Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s, i njohur si NALT, i përbërë nga ushtarakë të lartë gjermanë, që këshillojnë nga viti 2016 Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kanë publikuar në revistën ushtarake gjermane “DIFENCENETWORK”, një artikull profesional ku pasqyrojnë sfidat aktuale me të cilat FSK po përballet në rrugën e transformimit të saj në ushtri, me mbështetjen e SHBA-së dhe Gjermanisë.
Artikulli është shkruar nga drejtori i Ekipit Këshillues dhe i Lidhjes me NATO-n, gjeneral brigade Christian Nawrat, nënkolonelja Anja Volbeding, asistente ushtarake e Drejtorit të NALT-iot dhe togeri i parë Nick T. Esser, ndihmës personal (aide-de-camp) i Drejtorit të NALT-it, transmeton Radio Kosova.
Fillimisht, në artikullin profesional sqarohet puna dhe struktura e NALT-it në Kosovë, ku mes tjerash theksohet se “janë bërë një çerek shekulli, që misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO, ndihmon në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë. Krahas mbrojtjes së paqes, Ekipi Këshillues dhe i Lidhjes me NATO-n, i njohur shkurt si “NALT”, kryen punë të shumë rëndësishme ndihmëse, duke filluar nga këshillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) deri tek mbështetja që jep për Ministrinë e Mbrojtjes. “Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s – NALT”, i cili, ndryshe nga KFOR, nuk është nën Komandën e Forcave të NATO-s në Napoli të Italisë dhe as nën komandën e Shtabit të Lartë të Fuqive Aleate të Evropës (SHAPE) në Mons, por nën autoritetin e drejtpërdrejtë të stafit ndërkombëtar në Bruksel dhe mban lidhjen direkte midis organizmave vendimmarrëse te NATO-s atje dhe institucioneve në Kosovë”, theksohet mes tjerash në sqarimin për rolin e NALT.
“Pikërëndesa e këtij mekanizmi është forcimi i kontrollit civil mbi Forcën e Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe këshillimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s – NALT, ofron këshillim komplementar për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës dhe FSK-së në të gjitha fushat, nga menaxhimi i personelit dhe logjistika e deri tek çështjet e standardizimit dhe krijimi i ligjeve dhe rregulloreve”, shkruan në artikull.
Radio Kosova ka shkëputur më poshtë, pjesë të artikullit ku vihen në spikamë sfidat me të cilat FSK po përballet në rrugën e saj për t’u transformuar në ushtri sipas standardeve të NATO-s deri në vitin 2029.
FSK-ja përballë sfidave
Edhe pse jo me miratimin e NATO-s, transformimi i FSK-së drejt forcave mbrojtëse territoriale, ka nisur që nga viti 2018 dhe kjo përmes partneritetit më të madh dypalësh Kosovë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Plani i Gjerë i Kalimit (CTP), i cili do të vijojë deri në vitin 2029, ka për qëllim rritjen e FSK-së nga rreth 2.500 persona të shërbimit të mbrojtjes civile, në një forcë prej 5.000 ushtarësh të rregullt dhe 3.000 rezervë, duke përfshirë tre regjimente të lehta të infanterisë me mbështetje zjarri.
Aktualisht, ky plan është në fazën e arritjes së aftësisë operacionale fillestare. Kështu, po krijohen kushtet për fazën përfundimtare, arritjen e aftësisë së plotë operative. Stafi aktual përfshin rreth 4.025 ushtarë dhe punonjës civilë.
Në procesin e transformimit të FSK-së, ende ekzistojnë sfida themelore, të cilat ndërlidhen, ndër të tjera, me rritjen e shpejtë të aftësive ushtarake.
Infrastruktura e FSK-së, nuk është e mjaftueshme as për regjimentet e reja që po krijohen, dhe as për akomodimin e pjesëtarëve të FSK-së, por as edhe për prurjet dhe furnizimin e pajisjeve të reja ushtarake dhe logjistikën e nevojshme.
Mungojnë burimet
Mungojnë burimet dhe aftësitë për krijimin e trupës (strukturës) së personelit, kurset e trajnimit dhe linjat e përdorimit, si dhe një menaxhim i targetuar i personelit.
Në raport me numrin e trupës ushtarake që është në rritje, është e vështirë të arrihen përparimet e duhura në aftësimin e FSK-së. Kjo është pika ku NALT është përqendruar me disa nga këshilltarët e angazhuar.
Tashmë janë vendosur bazat e para të rregulloreve për FSK-në, ndërkohë që po hartohen plane të tjera për zhvillimin e karrierës nga Career-Path Development – Planifikimi i zhvillimit të rrugës në karrierë.
Përkrah sfidave në fushën e personelit, sistemi logjistik ende i pazhvilluar është pengesa kryesore për ndërtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së.
Sistemi aktual i logjistikës mbështetet kryesisht në improvizim. Nivelet e ulëta në FSK nuk kanë as mjete financiare të mjaftueshme, as pjesë të mjaftueshme ndërrimi, as mjete të nevojshme të punës e as personel të trajnuar. Duke marrë parasysh diversitetin e lartë të materialeve të përdorura në të gjitha fushat, disa prej tyre shumë të vjetra, si dhe kompleksitetin në rritje në përdorimin e pajisjeve të reja, FSK ndodhet para shumë sfidave të mëdha.
Problemi kryesor në udhëheqjen e FSK-së
Problemi kryesor është në udhëheqjen e FSK-së, e cila nuk është në gjendje të zgjidhë sfidat logjistike, duke mbetur kështu e bllokuar në kurthin e kompleksitetit.
Është urgjente të bëhet një konsolidim i qëndrueshëm i materialeve të shumëllojshme përmes ndarjes së stokut të vjetër, pranimit të kufizuar të donacioneve dhe të krijohet një orientim i qartë në raport me partnerët cilësorë.
Vendimi i FSK-së për të favorizuar produktet gjermane në fushën e automjeteve logjistike jo të blinduara është një hap në drejtimin e duhur për të adresuar një nga këto sfida.
Garda Kombëtare, model i FSK-së
Aftësitë tashmë shumë të zhvilluara në fushën e Gardës Kombëtare janë gjithashtu të ndikuara nga sfidat e mësipërme dhe kufizojnë gatishmërinë për operacione në nivelin “Task Force”.
Megjithatë, Garda Kombëtare mund të konsiderohet si një model brenda FSK-së.
Projektet gjermane për fuqizimin e FSK-së kanë mbështetur këtë fushë për vite me radhë në mënyrë shumë efektive dhe janë në përputhje me pozitat e NATO-s dhe mandatin e “NALT”-it.
Në këtë kontekst, duhet parë si zhvillim pozitiv dhe një hap të rëndësishëm përpara, Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SARITC) e cila gjatë vitit 2023, është përdorur shpesh nga shtete të tilla si Holanda, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Jordania. Kjo ka bërë që Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Kërkim dhe Shpëtim (SARITC) e FSK-së të fitojë njohje ndërkombëtare.
Në lidhje me trajnimin dhe ushtrimet, mund të shihen përparime: Në Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës (TRADOC) të FSK-së, me mbështetje nga NALT, janë krijuar kurset për nënoficerë sipas standardeve të NATO-s.
Kursi i parë për gradën “rreshter madhor i komandës” (Command-Sergeant-Major) u përmbyll në janar 2024. Për më tepër, me mbështetje nga NALT, po krijohet një infrastrukturë CPX, e cila për herë të parë u përdor në vitin 2024 për ushtrime të stafit, duke përdorur JCATS.
Megjithatë, ende mungojnë kurse për trajnim në degët specifike të ushtrisë, ose për komandantët e kompanive dhe më lart.
Pra, në afat mesatar, FSK mbetet e varur nga mbështetja e që do të ofrohet nga partnerët bilateral, përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.
Edhe pse Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe FSK-ja kanë bërë një zhvillim të konsiderueshëm që nga krijimi i këshilltarëve ushtarakë të NALT, sfidat, përfshirë ato në fushat e rritjes së personelit, logjistikës, proceseve të shtabit dhe doktrinës, si dhe krijimin e kurseve të karrierës, nuk mund të zgjidhen pa ndihmën e shërbimeve këshilluese të NALT.
Pesha e detyrave për këshilltarët ushtarakë në Kosovë do të mbetet e pandryshuar në të ardhmen e afërt.
Linku i revistës: