Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Z.P. për shkak të dyshimit se, në bashkëveprim, ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas PSRK-së, hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri Z.P., i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, dëbimin masiv dhe plaçkitjen e qytetarëve civilë të nacionalitetit shqiptar që nuk ishin të përfshirë në luftë.
“Prokurori i Shtetit ka propozuar zhvillimin e gjykimit në mungesë, duke qenë se i pandehuri është në arrati”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale thotë se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kryerësit e tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare.