Klubet e notit të Kosovës kanë kritikuar Bordin e Federatës së Notit dhe nënkryetarin e saj, për shkeljet statutare. Ata kanë adresuar një ankesë në Federatën e Notit të Kosovës duke shprehur shqetësimet e thella që kanë të bëjnë me shkeljet ligjore, statutare dhe diskriminim që është duke vazhduar ta bëjë Bordi nënkryetari i saj.
“Pas një sërë shkeljes ligjore dhe si pasojë e sjelljeve jo etike dhe jo ligjore të Bordit dhe kryetarit të Federatës së Notit të Kosovës që nga shtatori 2022, në shtator të këtij viti Federata Botërore e Notit World Aquatics gjobiti dhe suspendoi kryetarin e saj për këto veprime dhe diskriminim të hapur ndaj sportistëve”, theksojnë ata në ankesën e parashtruar.
Fatkeqësisht, sipas tyre për të gjitha shkeljet ligjore, statutare dhe diskriminim e hapur që është bërë ndaj sportistëve, institucionet përgjegjëse, por edhe organizatat tjera kompetente nuk kanë reaguar e as nuk kanë marr ndonjë hap apo veprim për të ndërprerë sjellje të tilla të Bordit dhe Kryetarit të FNK-së. Për sjellje dhe veprime jo ligjore u angazhua dhe morri vendime vetëm një organizëm ndërkombëtar, Worls Aquatics.
“Përveç shkeljeve ligjore dhe diskriminimit të hapur, ky Bord i FNK-së nuk është marr me asnjë aktivitet tjetër të organizimeve sportive për këta 10 muaj të vitit 2024, përveç mbajtjes së Kampionatit në pishina 50m. Kjo federatë në bazë të memorandumit të nënshkruar me MKRS ka pasur buxhet qindra mijëra euro të dedikuara për aktivitete sportive, për klubet dhe sportistët e vet, e ne po pyesim, ku dhe si po shpenzohen parat publike, taksat tona?!”, pyesin ata.
Në vijim ata pyesin se kush duhet të reagoj dhe të ndërpres këto veprime me gjithë këto shkelje ligjore në vazhdimësi?
Ata rikujtojnë se kompetencat dhe përgjegjësitë institucionale dhe organizative janë të sanksionuara me dispozita ligjore dhe statutare të çdo organizate sportive, pra edhe FNK-së.
“Jemi të shqetësuar nga veprimet e këtij Bordi të federatës edhe për arsyet se është duke vazhduar me shkelje të njëjta për të cilat kryetari i saj u suspendua dhe u gjobit. Duhet përmendur edhe faktin që kryetari i suspenduar dhe i gjobitur e i cili sipas dispozitave statutare të gjitha vendimet i ka marr së bashku me Bordin aktual e të cilat kanë rezultuar jo ligjore dhe diskriminuese, gjithashtu, ka vepruar dhe ka qenë në konflikt interesi të përhershëm duke marr vendime për çështjet për të cilat ai ka pasur interesa personale private të drejtpërdrejta duke shkelur dispozitat e Ligjit nr. 06/l- 043 Për lirinë e asociimit në organizata joqeveritare, konkretisht duke shkelur nenin 32 “Konflikti i interesit dhe detyrimi në lojalitet” pika 1 ku shprehimisht thotë që asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marr pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit për çështje kur ai ka interes privat të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit”, theksohet në ankesë.
Ata thonë se ky Bord dhe ky nënkryetar e kanë votuar për vendime jo ligjore, e kanë përkrahur edhe në vendimet që kanë qenë konflikt i drejtpërdrejtë interesi dhe e kanë ndihmuar dhe përkrahur në këto shkelje ligjore, madje asnjëherë nuk janë distancuar as deklaruar kundër shkeljeve ligjore për më keq po të njëjtit anëtarë Bordi akoma vazhdojnë me shkelje ligjore, vazhdojnë me dallime e diskriminime ndaj klubeve.
