e paditësit gjykatës ia kanë dorëzuar edhe fjalën përfundimtare në formë të shkruar. Shpenzime të procedurës kontestimore i ka kërkuar në fjalën përfundimtare të dorëzuar me shkrim, por të njëjtat nuk i ka specifikuar.
I padituri Reshat Badallaj, nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit, në këtë çështje juridike kontestimore nuk ka paraqitur përgjigje në padi.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor i autorizuari i të paditurit Gent Gjini, avokat nga Prizreni e ka kontestuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit. Ndërsa në fjalën përfundimtare i padituri Reshat Badallaj, ka theksuar se nuk është e vërtetë se ka deklaruar që do ta padisë në gjyq për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, që krimi nuk vjetrohet kurrë. Këtu paditësi është marrë në pyetje dhe do ta paraqes dokumentin zyrtar që me datën 05.02.1982, enti federal i kriminalistikes i landit Baten Bytenberg, aktualisht në lënda vrasje e trefishtë e jugosllavëve në egzil te zoti Zëffiel, i cili ka marr në pyetje paditësin, sa i përket veturës Mercedes, me targa Zviceranë TI-30408, mbajtësi i kësaj veture është Behgjet Pacolli. Në ditën kur janë vrarë vëllezërit Gërvalla kanë qenë në veturën BMW, ndërkaq vetura Mercedes ka qenë aty pranë dy orë më herët sipas burimit të informacionit lëshuar nga enti federal i kriminalistikes i datës 05.02.1982. Këtu paditësi deklaron se ka marr vizë në Maribor, ndërsa i padituri ka kërkuar nga shteti shqiptar se a ka pasur Republika Socialiste e Shqipërisë, konsullate dhe ambasade dhe shteti shqiptar me përgjigje me shkrim e kanë informuar se Republika Socialiste e Shqipërisë, nuk ka pasur ambasade apo konsullate në Maribor por ka pasur në Beograd, duke shtuar se si i paditur do kërkonte të verifikohej se ku është pajisur me vizë, sepse paditësi ka deklaruar para organeve të kriminalistikes se vizën e ka marr në Maribor. Tutje ka shtuar se të gjitha deklarimet e tij në artikullin e botuar në Kosova Sot, i ka të mbështetura nga Enti Federal i Kriminalistikës. Enti Federal e pyet këtu paditësin se a e njihni shefin e policisë Selim Brosha dhe a keni kontakt me të dhe a e keni ditur se Selim Brosha është shef i policisë së UDB-së , ndërsa këtu paditësi deklaron se e njeh Selim Broshen dhe ka kontakte por jo të shpeshta dhe e ka kushëri të largët. Në fund ka deklaruar se gjate përpilimit të artikullit ka mundur ta ketë fyer këtu paditësin dhe për të njëjtën ka theksuar se kërkon falje publikisht, ndërsa në artikullin e apostrofuar ka theksuar se ka thënë që të mos shkoj gjakhup nga Jusufi Bardhoshi Gërvalla, por ne asnjë rast nuk ka thënë se këtu paditësi ti këtë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Pas analizimit të artikullit të shkruar nga ana e tij, nuk mund të gjendet askund fjala të ketë thënë se këtu paditësi i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, por i gjithë shkrimi bazohet në dokumentin e marr nga Enti Federal i Kriminalistikes
Shpenzimet e procedurës kontestimore nuk i ka kërkuar.
Provat dhe gjendja faktike e vërtetuar
Për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike dhe fakteve vendimtare, në këtë çështje kontestimore, Gjykata ka bërë administrimin e këtyre provave: deklarimi i paditësit Behgjet Pacolli, në shqyrtimin e datës 15.03.2024; leximi i artikullit të botuar në Kosova Sot Online, me datë 08.07.2022, shkruan Reshat Badallaj – Zhurjani; viza hyrëse për në R.P.S të Shqipërisë, në emër të Behgjet Pacolli.
Gjykata pas vlerësimit te pohimeve te palëve ndërgjyqëse dhe provave te nxjerra në kuptim të nenit 8 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK), me kujdes dhe me ndërgjegje ka çmuar çdo provë veç e veç dhe të gjitha ato së bashku, dhe ka gjetur se kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar.
