Deputeti Haki Abazi nga sot do ta synojë edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, si kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në një konferencë për media Haki Abazi tha se energjia dhe fokusimi janë gjërat e përbashkëta që na bashkojnë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
“Gjithçka që ka qenë në interes të vendit dhe të kombit tonë ka qenë pjesë e diskutimeve të përbashkëta, qoftë direkt me z. Haradinaj apo me kryetarin e grupit parlamentar, Besnikun”, tha Abazi, teksa shtoi se integrimi në NATO është prioriteti mbi prioritetet për Kosovën dhe popullin e Kosovës.
Lidhur me këtë Abazi tha se AAK ka vizionin, planin më të qartë, hapat e sigurt të depërtimit deri te anëtarësimi në NATO”, tha ai.
“Unë kam vendosur që të jem krahu i z. Haradinaj dhe miqve këtu në AAK, përfshi z. Gjini si një model të një udhëheqjeje me dinamikë e me reforma të mëdha”, tha Abazi në konferencën me gazetarë.
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për kontributin Abazit në të kaluarën, tha se “Hakiu nuk ka pasur vetëm etiketë partiake, por çdoherë ka qenë i hapur për komunikim, për bashkëpunim me të gjithë ne në Parlament paraprakisht se sot në selinë e AAK-së është “një ditë e veçantë”.
“Në shumë etapa të rrugëtimit tonë, e ka bërë pjesën e vet të çmuar. Edhe unë jam dëshmitar i këtij angazhimi të Hakiut, të cilin e njoh që nga paslufta për kontributin e tij në mbështetje të shoqërisë civile e demokratizimit të vendit, e proceseve demokratike”, tha Haradinaj.