Kosova është vendi i vetëm në rajon që në plan-programin për nivelin fillor dhe të mesëm ka vetëm dy orë të lëndës së edukimit fizik në javë. Se këto orë nuk janë të mjaftueshme dhe shpeshherë nuk arrin të realizohen e thonë edhe vetë nxënësit.

Disa nga ta i thanë Radio Kosovës së si pasojë e mungesës së infrastrukturës në stinën e vjeshtës dhe dimrit, shpesh nuk arrin të realizojnë orët e edukatës fizike.

“Po, ndodh që nuk i mbajmë orët e edukatës fizike, sepse në të njëjtën kohë edhe nxënësit e klasave të tjera mbajnë. Sidomos kur është moti i ftohtë ose është me shi salla është e zënë me nxënës të tjerë. Me lëndën e edukatës fizike kemi pak problem. Edhe pse i kemi vetëm 2 orë në javë, ne nuk mund t`i mbajmë sepse e kemi pak problem hapësirën e sallës së edukatës fizike. E më shumë kur është moti i ftohtë, salla brenda është e zënë në shumicën e rasteve”, thonë ata.

E, për të përmirësuar këtë gjendje, përfaqësues të institucioneve të edukimit fizik ka kohë që kanë kërkuar rritjen e fondit të orëve në shkolla për lëndën e edukimit fizik, pasi sipas tyre, dy orë në javë nuk janë të mjaftueshme.

Profesori në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit në Universitetin e Prishtinës,  Faton Tishukaj, i tha Radio Kosovës së dy orë  në javë janë shumë pak dhe se gjatë ditëve me reshje shiu dhe ulje të temperaturave shpeshherë ndodh që as këto dy orë të mos realizohen.

“Dy orë të edukimit fizik dhe shëndetësor në javë janë të pamjaftueshme dhe ne në Kosovë kemi mbet shumë keq për sa i përket kësaj çështjeje. Edhe infrastrukturën nuk e kemi në gjendje të mirë, kështu që i bie se edhe ato orë, sidomos në kohët e ftohta dhe me reshje, nuk arrin të realizohen si duhet. Dhe për këtë duhet institucionet përgjegjëse të marrin masa për përmirësimin e kësaj gjendjeje”, tha ai.

Të pamjaftueshme dy orë në javë i vlerëson edhe drejtori i Shkollës fillore “Shkolla e Gjelbër”, Besart Ismaili. Ai tha se së paku tri orë në javë nxënësit duhet të mbajnë orën e edukimit fizik.

“Dy orë në javë janë shumë pak duke pasur parasysh edhe mënyrën e ushqimit, e cila nuk është shumë e shëndetshme dhe se obeziteti është në rritje. Prandaj, këto dy orë nuk janë të mjaftueshme dhe unë mendoj që së paku tri orë në javë fëmijët duhet të kenë aktivitete fizike”, tha ai

Se shkollat përballen me mungesë të infrastrukturës për realizmin e orëve të edukimit fizik e thonë edhe nga Sindikata e Arsimit.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radio Kosovën së për këtë çështje në vazhdimësi ka marrë shqetësime nga mësimdhënësit e kësaj lënde, pasi në shumë raste, për shkak të mungesës së infrastrukturës nuk arrin të realizohen orët sidomos gjatë stinës se vjeshtës dhe dimrit.

“Në takimet që i kemi me kolegët tanë, që një pjesë e tyre janë arsimtarë të lëndës së Edukimit Fizik, në vazhdimësi kanë shprehur shqetësimet e tyre. Sipas tyre, në stinën e vjeshtës dhe të dimrit kur ulen temperaturat dhe ka reshje, nuk mund t`i mbajnë orët e edukimit fizik në poligonet që disa prej shkollave i kanë të rregulluara”, tha ai.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit në një përgjigje përmes postës elektronike ka bërë të ditur për Radio Kosovën se kjo çështje është diskutuar në MASHT, por që kjo kërkesë nuk mund të adresohet pa rishikimin e Kornizës Kurrikulare. Kjo është edhe arsyeja që në praktikë nuk është ndërmarrë deri më tani asgjë. Ministria bën të ditur se me rishikimin Kornizës Kurrikulare, do të adresohet edhe kjo kërkesë.