Gjykata në shqyrtimin e datës 15.03.2024, ka bërë dëgjimin e paditësit Behgjet Pacolli, në cilësi të palës, i cili pranë kësaj gjykate ka deklaruar se: zotri Badallaj më ka akuzuar publikisht me 2 apo 3 artikuj se unë në një intervistë telefonike që kam pasur me policinë e Zvicrës në atë kohë (me kërkesën e policisë Gjermane është dashur të verifikohen dikund mbi 3000 makina të një ngjyre hiri të markës Mercedes, unë kam poseduar një makinë të tillë ndër ato 3000 makina dhe policia e Zvicrës më ka kontaktuar me telefon në janar të vitit 1982, duke më pyetur se ku ka qenë makina ime në atë kohe, në dhjetë ditshin e dytë të janarit) dhe unë jam përgjigjur se kam qenë në Shqipëri me makinën time dhe se unë jam pajisur me Vizë në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë, e cila vizë nuk më është vendosur në pasaportë por më është dhënë në një dokument të veçantë të cilën ia dorëzoj sot gjykatës këtë dokument (vizë), më është sjellë nga një mik i imi në Maribor ku unë kam qëndruar. Me të pranuar vizën me datën 11.01.1982, kam hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare në Shkodër. Andaj, në pyetjen e policëve zviceran ju kam shpjeguar se kam kaluar kufirin në Shqipëria në vend kalimin Skatar, siç quhet Shkodra në arenën ndërkombëtarë. Në Shqipëri kam qëndruar deri me 17.01.1982, kaloj kufirin prapë në të njëjtin vend dhe vij në ish Jugosllavinë e atë hershme, dhe vij në Kosove dhe njëherit kam njoftuar policinë zviceranë se në Kosovë jam takuar me Selim Broshaj, pasi që të njëjtin e kam pasur fqinjë në banesën ku unë banoja në atë kohë në Gjilan. Përndryshe njoftoj gjykatën se Selim Broshaj, është vrarë pas luftës në Prishtine, ku perceptimi publik është se është vrarë në emër të bashkëpunimit me regjimin e atëhershëm, pasi që ai ka qenë funksionar i lartë në Shërbimin e Inteligjencës së kohës. Gjatë pyetjeve të parashtruara nga e autorizuara e paditësit i njëjti ka theksuar se të paditurin Reshat Badallaj nuk e njeh personalisht, nuk e di kush është dhe se çka përfaqëson, duke shtuar se nga përmbajtja e shkrimit të tij ndihet i fyer thellësisht, se ka qenë i kërcënuar me mijëra mesazhe në facebook dhe rrjete sociale, ka qenë i denigruar me shprehje marramendëse të këqija. Sa i përket pretendimit të të paditurit Reshat Badallaj, se në bisedën e tij verifikuese përmes telefonit të ketë pohuar zyrtarëve policor se veturën e tij me targa TI-30408, ia kishte huazuar apo dhënë në përdorin Selim Broshaj, ka shtuar se nuk është deklarim i saktë por i rrejshëm. Në pyetjen e gjykatës se a i kujtohet targa e veturës së tij, paditësi ka deklaruar se kane qene TI-30408, Mercedes Benz, ngjyre hiri.
Nga artikulli i botuar në Kosova Sot Online, me datë 08.07.2022, shkruan Reshat Badallaj – Zhurjani, gjykata gjeti se i padituri kishte publikuar në gazetën online në emrin e tij, me datë 08.07.2022, shkrimin me titull “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvballa dhe Kadri Zeka” ndërsa në brendësinë e artikullit është shkruar se: Behxhet Pacollit i kam shkruar letër të hapur në publik, në gazetën elektronike “Kosova Sot” me dt. 27 prill vitit 2022 dhe nuk kam marrë përgjigje fare, ndaj mu për këtë kam vendosur të bëj padi penale dhe të sqarohen shumë gjëra për këtë krim që të mos shkojn gjak hup se dëshmitë e rrejshme dënohen me ligj. Sido që të jetë këtu mund të lexoni deklaratat origjinale dhe zyrtare pa ndonjë ndërhyrje. Në deklarimin e tij Pacolli thotë se me 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizë për të vizituar Shqipërinë. Lind dyshimi i parë, Republika e Shqipërisë në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë përfaqësie konsullore apo diplomatike në Maribor të Sllovenisë që ishte pjesë e Jugosllavisë. E vetmja përfaqësi diplomatike e Shqipërisë në Jugosllavi ka qenë ambasada e Shqipërisë në Beograd. Unë Reshat Baldedaj- Zhuriani kam shkuar gjurmëve të kësaj dhe atë në rrugën zyrtare dhe kjo ishte përgjigjja: I nderuar z. Baldedaj, ju informojmë se nga të dhënat që disponojmë nuk rezulton që Republika e Shqipërisë të ketë pasur mision Diplomatik apo Post Konsullor në qytetin e Maribor të Sllovenisë. Faleminderit Konsulja.
