Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh tre persona të dyshuar, dy nga ta shtetas të Sllovakisë ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim në qytetin e Ferizajt.
Sipas Prokurorisë të njëjtit janë ndaluar për shkak të dyshimit se në një laborator të cilin e kanë ndërtuar në fshatin Sllakoc i Epërm të Gjilanit, kanë bërë përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike.
“Me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se ndaj të dyshuarve në këtë rast brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.