“Gjithashtu ky Bord si tërësi në këtë përbërje nuk ka legjitimitet e as të drejta statutare për veprime dhe vendime në FNK, sidomos kur kemi parasysh faktin se 2 anëtarët e Bordit të cilët i ka propozuar kryetari, me rastin e suspendimit të tij largohen po ashtu edhe kandidatët e propozuar nga ai. Asnjë vendim nga nënkryetari për largimin e 2 anëtarëve të Bordit/kryetarit të suspenduar dhe larguar nuk na ka dërguar neve klubeve/anëtarëve të federatës. Në mungesë të një vendimi të tillë ne konsiderojmë se ata 2 anëtarë ende janë pjesë përbërëse e Bordit dhe janë duke marr vendime e kjo paraqet shkelje të rëndë statutare”, theksohet në letër.
Shqetësimet dhe brengat e tyre për veprimet e FNK-së, përkatësisht Bordit dhe kryetarit të saj klubet i kanë adresuar dhe listuar të argumentuara në shkresa shumë herë, por asnjëherë s’ka pasur përgjigje e as veprime institucionale për të ndërmarr diç konkrete që ta kthej në binarë të ligjshmërisë këtë Federatë.
Ata rikujtoje se Federata e notit është duke funksionuar me anëtarësi/klube fiktive, me klube të cilat nuk kanë pasur e ende s’kanë fare sportistë, me klube të cilat janë shuar dhe rrjedhimisht s’kanë as aktivitete sportive e as sportistë, federata është duke funksionuar me Bord anëtarë të të cilit s’kanë asnjë sportist, s’kanë pasur asnjë aktivitet sportiv ka 2 vjet.
“Janë legjitim dhe ligjor për të marr vendime për një federatë sportive këta persona, duhet të reagojë ndonjë institucion që ka kompetencë dhe përgjegjësi?!Apo, si u licencuan dhe u rilicencuan këto klube pa sportistë dhe pa zhvilluar aktivitete sportive, pa marr pjesë në gara, kush shkeli dispozitat ligjore, dispozitat statutare dhe dispozitat e Udhëzimit Administrativ (MKRS) nr. 01/2022, kushtet edhe kriteret që duhet të plotësojnë klubet sportive për t’u pajisur me licencë, pra që klubi që licencohet ose rilicencohet duhet të ketë së paku 10 sportistë aktiv e të cilët do të verifikohen gjatë procesit të stërvitjeve dhe të garave?!Kush i ka licencuar dhe rilicencuar dhe kush ka pasur dhe ka përgjegjësi të verifikmit të listave të sportistëve aktiv të klubeve të notit?”, theksohet ne letër.
Klubet thonë se i dinë të gjitha në detaje, saktë edhe kush mbanë përgjegjësi për këto shkelje, kemi reaguar dhe kemi shkruar për të gjitha, por asnjëherë s’është ndërmarr asgjë.”Shkeljet ligjore dhe statutare, por vazhdojnë në FNK, ditëve të fundit përmes medieve u informuam për disa shkresa të World Aquatics, nga të cilat kuptohej që ata kanë zhvilluar korrespodencë me FNK-në për disa çështje, por të cilat ne ende nuk i dimë nuk na ka njoftuar federata.
“Ne jemi të brengosur dhe të shqetësuar se çfarë po ndodhë me FNK-në, drejtimin në humnerë që është duke ia dhënë, ky Bord aktual. Aq më shumë jemi të shqetësuar sepse po ky Bordi ka përkrahur të gjitha vendimet diskriminuese të kryetarit të saj të suspenduar dhe akoma është duke vazhduar me po të njëjtin avaz, ndërsa është duke e shkatërruar totalisht sportin e notit me aq sa ka mbetur.
Ligji për sport qartë e sanksionon transparencën ashtu sikur që është cekur edhe në nenin 5 tek Parimet e përgjithshme të sportit, ndërsa Bordi i federatës nuk na ka informuar për asnjë zhvillim e as për shkresat që i kanë shkëmbyer me organet përkatëse të World Aquatics dhe arsyet pse kjo organizatë ka reaguar, ndërsa e ka obligim ligjor që të informoj anëtarësinë e vet për të gjitha vendimet, zhvillimet dhe veprimet e saja.
Ligji për Sport në nenin 19 “Federata sportive” pika 6. parasheh që për ushtrimin e veprimtarisë së saj, federata sportive miraton aktet e brendshme normative përkatëse, në përputhje me këtë ligj, ligjin për OJQ, legjislacionin tjetër në fuqi si dhe rregullat përkatëse të organizatave ndërkombëtare në të cilat janë anëtare”. Me çfarë ka shkelur rregullat e Aquatics ky Bordi federatës duke rrezikuar anëtarësinë dhe duke prishur edhe më tutje imazhin e FNK-së në organizatat ndërkombëtare anëtare e të cilave është?”
Anëtarësia duhet të informohet.
FNK, Bordi i saj e ka obligim dhe detyrim ligjor të parandaloj dhe luftoj dukuritë negative në sport, e jo sikur po ndodhë që vazhdojnë edhe mëtutje me shkelje ligjore.
Ky Bord është duke vazhduar me veprimet e njëjta tashmë qe 2 vjet, me shkelje ligjore jo transparencë e diskriminim të hapur ndaj klubeve dhe sportistëve, duke mos ua dërguar dokumentacionin e kompletuar tek Komisioni për Licencim dhe Rilicencim ashtu sikur që parashihet me Udhëzimin Administrativ (MKRS) nr. 01/2022 për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe ri-vlerësimit të federatave dhe organizatave sportive. Madje ky Bord i injoron sepse asnjëherë nuk përgjigjet në kërkesat e këtyre klubeve rreth çështjes së licencimit apo rilicencimit.
“Veprimet e Bordit të FNK-së janë të njëjta dhe të një vije tashmë qe 2 vjet, e fatkeqësisht nuk ka shërbyer fare si “mësim “ suspendimi dhe gjobitja e kryetarit të saj nga një organizatë botërore sikur që është Ëorld Aquatics, për diskrimimin të hapur ndaj sportistëve”, theksojnë KNK.
Për të mos mjaftuar të gjitha ato që i cekëm më lartë, shqetësimet dhe brenga jonë u rrit edhe më tepër ditën e djeshme ku Sekretari i përgjithshëm i Federatës i është drejtuar me një qarkore disa klubeve dhe i ka njoftuar së në një mbledhje të kuvendit të FNK-së ku ishte paraparë të kishte karakter zgjedhor tashmë kishte futur në agjendë edhe një tekst të statutit të ndryshuar të FNK-së, pra 3 ditë para mbajtjes së kuvendit zgjedhor.
Kjo mënyrë e veprimeve të Bordit të federatës për të kontrabanduar tekstin e statutit në kuvend zgjedhor vetëm 3 ditë para mbajtjes është shkelje e rëndë ligjore, statutore e fyrje e rëndë ndaj klubeve/diskriminim i hapur, duke mos dhënë afat që të analizohet dhe shqyrtohet nga të gjitha klubet e federatës në mënyrë që të gjithë të kenë kohë të mjaftueshme që të paraqesin, vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e tyre në statut”.
Kjo ankesë është parashtruar nga klubet që e konsiderojnë veten të diskriminuar:
Klubi Notit “VLLAZNIMI” – Gjakovë
Klubi Notit “ORLLANI” – Podujevë
Klubi Notit “O2 PRIZRENI” – Prizren
Klubi Notit “MITROVICA” – Mitrovicë
Klubi Notit “FERIZAJ” – Ferizaj
K.S.U. “GJILANI” – Gjilan
Klubi Notit “PEJA” – Pejë
Klubi Notit “ILIRIDA” – Fushë Kosovë
Klubi Notit “DIELLI” – Skenderaj
Klubi Notit “ZENIT” – Prishtinë
K.S.U. “OTRILA” – Prishtinë
Klubi Notit “FUSHË KOSOVA” – Fushë Kosovë
Klubi Notit “PODUJEVA” – Podujevë
Klubi Notit “OBILIQI” – Obiliq
Klubi Notit “LIPIJANI” – Lipjan
Klubi Notit “ZENIT SPORT ACADEMY” – Prishtinë
Klubi Notit “DREFINA” – Drenas
Klubi i Kërcimeve në Ujë “KËRCYESIT E URËS” – Gjakovë /Kosovatimes/