Misioni i USAID-it në Kosovë organizoi një ngjarje të veçantë në Gjakovë për të festuar 25 vjet partneritet me popullin e Gjakovës. Ngjarja përfshiu fjalime nga Drejtoresha e Misionit të USAID, Eileen Devitt, dhe Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, të cilët theksuan ndikimin transformues të punës së USAID-it në qytet.
“Festimet nënvizuan kontributet e rëndësishme të USAID-it në ndërtimin e institucioneve demokratike, forcimin e sundimit të ligjit, nxitjen e rritjes së sektorit privat, investimin në rininë e Kosovës dhe krijimin e një rruge drejt një të ardhmeje euro-atlantike”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ngjarja përkoi gjithashtu me shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe theksoi rolin e Gjakovës si partner kyç në përpjekjet kundër korrupsionit të USAID-it. Si komuna e parë në Kosovë që ofron qasje publike online në kontratat e prokurimit, Gjakova u njoh si një pionier në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.
“Jemi krenarë për atë që USAID ka arritur në bashkëpunim me ju, si për shembull, fillimin e programeve për zhvillimin e karrierës në shkollat e mesme lokale; fuqizimin e grave Roma, Egjiptiane dhe Ashkali për të hyrë në politikë dhe biznes; si dhe investimin në nisma të reja agrobiznesi vendase”, ka theksuar drejtoresha e misionit të USAID, Eileen Devitt.
Devitt e përfundoi aktivitetin duke riafirmuar përkushtimin e USAID-it ndaj popullit të Kosovës, duke theksuar “USAID mbetet i përkushtuar ndaj popullit të Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku me ju për të siguruar që Kosova të ketë atë që i nevojitet për të realizuar një shtet sovran, demokratik dhe multietnik të integruar brenda institucioneve euroatlantike”.