Është lansuar projekti i Këshillit të Evropës “Nxitja e kohezionit shoqëror duke përforcuar të drejtat e pakicave dhe gjuhët e pakicave”.
Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për rritjen e mbështetjes për qendrat mësimore, si mekanizëm luftues për martesat e hershme të vajzave nga komunitetet.
“Projekti i cili po na bashkon sot, duke përforcuar të drejtat dhe gjuhët e pakicave, përshtatet me mjedisin që kemi krijuar dhe do të ketë ndikimin e tij për shkak të sistemeve për të cilat kemi punuar e përmirësuar gjatë kohës sa jemi në qeverisje”, ka thënë kryeministri.
Ai ka folur për praktikat qeveritare të përfshirjes së gjuhëve të komuniteteve, duke përfshirë buletinin që ka rreth mbi 1 mijë aktivistë që e lexojnë dhe përkthimin e takimeve qeveritare në gjuhën serbe.
“E kemi shtuar buxhetin për zbatimin e ligjit për harmonizimin e gjuhës, i cili do ta shton numrin e përkthyesve”, ka thënë ai.
Jeroen Schokkenbroek, drejtori i të Drejtave të Barabarta dhe Dinjitetit, Këshilli i Evropës, nëpërmjet një video mesazhi ka folur për rëndësinë e fuqizimit të komuniteteve dhe diversitetit social. “Të drejtat e njeriut janë në zemër të misionit të Këshillit të Evropës. Ato janë universale dhe nuk i takojnë vetëm një grupi, por të gjithëve. Janë pjesë e natyrës sonë si qenie njerëzore”, ka thënë ai.
Ndërsa Mary Ann Hennessey, shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë tha se në zemër të këtij projekti është një koncept i fuqishëm. Ky projekt sipas saj mundëson fuqizimin e kapaciteteve te pakicave. Ann tha se mbrojta e pakicave duhet të jete në kuadër te procedurave të punës dhe të krijohet një ambient më i sigurt për pakicat.
Kurse Emma Lantschener, eksperte ndërkombëtare në Komitetin Këshillimor për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare me këtë rast theksoi synimi i këtij projekti është i qartë, është nxitja e kohezionit social dhe përforcimit të gjuhës së minoriteteve. Ajo tha se Konventa Kornizë është pjesë integrale e shoqërive tona.