Pacolli thotë se në Shqipëri ka hyrë përmes pikës kufitare të quajtur Sedar. Është e paqartë se ku gjendej kjo pikë kufitare mes Jugosllavinë dhe Shqipërisë por ndoshta është fjala për Shkodrën. Por ama nuk ka asnjë pikë zyrtare të tillë. Pra, Behxhet Pacollit nuk i mbetet asgjë tjetër por të tregoj vulën e pasaportës, që e ka marrur vizën në Maribor të Sllovenisë, që ishte Sllovenia Republikë në ish Jugosllavi dhe ku gjindet vula e pikës kufitare Sedar?
I njoftoj opinionin publik shqiptar e unë Reshat Baldedaj -Zhuriani kam vendosur të bëj padi penale kundër Behgjet Pacolli, biznesmen, kryetar i një partie që numëron anëtarë sa një mehallë dhe jo më shumë. Për të mos i ra muhabetit rrotull, shkurt e shqip, fjala është se Behgjet Pacolli është marrur në pyetje për këtë krim të paparë për historinë e njerëzimit, që i vranë burrat e kombit shqiptar, Jusuf Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën në vitin 1982, nga UDB-ja serbe dhe argatët tradhtare të kombit shqiptar.
Behgjet Pacolli është marrur në pyetje. Sipas notës zyratre të policisë gjermane, Behgjet Pacolli është marrë në pyetje për shkak se ia kishte dhënë veturën e tij me targa zvicerrane agjentit të UDB-së, Selim Brosha, i vrarë në Prishtinë pas luftës. Vetura Mercedes e Pacollit kishte këto numra mbi targa TI-30408. TI është shkurtesa e kantonit të Tiçinos në Zvicërr, ku Pacolli ka vendbanimin e tij të dytë dhe ku jetonte në fillim të viteve të 80të. Ja deklarata e plotë e Pacollit para hetuesit zviceran. Enti Federal i Kriminalistikës (Bundeskriminalamt) ST 33 për LKA BË (Enti i Kriminalistikës i Landit Baden- Ëuttemberg). Lënda vrasje e trefishtë e tre jugosllavëve në ekzil me 17.1.1982 në Untergruppenbach, Qarku i Heilbronnit. Këtu dyshimi (indikacioni) sa i përket veturës Mercedes, me targa zvicerane TI-30408. Me datën 5 shkurt 1982 zoti ZËEIFEL, nga Policia Federale në Bernë njoftoi përmes telefonit se është kryer verifikimi i alibisë së mbajtësit të targave me numrat e lartpërmendur. Mbajtësi Behgijet Pecolli (Behgjet Pacolli deklaroi me sa vijon dhe këtë e dëshmoi përmes vulave në pasaportë dhe faturave të hoteleve. Tha se me 9 janar 1982 ka udhëtuar në Chiasso në Jugosllavi. 10 janar 1982-03:00- kalimi i kufirit. Tha se me 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizë për në Shqipëri. Tregoi se me veturën e tij Mercedes ja udhëtuar deri në kufirin e Shqipërisë ku e kishte lënë veturën. Tha se udhëtimin në Shqipëri e kishte bërë për shkaqe zyrtare, andaj nga pika kufitare Sedar kishte udhëtuar më tutje me një veturë zyrtare. Sipas tij, me 17 janar 1982 përsëri ishte kthyer në Jugosllavi (vula hyrëse gjendet në pasaport) tha se në orën 03:00 (18.1.82) kishte arritur në vendlindje, ku kishte qëndruar deri me 20.1.82. Me 21.1.82 sipas tij ishte kthyer në Zvicërr. Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në facebook dosja.al. Ai (Pacolli) tha se e njeh Selim Broshën. Bëhet fjalë sipas tij për një kushëri të largët. Pacolli tha se e di që BROSHA është shef policie dhe se punon për UDB-në. Por tha se mban pak kontakt me BROSHËN. Raporti mbi verifikimin e alibisë i dërgohet Komisionit të Veçantë, po ashtu edhe kopjet e dëshmive të ofruara. (nënshkrimi) (Muller) KHK.
Paraqitje e Behgjet Pacollit në gjyq, është obligative sepse, kemi edhe shumë pyetje tjera për të zbardhur një herë e përgjithmonë këtë krim kriminal. Reshat Sallah Baldedaj, Zhur krahina e Lumës, Republika e Shqipërisë.
Nga leximi i vizës hyrëse për në R.P.S të Shqipërisë, në emër të Behgjet Pacolli, gjykata vërtetoi faktin se paditësi ka qenë i pajisur me vizë për të udhëtuar në Shqipëri, viza e cila mban vulat me datë 11 janar 1982 dhe 17 janar 1982.
Ligji i aplikueshëm
Duke qenë se padia e paditësit ka të bëjë me kërkesën për kompensimin e dëmit në emër të shpifjes dhe fyerjes, Gjykata gjeti se, në rastin konkret gjejnë zbatim dispozitat e Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes – LCSHF (Ligji Nr. 02/L-65), si ligj i veçantë, i cili ka qenë në fuqi në kohën e krijimit të raportit juridiko-civil.
Me Nenin 3 pika a) të Ligjit është definuar se: “Shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personi tjetër.” Ndërsa, në pikën b) të kësaj dispozite përcaktohet se: Fyerja nënkupton deklarimin, sjelljen, publikimin e deklaratës të drejtuar ndaj një personi tjetër e cila është nënçmuese, ” ndërsa pika k) ka definuar definicionin e Çështjes së interesit publik: “çdo çështje e cila është në interes të publikut të publikohet duke përfshirë por duke mos u kufizuar në çështjet që kanë të bëjnë me të gjitha degët e pushtetit, politikë, shëndetësi dhe siguri publike, zbatim të ligjit, administrim të drejtësisë, interes të konsumatorëve dhe interes shoqëror, ambient, çështje ekonomike, ushtrim të pushtetit, shkencë, art dhe kulturë”.
Lidhur me përgjegjësinë për shpifje dhe fyerje, Ligji në nenin 5 par.1 ka paraparë se: “Një person është përgjegjës për shpifje ose fyerje në qoftë se ai/ajo ka kryer ose përhapur shprehjen e shpifjes ose fyerjes përveç nëse është konstatuar njëra nga përjashtimet e përgjegjësisë në pajtim me këtë Ligj”. Ndërsa, në paragrafin 3 të po këtij neni përcaktohet se: “Kur shpifja ose fyerja ka të bëjë me një çështje të interesit publik ose kur personi i shpifur ose fyer është ose ka qenë zyrtar publik ose është kandidat për një pozitë publike, mund të ketë përgjegjësi për shpifje ose fyerje vetëm nëse autori ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm ose ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e tij.”
Kushtetuta e Kosovës në nenin 40 [Liria e Shprehjes], ka paraparë se: (1) Liria e shprehjes është e garantuar. Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush, (2) Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.
Me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), (e zbatueshme drejtpërdrejtë sipas Nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës), parashihet se: “(1) Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë, dhe par. (2) Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor”
Vlerësimi përfundimtar i Gjykatës
Në këtë çështje juridike nuk ishte kontestues fakti se i padituri Reshat Badallaj, me datë 08.07.2022, kishte shkruar një shkrim në Gazetën Kosova Sot Online, e cila mban titullin “Do ta padis në gjyq Behxhet Pacollin për vrasjen e vëllezërve Gërvala dhe Kadri Zeka!”.
Kontestuese mes palëve ishte baza juridike e kërkesëpadisë, respektivisht nëse shkrimi i publikuar që është objekt kontesti ka përmbajtje shpifëse apo fyese ndaj paditësit – gjë që do të ishte bazë për kompensimin e dëmit.
Në vlerësimin e kërkesëpadisë së paditësit, Gjykata i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJsë, konform Nenit 2 të LCKSHF (Ligji Nr. 02/L-65) dhe Nenit 53 të Kushtetutës, sipas të cilave Gjykata është e detyruar që të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, respektivisht me këtë Ligj, në harmoni me vendimet e GJEDNJ.
GJEDNJ në lidhje me parametrat që merr në konsideratë në shqyrtimin e çështjeve të shpifjeve ka paraparë si parametër edhe statusin e individit të shënjestruar. Sipas gjykatës “kufijtë e kritikës së pranueshme” janë shumë më të gjera për sa i përket individëve me një status publik krahasuar me individët privatë.
GJEDNJ mbron parimin se politikanët në mënyrë të pashmangshme dhe me vullnet e ekspozojnë veten, për çdo fjalë që thonë apo veprim që bëjnë, ndaj shqyrtimit të hollësishëm si të gazetarëve ashtu edhe të publikut të gjerë, (shih çështjen 42: Lingens k. Austrisë, Aktgjykimi i dt. 08.07.1986). Po ashtu i rëndësishëm është edhe statusi i individit i shënjestruar nga deklaratat shpifëse e për të cilën duhet theksuar se është një nga parametrat e marrë në konsideratë nga Gjykata në shqyrtimin e çështjeve të shpifjes. Si rrjedhojë, për Gjykatën, nuk ishte kontestues fakti se paditësi hyn në kategorinë e figurave publike, përkatësisht politike në Kosovë. Kjo nga fakti se është fakt i njohur se paditësi është i angazhuar në jetën politike si president i subjektit politik Aleanca Kosova e Re (AKR-së),tani është deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe ka ushtruar në të kaluarën pozita të rëndësishme në jetën politike, gjë që për gjykatën paraqet fakt të mjaftueshëm se paditësi hyn në domenin publik dhe si i tillë duhet të tregoj një shkallë më të lartë të tolerancës në raport me diskutimin publik për të.
Tutje GJEDNJ në çështjen (Bedat v. Sëitzerland, nr. 56925/08, aktgjykim i 29 marsit 2016, para. 72), ka potencuar se sulmi ndaj reputacionit të dikujt duhet të jetë në një nivel serioz në masën sa të shkaktojë ndërhyrje në jetën private dhe familjare të personit dhe sidomos kur pretendimet faktike janë të natyrës serioze saqë publikimi i tyre ka një ndikim në jetën private të individit dhe ne integritetin e tij personal ( shih çështjen: Karakao v. Hungary, 39311/05, 28 prill 2009, para. 23).
Në këtë drejtim gjykata fillimisht vlerësoi deklarimet e të paditurit në artikullin e kontestuar në aspektin e lirisë së shprehjes dhe nëse akuza që ka bërë pala e paditur në artikullin e tij është i nivelit serioz, sa të shkaktojë dëm të reputacionit dhe integritetit personal të palës paditëse. Ashtu siç u arsyetua gjykata vlerëson se politikanët pranojnë më gjerë parimin e “kufijve të kritikës së pranueshme”, prandaj pati rëndësi fillimisht statusi i personit ndaj të cilit është bërë artikulli, p.sh., nëse kemi të bëjmë më figura publike që ushtrojnë pozita publike apo persona privatë (shih çështjen Palomo Sanchez and others v. Spain, nr. 28955/06, 12 shtator 2011, para. 71).
Në anën tjetër, gjykata analizoi nëse artikulli ka të bëjë me çështje të interesit të përgjithshëm publik dhe gjeti se artikulli i publikuar ka të bëj me liri të shprehjes dhe liri të dhënies së mendimit për një çështje me interes të përgjithshëm publik përkatësisht ashtu siç e ka cekur i padituri krimin të paparë në historinë e njerëzimit, që i vranë burrat e kombit shqiptar: Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën, në vitin 1982, ..”, në këtë drejtim gjykata vlerëson se artikulli i publikuar nga i padituri përbën çështje me interes të përgjithshëm,
Tutje gjykata analizoi artikullin dhe vlerëson se artikulli përmban opinione të paditësit duke i ndërlidhur me informacionet e marra për dy ngjarje dhe atë vizitën e paditësit në Shqipëri me dt. 10.01.1982, në këtë drejtim i padituri shkruan se për të vërtetuar faktin nëse paditësi Behgjet Pacolli me dt. 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë vizë të Shqipërisë, i është drejtuar në rrugë zyrtare Konsullatës në Slloveni dhe ka marrë përgjigje se “Republika e Shqipërisë në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë përfaqësie konsullore apo diplomatike në Maribor të Sllovenisë”,
Po ashtu fakti i potencuar nga i padituri në artikullin e tij se paditësi është marrë në pyetje nga policia zvicerane “për shkak të verifikimit të alibisë së mbajtësit të targave me nr. T1-30408” është pohuar edhe nga vet paditësi gjatë deklarimit të tij para gjykatës me dt. 15.03.2024, me ç ‘rast është pohuar fakti se me kërkesën e policisë Gjermane në atë kohë janë verifikuar dikund mbi 3000 makina të një ngjyre hiri te markës Mercedes, dhe në grupin e tyre ka qenë edhe vetura e paditësit, për çka policia e Zvicrës e ka kontaktuar me telefon në janar të vitit 1982 dhe e ka pyetur se ku ka qenë makina e tij në atë kohe pra në dhjetë ditshin e dytë të muajit janar.
Përfundimisht, sipas vlerësimit të Gjykatës nga artikulli kontestues që i referohet paditësi, të lexuar si tërësi del se nuk është provuar fakti se përmban ndonjë element të shpifjes dhe rrjedhimisht nuk është provuar se përmes këtij publikimi paditësit i është shkaktuar ndonjë dëm material. Gjykata vlerëson se në lidhje me interpretimin dhe zbatimin e nenit 3 të LCKSHF, kundër shpifjes dhe fyerjes, përkatësisht përkufizimeve për shpifjen se meqenëse ka rezultuar se i padituri në artikullin e publikuar ka shprehur opinionin e tij referuar burimeve dhe ngjarjeve të pohuara nga vet paditësi- vizitën e paditësit në Shqipëri me dt. 10.01.1982 dhe verifikimi i makinës së paditësit nga policia Zvicerane në janar të vitit 1982, kjo nënkupton se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me elemente të shpifjes. Si rrjedhojë e kësaj publikimi i artikullit të tillë nga i padituri, nuk bart pasoja të përgjegjësisë civile për kompensimin e dëmit material, ngase me asnjë provë nuk është vërtetuar se me publikimin e artikullit të tillë, paditësit i është shkaktuar ndonjë dëm.
Nga të lartcekurat, gjykata gjeti se në deklarimet kontestuese të të paditurit, nuk është vërtetuar shpifja dhe as fyerja ndaj paditësit dhe rrjedhimisht nuk ka bazë ligjore për shpërblimin e dëmit.
I paditurit Reshat Badallaj, në shqyrtimin e datës 29.03.2024, ka bërë dorëzimin e parashtresës (dokumentit) të cilin thekson se e ka marrë nga Enti Federal i Kriminalistikës, në gjuhë gjermane, mirëpo të njëjtin gjykata nuk e administroi si provë materiale, pasi që i padituri gjykatës nuk ia paraqiti përkthimin e të njëjtit në gjuhën zyrtare e cila është në përdorim zyrtarë pranë gjykatës siç parashihet me nenin 331 par.2 të LPK-së, pra përkthimi duhet të bëhet nga ana e përkthyesit gjyqësor.
E autorizuara e paditësit parashtresës së datës 16.04.2024, ia ka bashkangjitur edhe dy botime të tjera të botuara me datë 06.02.2022, në Gazetë Online Lajme dhe të datës 09.02.2022, të botuar në Gazetën Online Koha, por të njëjtat nuk mund të vlerësohen nga ana e gjykatës, pasi që bazuar në nenin 406, par.1 të LPK-së, është përcaktuar se: “Varësisht nga rezultati i shqyrtimit në seancën përgatitore gjykata do të vendos se çka do të jetë objekt shqyrtimi dhe cilat prova do të merren, në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes”, e po ashtu edhe në shqyrtimin e datës 15.03.2024, e autorizuara e paditësit ka deklaruar se nuk ka propozime për prova të tjera.
Vendimi mbi shpenzimet procedurale gjykata e morri në bazë të nenit 450 dhe nenit 463 par.1 të LPK-së, pasi pala e paditur si gjyq fituese nuk i ka kërkuar shpenzimet procedurale.
Nga sa u theksua më lartë, lidhur me nenin 143 të LPK-së, gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi..
GJYKATA THEMELORE PRIZREN
DEPARTAMENTI I PËRGJITHSHËM – DIVIZIONI CIVIL
C.nr.3556/2022, datë 15.05.2024
G j y q t a r i
_______________
Taulant Rexhëbeqaj
KËSHILLË JURIDIKE: Kundër këtij aktgjykimi pala e pa kënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 15 ditëve, pas pranimit të tij, Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes kësaj gjykate. Ankesa duhet të paraqitet në kopje të mjaftueshme për palët dhe gjykatën.