I pari i futbollit tonë, përmes llogarisë së tij në rrjetet sociale, thotë se këto sjellje janë të papranueshëm dhe nuk përkojnë me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë.

Ademi ka bërë edhe një herë me dije se Kosova është një realitet i pakthyeshëm.

“Kosova është një realitet i pakthyeshëm! Kjo ankesë do të adresohet edhe në UEFA, në kompeticionet e klubeve, duke kërkuar që të merren masa në ndalimin e veprimeve të tilla”, ka thënë Ademi.

Reagimi i plotë i Ademit:

Si president i Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit në kampionatin çek, i cili prek dhe sfidon identitetin tonë shtetëror dhe është fyes ndaj futbollistëve tanë. Ky veprim është i papranueshëm dhe nuk përkon me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë.

Ne besojmë dhe e promovojmë futbollin si një platformë për bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes popujve. Prandaj, kërkojmë që çdo provokim i tillë të shmanget në frymën e këtyre vlerave, në mënyrë që futbolli të mbetet shembull i unitetit dhe respektit, pavarësisht dallimeve.

Gjithashtu, u bëj thirrje futbollistëve tanë që përfaqësojnë Kosovën me krenari në klubet e tyre, që të vazhdojnë të mbeten të përkushtuar dhe profesionistë, duke mos u ndikuar nga provokime të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që ata përballojnë dhe i mbështesim me gjithë zemër në çdo hap të karrierës së tyre.

Në këtë frymë, u drejtohem drejtuesve të klubit Sparta Pragë, si dhe mikut tim Petr Fousek, president i federatës çeke, duke u kërkuar që t’i ndalojnë këto provokime dhe të mbrojnë futbollistët shqiptarë, të cilët janë shembull i profesionalizmit dhe angazhimit në fushën e blertë.

Me këtë rast u them Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit, Qazim Laçit dhe Indrit Tucit; Jini krenarë për kombin dhe shtetet që përfaqësoni. Shqipëria dhe Kosova janë faktorë të rëndësishëm në futboll dhe profesionalizmi i juaj do ta bëjë futbollin tonë të jetë primar në Evropë.

Uroj që suksesi t’ju ndjekë gjithmonë, teksa FFK-ja do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e veta.

Kosova është një realitet i pakthyeshëm!

Kjo ankesë do të adresohet edhe në UEFA, në kompeticionet e klubeve, duke kërkuar që të merren masa në ndalimin e veprimeve të tilla.