Kjo praktikë jo vetëm që e pasuron repertorin e tyre, por gjithashtu kontribuon në zgjerimin e kufijve të muzikës tradicionale përmes interpretimeve të reja dhe bashkëpunimeve të freskëta. Përkushtimi i tyre ndaj ruajtjes së trashëgimisë muzikore i ka bërë një simbol të rëndësishëm të kulturës tradicionale.

Grupi ‘Ashikët and Friends’ nga Gjakova është një nga formacionet më të rëndësishme dhe më të respektuara në kultivimin dhe ruajtjen e muzikës së vjetër qytetare. Me një histori që shtrihet mbi 50 vite, ata janë shndërruar në një simbol të kulturës tradicionale, duke e përfaqësuar atë me mjeshtëri  dhe përkushtim.

Me përkushtim të veçantë ndaj muzikës së trashëguar, “Ashikët” janë vlerësuar gjerësisht si një aset i çmuar kulturor, duke përfaqësuar një lidhje të gjallë mes brezave dhe historisë muzikore.

Për këtë tashmë edhe anëtari më i ri i grupit Kantautori Nazmi Morina ka krijuar edhe një këngë.

“Para shumë viteve isha mysafir në një mbrëmje ku ishin grupi duke u përformuar  u dashurova në muzikën e tyre u afrova dhe këndova bashkë me ta dhe që nga ajo kohë unë s’mundem pa ta e as këta pa mua, unë e kompozova këngën për Gjakovën dhe Ashikët me dashurinë më të madhe” tha Morina.

Kurse Shefik Pallaska anëtar i grupit theksoi se përvoja e gjatë me muzikën e të gjithë anëtarëve ka bërë që të krijohet ky grup.

“Të gjithë ne anëtarët e grupit i kemi më shumë se nga 50 vjet përvojë me muzikë, ne gjithmonë e kemi ruajtur këngën e vjetër qytetare dhe për këtë jemi dekoruar nga Ministria e Kulturës. Ne këndojmë edhe në rrugë pasi që mendojmë se ashtu shpërndahet akoma më shumë dhe më mirë muzika” tha ai.

‘Ashikët and Friends’ janë të përkushtuar që kjo muzikë të jetë sa më afër publikut. Deri më tani, grupi ka publikuar 11 albume, të cilët përmbajnë një pasuri të jashtëzakonshme të këngëve dhe motiveve të muzikës qytetare, duke u fokusuar në cilësinë e larte të interpretimit dhe autenticitetin e tingullit.

“Në 5 -6 albumet e fundit kemi pasur edhe  artist të ri si Dren Abazin, Artan Bakia dhe shumë të tjerë deri sa në këtë të fundit e kemi marrë Viola Bejtullahun” tha Pallaska.

Një veçori e tyre është se në çdo album ftojnë mysafirë të ndryshëm, duke krijuar bashkëpunime unike dhe duke i dhënë një frymë të re çdo projekti muzikor.

Falë këtij përkushtimi të vazhdueshëm dhe përpjekjeve te pandalshme për ruajtjen e trashëgimisë muzikore, ‘Ashikët and Friends” vazhdojnë të jenë një pasuri e vlefshme për kulturën dhe një frymëzim për brezat e rinj të artistëve.