Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilluan një takim me Zëvendëspresidenten të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani me bashkëpunëtorë.

 

Ky takim sipas protokollit standard u mbajt në kuadër të  takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C.

“Guvernatori Ismaili e informoi znj. Bassani lidhur me zhvillimet kryesore në sektorin financiar, zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së dhe reformat e tjera të ndërmarra nga ana e BQK-së. Gjithashtu u diskutua lidhur me projektet që janë duke u zbatuar me mbështetjen e grupit të BB-së, duke përfshirë atë të modernizimin e sistemit të pagesave si dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare”, njofton BQK.

Gjithashtu, Guvernatori Ismaili e informoi zëvendëspresidenten mbi progresin e bërë dhe veprimet e ndërmarra nga BQK-ja në përgatitje për procesin e para aplikimit për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA, ku mbështetja e BB-së është vendimtare në arritjen me sukses të këtij qëllimi strategjik me efekte të shumanshme pozitive për ekonominë e vendit.

“Gjatë takimit u shqyrtuan edhe aspekte tjera që lidhen me mundësinë për projekt të ri për qëllim mbështetjen në realizimin e investimeve e infrastrukturës së pagesave te shpejta, të njohura si “fast payments”, i cili me anëtarësimin e SEPA, në fazë të mëvonshme, do të mundësoj ndërlidhjen me sistemin e pagesave të BE-së. Në fund, përfaqësuesit e BQK-së shprehën mirënjohjen e sinqertë për Grupin e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik”, njofton BQK.