Kur ka kaluar më shumë se një vit nga fillimi hetimeve për subvencionet, Komisioni Evropian do të vendosë tarifa shtesë që shkojnë nga 7.8% për markën amerikane Tesla, deri në 35.3% për firmën kineze SAIC, mbi tarifën standarde të BE-së prej 10% për makinat e importuara.

Tarifat shtesë u miratuan zyrtarisht dhe u publikuan në Gazetën Zyrtare të BE-së të martën, çka do të thotë se ato do të hyjnë në fuqi të mërkurën.

Komisioni, i cili mbikëqyr politikën tregtare të bllokut, ka thënë se tarifat janë të nevojshme për të luftuar ato që thotë se janë subvencione të padrejta, përfshirë financimin e preferuar dhe ndihmat e tjera financiare, si edhe tokën, bateritë dhe lëndët e para të vlerësuara nën çmimin e tregut.

BE-ja thotë se kapaciteti shtesë prej 3 milionë automjetesh elektrike kineze në vit është sa dyfishi i tregut të bllokut. Duke patur parasysh tarifat prej 100% në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, tregu më i mundshëm për këto mjete elektrike është Evropa.

Dhoma e Tregtisë e Kinës në BE tha se ishte thellësisht e zhgënjyer nga masa “proteksioniste” dhe “arbitrare” e bllokut dhe ishte e dëshpëruar nga mungesa e përparimit thelbësor në negociatat për të gjetur një alternativë ndaj tarifave.

Këtë vit Pekini nisi hetimet e veta për importet nga BE-ja të konjakut, bulmetit dhe produkteve të derrit, një shenjë e dukshme hakmarrjeje. Kina ka kundërshtuar gjithashtu në Organizatën Botërore të Tregtisë masat e përkohshme të BE-së.

Kompanitë evropiane të makinave po përballen me një fluks të automjeteve elektrike me kosto të ulët nga rivalët kinezë. Komisioni vlerëson se makinat elektrike kineze përbëjnë 8% të tregut evropian, krahasuar me 1% në vitin 2019 dhe mund të arrijë në 15% në vitin 2025. Komisioni thotë se çmimet e makinave elektrike kineze janë zakonisht 20% më të ulëta se ato të makinave elektrike evropiane.

Qëndrimi i BE-së ndaj Pekinit është ngurtësuar gjatë pesë viteve të fundit. Blloku e sheh Kinën si një partnere të mundshme në disa fusha, por edhe si konkurrente dhe rivale. Vendet anëtare të BE-së nuk pajton për tarifat ndaj automjeteve elektrike. Gjermania, ekonomia më e madhe e BE-së dhe prodhuesi kryesor i makinave, u shpreh kundër tarifave përmes një votim këtë muaj, në të cilin 10 anëtarë të BE-së i mbështetën ato, pesë votuan kundër dhe 12 abstenuan.