Bislimi ka thënë se reforma e administratës publike përbën hap thelbësor në modernizimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo që ne synojmë është ndërtimi i një administrate të përgjegjshme dhe transparente që ka aftësinë të krijojë mjedis të favorshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”, tha ai.

Duke folur për arritjet në këtë proces, ai tha se janë thjeshtuar 80-të shërbime në ministri të ndryshme dhe 300 shërbime në nivelin lokal në 15 komuna. “Me këtë lehtësohet jo vetëm puna e qytetarëve dhe bizneseve, por njëkohësisht edhe puna e institucioneve”,shtoi ai.

Ai ka theksuar se është finalizuar digjitalizimi i 12 shërbimeve të profesioneve të lira dhe gashtë shërbimeve gjeodezike që janë ekspozuar në platformën e-Kosova.

“Janë dërguar për ekspozim edhe 27 shërbime të Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë dhe 20 shërbime doganore. Është në finalizim edhe digjitalizimi i shërbimeve të auto-shkollave, noterëve, inxhiniereve, odave të shëndetësisë”, tha Bislimi.

Sipas tij, kalkulimet vjetore po tregojnë se brenda një viti qytetarëve dhe bizneseve u kursehen deri në 3.5 milionë euro.

”Kalkulimet vjetore po na tregojnë se brenda një viti do t’u kursejmë qytetarëve dhe bizneseve deri në 3.5 milionë euro. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky proces”.

Ndërsa, udhëheqësi i Seksionit të Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Johannes Madsen tha se ka premtuar përkrahje në vijim për digjitalizimin e shërbimeve.

“Ka disa reforma që duhet të ndërmarren dhe zyra ime  që do të përqendrohen në vitet në vijim”, ka thënë Madsen.

Kurse ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, tha se një pjesë e rëndësishme e programit është ulja e barrës administrative nëpër komuna, sipas tij, pjesë e grantit të performancave.

E ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, tha se bashkëpunimi ndër vite me qeverinë e Kosovës ka sjell rezultate në uljen e barrës administrative në vend.

“Bashkë kemi punuar tash e tetë vjet për të reduktuar barrën administrative dhe reformuar inspektimet e bizneset. Kjo ndikohet drejtpërdrejtë në uljen e barrës administrative dhe procedurat administrative të lehtësuara”, deklaroi ambasadori zviceran.