Numri një i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë sa më shpejt kur bëhet fjalë për komunikimet që shefja e deputetëve të LVV-së ka pasur me Listën Serbe e Milan Radoiçiqin.
Ai në “RTK Prime” tha se është normale një shefe e Grupit Parlamentar për t’u dakorduar për tema të caktuara, mirëpo, tha ai, duan të shpërfaqin para qytetarëve atë se kjo shumicë parlamentare është ngjitur në pushtet me zotimin e premtimin që nuk bashkëpunojnë e nuk flasin me Listën Serbe.
“Problemin e bënë edhe më serioz fakti që me Listën Serbe nuk është diskutuar për një ligj që i prekë komunitetet, për të drejtat e njeriut apo për marrëveshjet ndërkombëtare, por, është lidhur me një ligj që prek drejtpërdrejt pagën minimale ndërsa përjashton një pjesë të rëndësishme të qytetarëve, veteranët e UÇK-së e kategori tjera”, tha ai.
Tahiri tha se deputetët e shumicës parlamentare nuk erdhën të ballafaqohen në seancë sepse nuk kanë çfarë të thonë.
“Prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt. Kjo duhet të ndodhë e këtu ka punë prokuroria sepse nuk ka gjynah më të madh se t’i ngjitet dikujt një e pa qenë. Unë nuk do të mund t’ia bëja dikujt këtë. Unë çka kam thënë është se dëgjohet zëri i Simiqit dhe zëri i Mimoza Kusarit, për temën që flasin. Kjo nuk është propagandë një zëri që e njeh. Tash a ka editim apo jo, a është me inteligjencë artificiale e bërë këtë duhet ta përcaktojë prokuroria. Por, në një emision Kusari-Lila e ka pranuar faktin që ka komunikuar dhe po ashtu në një emision tjetër kryeministri e ka pranuar këtë si detyrë të Mimoza Kusarit, si detyrë të marr nga qeveria, por ka thënë se nuk mund të marr hapa se nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Tahiri tha se në ato biseda flitet për kushte e Prokuroria duhet të pyet për çfarë kushtesh bëhet fjalë.
“Problemi shkon edhe më tutje sepse aty flitet për kushtëzime, për kushte, prokuroria duhet të pyes për çfarë kushtesh po flasim. Njeriu tjetër që është palë është në listën e zezë, ka qenë në listën e zezë, ka aktakuzë nga sistemi i drejtësisë së Kosovës, elemente shumë problematike , elemente që prokuroria ka punë”, tha ai në “RTK Prime”.
Tahiri: LVV-ja sot nuk ka shumicë për të qeverisur
Shefi i deputetëve të AAK-së Besnik Tahiri tha se populli duhet ta dijë që Lëvizja Vetëvendosje sot nuk ka shumicë për të qeverisur.
“Sot nuk i ka 61 vota në Kuvend për shkak të largimit disa demostrativisht, disa duke iu bashkuar disa partive tjera, disa duke krijuar parti e disa duke ndenjur të heshtur se janë të pakënaqur. Më besoni mua më dhimbsen disa deputet e deputete që janë në atë grup parlamentar që pasi të kalon ky mandat e nuk do të rizgjidhen do të shohin sa shumë kanë humbur e nuk kanë guxuar të flasin. Ata që po më dëgjojnë e dinë çka po them. Aty ka qenë një rend hierarkik që e ka ngufatë zërin e deputetëve që kanë fituar mandat”, tha Tahiri.
Sipas tij, demokracia në Kosovë është në rrezik nga koncepti mashtrimit, i arrogancës së numrave dhe brenda vetë partisë është rrezik prej një “disipline hierarkike”.
“Si ka mundësi që një person që nuk ka pozicion formal në asnjë institucion qeveritar të ketë ndikim të drejtpërdrejt se kur lëshohet e ndalet rryma, tek një ndërmarrje më e madhe energjetike e cila është ndërmarrja më e madhe me të punësuar dhe qarkullim financiar. Në cilin shtet mund të ndodhë kjo. Kjo nuk mund të ndodhë pa “izën” e kryeministrit”, tha ai.
Tahiri tha se janë disa probleme e i pari është te humbja e shumicës parlamentare nga LVV-ja që siç tha ai, nuk i kanë votat as ta kalojnë buxhetin.
“Unë mendoj që ne rrezikun e kemi që do të shkojmë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve pa buxhet. Nuk i kanë 61 vota ta kalojnë buxhetin. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por shqetësuese është logjika, mendësia që mendojnë se e kanë në posedim shtetin”.
I pyetur nëse kjo do të thotë se AAK-ja nuk do ta votojë buxhetin, ai ka thënë se është normale që opozita e bojkoton si mjet politik një politikë të caktuar të qeverisë. “Ky është roli i politikës”, tha ai.
AAK-ja paralajmëron seancë të jashtëzakonshme për RTK-në
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, diskutimin e tij në emisionin “RTK Prime” e nisi me atë që ai e quajti “goditje të madhe” që Kuvendi i Kosovës mori nga transmetuesi publik, pasi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit nuk u transmetua në kanalin e parë të RTK-së.
“Si Kuvend i Kosovës sot kemi marrë një goditje të madhe nga shtëpia e popullit, nga televizioni publik meqë në një seancë të jashtëzakonshme ku diskutohej një skandal shumë i madh, me 40 nënshkrime deputetësh, fjalimet e opozitës u ndalen nga ky televizion”, tha ai.
Ai tha se ishte pikërisht Lëvizja Vetëvendosje që në të kaluarën që protestonte para dyerve të RTK-së duke e quajtur këtë institucion si të kapur, e sot, sipas tij, ndikimi që ka qeveria në këtë institucion është i dukshëm.
“Ne si opozitë do të iniciojmë një seancë të jashtëzakonshme edhe rreth kësaj teme dhe rreth çështjes së ndikimit partiak e politik në bord”, tha tutje Tahiri.
Tahiri tha se e kupton rëndësinë e konferencës që po transmetohej drejtpërdrejt gjatë kohës sa ishte seanca, mirëpo, sipas tij, derisa seanca e jashtëzakonshme po bojkotohet nga qeveria të bojkotohet edhe nga transmetuesi publik është element që duhet të diskutohet.
“Unë jam anëtar i Komisionit për Media me hierarkinë institucionale, mua jo drejtori, por bordi më raporton në komision dhe mua nuk më lejohet të hyj brenda. Kuvendi i Kosovës e ka themeluar këtë institucion dhe unë jam anëtar i Kuvendit të Kosovës”, vazhdoi ai.
Drejtoria e Televizionit Publik të Kosovës përmes një komunikate ka sqaruar se transmetimi i seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës nuk është ndërprerë për asnjë minutë.
Sipas Drejtorisë së Transmetuesit Publik, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është transmetuar drejtpërdrejtë në kanalin RTK-3 sikurse edhe në rrjetin social Facebook të RTK-së.
“Në RTK1 gjatë asaj kohe ka qenë në transmetim një ngjarje e rëndësisë së veçantë që trajton një prej kategorive më të cenuara të shoqërisë, viktimat e dhunës seksuale në konflikt. Në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt e cila po transmetohej në RTK1 përveç krerëve të shtetit, ka folur edhe Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në sqarimin e RTK-TV-së.
Drejtoria e RTK-TV tutje ka sqaruar se konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me rastin e 25-vjetorit të themelimit të kësaj qendre, ka qenë e një rëndësie të veçantë, pasi edhe sot pas 25 vitesh kërkohet zbardhja, dokumentimi dhe ndëshkimi i krimeve të luftës dhe dhunës seksuale gjatë konfliktit.
“Për më tepër transmetimi i drejtpërdrejtë i konferencës ndërkombëtare për dhunën seksuale në konflikt ka qenë i planifikuar për mbulim të drejtpërdrejtë qysh më parë, pas një takimi në mes udhëheqësve të RTK-TV-së dhe drejtuesve së kësaj organizate”, theksohet në sqarimin e Drejtorisë së RTK-TV.