Kryetari i PDK-së, në një postim në Facebook ka kritikuar Qeverinë Kurti që si organizatore e këtij takimi për mospërfshirje të këtyre dy çështjeve në agjendë.

“Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cenon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ky shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar ai.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës, e posaçërisht politikanët shqiptarë që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, të ngrisin zërin dhe të angazhohen që përdorimi i gjuhës shqipe të mos i cenohet askujt dhe askund.

“Derisa këto çështje urgjente të adresohen siç duhet, pikat e tjera të agjendës rrezikojnë të mbeten nën hijen e pakënaqësive të pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunimi i vërtetë kërkon një qasje të ndershme dhe proaktive ndaj sfidave të tilla, duke siguruar që dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen dhe të mbrohen pa dallim. Përndryshe, mbledhje të përbashkëta për shou politik e pa përmbajtje nuk i duhen askujt”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë thirrje që të rikthehet organizimi i takimeve me Shqipërinë.