Ramadani thotë se kuqezinjtë janë përgatitur që të marrin pikët maksimale në të dy ndeshjet që janë vendimtare për Shqipërinë në garën për pozitën e parë në grup.

“Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Evropian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në ‘Air Albania, kjo është një shtysë e madhe për ne”, ka thënë Ramadani.

Ai beson se Shqipëria mund të sigurojë vendin e parë në grup, por sipas tij, skuadra shqiptare duhet t’i menaxhojë mirë dy ndeshjet e fundit të këtij cikli garash në Ligën e Kombeve.

“Unë mendoj që presion kemi gjithmonë, por ne e dimë si ta menaxhojmë dhe e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur”, ka pohuar mesfushori i Lecces.

“Normalisht, të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dyja ndeshjet rezultate pozitive. Do bëjmë maksimumin”, ka theksuar Ramadani.