Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Kreshnik Ahmeti, priti në takim Marguerite Costa de Beauregard, drejtore e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës

 

Sipas njoftimit të MPJD-së, në takim u diskutua mbi ndërveprimet intensive dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës. U vlerësua lart organizimi i Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris dhe u shqyrtuan mundësitë për përmbylljen e një numri marrëveshjesh nga fusha e drejtësisë.

“Zëvendësministri Ahmeti falënderoi znj. Beauregard për mbështetjen franceze në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai theksoi se pas përmbushjes së të gjitha kritereve të paraqitura nga Asambleja Parlamentare, përfituesit kryesor nga anëtarësimi do të ishin komunitetet pakicë. Prandaj, çdo vonesë e këtij procesi i dëmton ato më së shumti. Të dy diskutuan edhe mbi përparimin dhe angazhimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Tutje u theksua se palët u pajtuan që të vazhdojnë praktikën e vendosur të konsultimeve politike, si mekanizëm për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin e veprimeve multilaterale.