Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka bërë të ditur se ka rritur masat e sigurisë pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, për të mbrojtur infrastrukturën kritike.
Përmes një njoftimi në Facebook, KFOR-i tha se është i përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike e inxhinierike.
“Pas sulmit në kanalin e ujit në Zubin Potok – Kosovë, misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, ka rritur masat e sigurisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike në rajon. Komanda Rajonale Lindje (RC-E) mbetet e përgatitur për të ofruar mbështetje të sigurisë, logjistike dhe inxhinierike për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në postimin e fundit të këtij misioni.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.