Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një postim në rrjete sociale ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve të tij të zhvilluar dy javët e fundit.  Ai ka përmendur edhe sulmin në kanalin e Ibër Lepencit dy javë më parë.

 

Emisari Miroslav Lajçak, ka thënë se është e rëndësishme që udhëheqësit e ri të BE-së, presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, përfaqësuesja a ardhshme e lartë e BE-së, Kaja Kallas dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos, kanë treguar se e kanë prioritet procesin e zgjerimit.

“Ishte e rëndësishme të shihej se në javën e tyre të parë në detyrë, Presidenti i Këshillit Costa, përfaqësuesja a ardhshme e lartë e BE-së Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos u takuan me liderët e Ballkanit Perëndimor duke dërguar një sinjal të qartë se zgjerimi i BE-së është prioriteti i tyre”, ka shkruar Lajçak në Facebook.

Lajçak në këtë postim ka përmendur sulmin në Ibër-Lepenc, duke e quajtur atë terrorist.

“Udhëheqja e re e BE-së më në fund mori zyrat e veta, Kosova përjetoi një sulm të dënueshëm terrorist që synonte infrastrukturën kritike, një akt që e dënova fuqishëm dhe bota diplomatike po përgatitet për sprintin e zakonshëm të fundvitit”, shkruan Lajçak mes tjerash në Facebook.