Të enjten në Gjykatoren e Gjykatës Kushtetuese nuk do të jenë vetëm gjyqtarët e këtij organi më të lartë kushtetues në vend. Aty si mysafirë mund të jenë të gjithë qytetarët mbi moshën 16 vjeçare, të cilët do të kenë mundësinë që për rreth 45 minuta të shohin ambientet e këtij institucioni që në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut organizon aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”.
“Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërdrejt përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e kushtetueses për këtë ngjarje.
Tutje kanë treguar se organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë.
Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta.
Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti derisa do të kenë mundësi të bëjnë foto si kujtim, por vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës.