Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar bllokim të reformave pozitive dërgimin që opozita po ua bën ligjeve në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e kësaj gjykate.

Duke folur për Ligjin për Fondin Sovran, Kurti ka thënë se ka një vit prej kur ky ligj është në sirtar të Gjykatës.

Kurti ka thënë se çdo ditë e humbur është jashtëzakonisht e vlefshme. Sipas tij, po pengohet shteti në një kohë të ndryshimeve dhe mundësive të mëdha në ekonominë botërore.

“Fondi Sovran është jetik për rritjen ekonomike, shtimin e investimeve dhe pasurimin e strukturës së investimeve. Urojmë që paralajmërimet opozitare që Kushtetuesja do ta hedhë poshtë Ligjin tonë për fondin sovran, sipas informacioneve të tyre të brendshme, të mos dalin të sakta. Urojmë që të ndërpritet ky avazi i bllokimit të reformave pozitive e progresiste siç ndodhi me ligjin për byronë, me ligjin për KPK-në, me ligjin për çmimet tavan për produktet bazë ndër të tjera”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka lavdëruar punën e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës. Ai ka bërë thirrje për mbështetjen e këtij instituti, për misionin e drejtë të tij, që është thelbësor për të përjetësuar të vërtetën dhe për ta mundësuar e ndihmuar drejtësinë.

“Kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Është detyra jonë morale dhe institucionale të sigurojmë që vuajtjet e tyre të mos harrohen kurrë. Është nderim e drejtësi ndaj atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe ndaj familjeve që ende bartin dhembjen e të vrave dhe të zhdukurve me dhunë gjatë luftës”, ka theksuar Kurti.