Sot (e premte) do të tërhiqet shorti për kualifikueset nga Evropa të vlefshme për Kupën e Botës 2026, ku Kosova do t’i mësojë tre kundërshtarët që do t’i ketë në grup.
“Dardanët” do të jenë në vazon e katërt bashkë me katër kombëtare shkaku që luajnë në play-off për Ligën e Kombeve në mars, më saktësisht ndaj Islandës për promovim në ligën B.
Mënyra si do të funksionoi shorti mbetet njëjtë, pra do të krijohen 12 grupe nga katër dhe pesë kombëtare, ku secila kombëtare do t’i zhvillojë dy ndeshje (vendas dhe mysafir) ndaj shteteve respektive.
Në total pastaj 16 kombëtare do të kualifikohen në Kupën e Botës. 12 prej tyre do të jenë liderët e grupeve, ndërsa katër vendet e tjera do të mësohen nga play-offi, ku do të përballen pozitat e dyta të po atyre grupeve.
Renditja e kombëtareve në katër vazot:
Vazo 1: Francë, Spanjë, Angli, Portugali, Holandë, Belgjikë, Itali, Gjermani, Kroaci, Zvicër, Danimarkë dhe Austri
Vazo 2: Ukrainë, Suedi, Turqi, Uells, Hungari, Serbi, Poloni, Rumani, Greqi, Sllovaki, Çeki dhe Norvegji
Vazo 3: Skoci, Slloveni, Republika e Irlandës, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Gjeorgji, Finlandë, Islandë, Irlandë Veriore, Mal i Zi, Bosnja/Hercegovinë, Izrael
Vazo 4: Kosovë, Bullgari, Luksemburg, Bjellorusi, Armeni, Kazakistan, Azerbajxhan, Estoni, Qipro, Ishujt Faroe, Letoni, Lituani
Vazo 5: Moldavi, Maltë, Andorrë, Gjibraltar, Lihtenshtajn, San Marino.
Kualifikueset do të nisin në marsin e vitit 2025 për kombëtaret që kanë nga pesë skuadra në grup, kësisoj Kosova rrugëtimin për kualifikueset e Kupës së Botës do ta nis në muajin shtator.
Datat më të rëndësishme të këtyre kualifikuesve:
Shorti për fazën e grupeve: 13 dhjetor 2025
Ndeshjet kualifikuese: Nga marsi në nëntor të vitit 2025
Ndeshjet e play-offit: Nga 26 deri më 31 mars 2026
Kupa e Botës: Nga 11 qershor në 19 korrik 2026
Kujtojmë, shorti do të nis me fillim nga ora 12:00 në Zyrich të Zvicrës.